Reshjet e shiut shkaktuan dëme dhe bllokuan disa rrugë në Tetovë (FOTO+VIDEO)
Në orët e pasdites në Tetovë ka pasur reshje intensive të shiut, shoqëruar me breshër, bubullima dhe vetëtima, duke shkaktuar edhe bllokim të disa rrugëve nëpër qytet. Qendra për Menaxhim me Krizat ka njoftuar dëme të natyrave të ndryshme, duke paralajmëruar që pastaj do të bëhet vlerësimi i tyre, transmeton Portalb.mk. Një nga rrugët e […]
Në orët e pasdites në Tetovë ka pasur reshje intensive të shiut, shoqëruar me breshër, bubullima dhe vetëtima, duke shkaktuar edhe bllokim të disa rrugëve nëpër qytet. Qendra për Menaxhim me Krizat ka njoftuar dëme të natyrave të ndryshme, duke paralajmëruar që pastaj do të bëhet vlerësimi i tyre, transmeton Portalb.mk.
Një nga rrugët e bllokuara ishte edhe nënkalimin në hyrje të Tetovës, rruga për në Shkup, ku ka pasur nevojë edhe për intervenimin e ekipit të zjarrfikësve. Në gjendje të njëjtë ishte edhe nënkalimi në rrugën “Dardania”, i cili akoma është i bllokuar. Portalb.mk ju sjell pamje nga rrugët e Tetovës.
Qendra për Menaxhim me Kriza ka njoftuar se në numrin për raste urgjente 112, janë pranuar mbi 200 thirrje për dëme të shkaktuara nga reshjet, vetëtima dhe bubullimat që zgjatën rreth 40 minuta me intensitet të lartë. Qendra njoftoi që ekipi i zjarrfikësve ka kërkuar edhe ndërprerjen e rrymës elektrike në qytet. EVN i është përgjigjur pozitivisht thirrjes, duke e ndërprerë rrymën lagje pas lagje.
Përveç në qytet, probleme janë raportuar edhe në autostradën Tetovë – Shkup, si thyerje xhami te veturat që ishin në lëvizje.
“Situata është mjaft dramatike në qytetin e Tetovës, pasi kemi vërshime të mëdha nëpër shtëpi banimi. Kemi bërë shpëtimin e disa njerëzve që ishin ngujuar në makinat e tyre”, deklaroi Komandanti i Zjarrfikësve në Tetovë, Avni Ahmeti. Ai bëri apel deri te qytetarët që mos të bëjnë lëvizje në këtë pjesë të qytetit.
Ahmeti ka kërkuar që të ndërpritet gjithë rrjeti i qarkullimit të energjisë elektrike në Tetovë, pasi rreziku është tepër i madh që të goditet nga rryma elektrike ndonjë qytetar ose zjarrfikës.
Ndryshe, duke qenë se ndryshimet klimatike dhe kërcënimet nga reshjet e dendura të shiut edhe vërshimet tani më janë realitet, Portalb.mk në muajin maj u interesua nëse Tetova është e gatshme të përballet me to, si një rajon që disa herë e ka pësuar nga to. Komuna e Tetovës theksoi se janë të përkushtuar në këtë drejtim, por nuk dhanë ndonjë raport se çfarë bëjnë konkretisht. Njëkohësish, nga shoqëria civile thonë se duhet të kihet shumë kujdes në këtë drejtim.