RMV, Antikorrupsioni do të hetojë pronën e sekretarit të Qeverisë Janushev
Komisioni kundër korrupsionit, pas një raporti të Drejtorisë për Inteligjencë Financiare, ka hapur rast për pasurinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, transmeton Portalb.mk. Raporti është dorëzuar nga Drejtoria e Inteligjencës Financiare dhe kërkohet kontroll i pasurisë së Janushevit, për pasurinë që dyshohet se nuk e ka deklaruar në pyetësor. KShPK do të […]
Komisioni kundër korrupsionit, pas një raporti të Drejtorisë për Inteligjencë Financiare, ka hapur rast për pasurinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, Igor Janushev, transmeton Portalb.mk.
Raporti është dorëzuar nga Drejtoria e Inteligjencës Financiare dhe kërkohet kontroll i pasurisë së Janushevit, për pasurinë që dyshohet se nuk e ka deklaruar në pyetësor. KShPK do të inspektojë edhe pronën e regjistruar si dhuratë.
Janushev në pyetësor ka shkruar se në vitin 2023 ka blerë një banesë prej 165 m2 në Komunën Qendër në Shkup, e cila kushton rreth 325 mijë euro. Në njoftimin fillestar në fletë shkruhej se bëhej fjalë për tokë ndërtimore.
Qeveria bëri me dije se ishte një dhuratë nga prindërit e Janushevit dhe ai në profilin e tij në FB shkruan se fillimisht ka pasur një gabim në pyetësor.
“Nuk ekziston tokë e dhuruar…ka të dhëna të futura gabimisht për të cilat tashmë është bërë një korrigjim nga unë. Të njëjtën pronë që e kam aktualisht, e kam pasur edhe në të kaluarën dhe nëse ka pasur ndonjë problem, qeveria e LSDM-së dhe BDI-së kanë pasur më shumë se sa mjaftueshëm kohë për të vepruar”, shkruan Janushev.
LSDM-ja opozitare, nga ana tjetër, sot ka publikuar dokumente për pronën e dhuruar. Ata kanë treguar objektin ku ndodhet banesa dhe pretendojnë se në të, përveç Janushevit, banesë ka edhe ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
“Pyetja kryesore dhe më e rëndësishme është se si janë të lidhura dhurata e Janushevit prej 325 mijë eurosh dhe pasuria e ministrit Toshkovski? Çfarë biznesi kishin të përbashkët këta të dy? Me skemën e dhënies së dhuratave, a fshehin këta të dy një lloj biznesi për të cilin opinioni nuk duhet të dijë?, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Edhe ministri Toshkovski ka reaguar ndaj akuzave nga opozita. Ai thotë se të gjithë pasurinë e ka deklaruar në KShPK dhe është në dispozicion të publikut.
“Ftoj institucionet që të kontrollojnë detajisht pasurinë time, por edhe të çdo zyrtari aktual dhe të dikurshëm, sidomos të atyre që gjithë jetën kanë përfituar nga buxheti i shtetit”, ka shkruar Toshkovski.
Përndryshe, Toshkovski ka futur në pjesën pronë personale të pyetësorit banesën prej 146 m2 në Qendër, të cilën e ka fituar në bazë të kontratës për ndërtim.
Çdo i zgjedhur apo i emëruar ka për detyrë të raportojë pronën që zotëron në Komisionin Shtetëror të Parandalimit të Korrupsionit, i cili nga ana e tij ka për detyrë të monitorojë nëse ka pasur pasurime të paarsyeshme mes zyrtarëve.
Igor Janushev u emërua sekretar i përgjithshëm në seancën e parë të Qeverisë së re muajin e kaluar, i cili ishte deputet në përbërjen e mëparshme të Kuvendit.
Janushev, anëtar i VMRO-DPMNE-së, ishte anëtar i Komisionit për zbatimin e furnizimeve publike, të autobusëve dykatësh për Qytetin e Shkupit dhe në rastin “Dizajn” së bashku me Mile Janakieski, Snezhana Filipovska Pavleska dhe Julia Jankullovska Atanasov kanë shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare dhe autorizimet dhe për operatorin ekonomik “Jutong” nga Kina kanë bërë autorizim të paligjshëm – favorizim në procedurë dhe kontraktimin e marrëveshjes për furnizimin e 202 autobusëve dykatësh, duke i shkaktuar dëm buxhetit të RMV-së, në shumë prej 5.000.000 euro.
Igor Janushevi ishte i vetmi i cili nuk e pranoi fajësinë.
Ai ka qenë ish-drejtor i Ndërmarrjes së Qarkullimit Publike (NQP), i cili në shtator të vitit të kaluar dënua me dy vjet burg me kusht për keqpërdorimin e detyrës dhe autorizimit zyrtar, parashikuar me paragrafin 5 të nenit 353 të Kodit Penal të RMV-së, i cili, me ndryshimet e fundit ligjore të Kodit Penal më nuk ekziston, pra aktgjykimi nuk kishte asnjë kuptim, sepse një ditë paraprakisht Kuvendi e fshiu paragrafin 5 të nenit 353 të Kodit Penal, sipas të cilit Janushev ishte dënuar.