RMV, do të hiqet apo do të reduktohet financimi shtetëror i fushatave zgjedhore?
Fushata për zgjedhjet presidenciale që u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut këtë pranverë kushtoi gjithsej 7,5 milionë euro. Prej tyre, 77 përqind janë mjete nga buxheti i shtetit, ndërsa vetëm 23 përqind janë para nga burime të tjera financimi, thuhet në raportin e posaçëm për financimin e fushatës për zgjedhjet presidenciale të publikuar nga Komisioni […]
Fushata për zgjedhjet presidenciale që u zhvilluan në Maqedoninë e Veriut këtë pranverë kushtoi gjithsej 7,5 milionë euro. Prej tyre, 77 përqind janë mjete nga buxheti i shtetit, ndërsa vetëm 23 përqind janë para nga burime të tjera financimi, thuhet në raportin e posaçëm për financimin e fushatës për zgjedhjet presidenciale të publikuar nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.
Ose, shteti ka siguruar pak më shumë se 5.7 milionë euro nga buxheti nga shuma e përgjithshme e shpenzuar për fushatën e shtatë kandidatëve për president. Pjesa e mbetur prej rreth 2 milionë eurosh janë donacione nga persona juridikë dhe fizikë, nga llogaritë e rregullta të partive apo nga kuotat e anëtarësimit.
Nga ku jani financuar fushatat zgjedhore të kandidatëve për president?
Analiza e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për të ardhurat sipas llojeve të burimeve të financimit ka nxjerrë në pah se fushat zgjedhore e kandidatëve për president 77% është financuar me mjete të siguruara nga Buxheti, ndërsa 23% e mjeteve janë siguruar nga burime të tjera të financimit
- 76,82% – Reklamim i paguar politik 353.225.947 denarë
- 12,11% – Shuma e përgjithshme e të ardhurave të tjera të përcjella nga llogaria themelore – 55.686.991 denarë
- 12,11% – Donacione nga persona fizik të përcjella nga llogaria e punës së rregullt – 45.906.200 denarë
- 0,97% – Donacione nga persona fizik 115.005 denarë
- 0,01% – Donacione nga persona juridikë të përcjella nga llogaria e punës së rregullt – 50.000 denarë
- Sasia e përgjithshme e të ardhurave – 459.815.831 denarë
Për shkak të përqindjes së lartë të pjesëmarrjes së shtetit në fushatat politike, KSHPK kërkon sërish heqjen e financimit nga buxheti i shtetit, siç janë edhe kërkesat e organizatave për luftë kundër korrupsionit dhe ekspertëve nga opinioni.
“Theksojmë se KSHPK-ja vlerëson se financimi i procesit zgjedhor me mjete nga buxheti duhet të hiqet, për shkak të ekzistimit të rreziqeve për korrupsion”, thuhet në raportin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Duke analizuar financimin e fushatës për zgjedhjet presidenciale, anëtarët e antikorrupsionit konstatuan mangësi të shumta në kornizën ligjore dhe administrative që rregullojnë procesin zgjedhor.
Financimi shtetëror – të hiqet apo të reduktohet
Ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor u bënë në mars 2024, pak para zgjedhjeve të dyfishta parlamentare dhe presidenciale në prill dhe maj. Por financimi i fushatës nga shteti mbeti në fuqi.
“Në fund teksti kaloi në Kuvend pa propozimet tona që duhej të reduktonin aktivitetet korruptive. Ne nuk mund të shpenzojmë aq shumë mjete për financimin e fushatave, në këtë rast 77 përqind të buxhetit në disproporcion kundrejt 23 përqindëshit të mbetur. Ndoshta nuk duhet të hiqet tërësisht financimi shtetëror, por duhet gjetur ndonjë model i ndërmjetëm për ta reduktuar atë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i “Transparency International – Maqedoni”, Bllagoja Pandovski.
Për ndryshimet votuan si partitë në pushtet ashtu edhe ato opozitare, të cilat nuk e shfuqizuan praktikën e vendosur të financimit së fushatave politike nga buxheti i shtetit, pavarësisht vërejtjeve të ekspertëve të opinionit publik dhe organizatave të shoqërisë civile.
“Të rivlerësohet nevoja për ekzistencën e reklamave politike të paguara në përgjithësi, gjegjësisht nëse është e nevojshme të përdoren miliona euro para nga buxheti për financimin e fushatave politike dhe cili është interesi publik këtu”, shkruan në Raportin mbi autorizimet diskrecionale gjatë financimit të fushatave politike, të publikuar nga Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve.
Vëzhguesit ndërkombëtarë vunë në dukje nevojën për të siguruar qasje të barabartë deri te mediat në fushatat zgjedhore dhe për të rritur llogaridhënien dhe integritetin e financimit të fushatës.
“Fatkeqësisht, Kodi Zgjedhor u ndryshua kohët e fundit në një procedurë të përshpejtuar јоmjaftueshëm transparente dhe pa konsultime me opinionin publik që nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së”, publikuan OSBE/ODIHR në një raport paraprak për zgjedhjet.
Edhe shoqatat mediatike kanë bërë me dije se fushatat politike nuk duhet të financohen nga buxheti i shtetit, pasi 249 media online janë paraqitur në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për financim shtetëror për reklamat partiake-politike në fushatën zgjedhore.
“Është e dyshimtë se disa prej tyre janë faqe me pronar të panjohur ose pa impressum, portale të sapokrijuara që dyshohet se janë krijuar qëllimisht vetëm për të marrë para për fushatën, si dhe portale që nuk publikojnë informacione me interes më të gjerë publik“, theksuan nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve mediatikë (SHPGPM) dhe Këshillit për Etikën e Mediave në Maqedoni (KEMM).
Të gjithë në harmoni pas parave të shtetit
Sipas Kodit Zgjedhor mjetet nga buxheti për reklama politike të paguara për procesin zgjedhor nuk mund të tejkalojnë shumën prej dy eurosh në kundërvlerë denarësh pa TVSH, për votues të regjistruar. Nëse zgjedhjet presidenciale janë të me dy raunde, për çdo votues të regjistruar ndahet edhe një euro plus në kundërvlerë denarësh. Paratë sigurohen nga buxheti dhe paguhen nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në bazë të faturës së dorëzuar nga transmetuesit, mediat e shkruara dhe mediat elektronike (portalet e internetit) brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve përfundimtare.
Deri më tani KSHZ-ja ka paguar 78 përqind nga obligimet e përgjithshme për reklama politike, ka konstatuar Komisioni Kundër Korrupsionit.
Sipas raportit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, kandidatët Gordana Siljanovska-Davkova dhe Stevo Pendarovski kanë shpenzuar më së shumti para për fushatë, rreth 2,6 milionë euro. Pasojnë Bujar Osmani me 900.000 euro dhe Arben Taravari me rreth 800.000 euro.
Tre kandidatët e tjerë Stevço Jakimovski, Maksim Dimitrievski dhe Biljana Vankovska kanë shpenzuar nga rreth 160 mijë euro.
Personat fizikë kanë të drejtë të bëjnë donacione në vlerë prej 3.000 eurosh në kundërvlerë denarësh.
Me ndryshimin e Ligjit për financimin e partive politike në vitin 2018, partitë kanë paraparë të përfitojnë 4.5 milionë euro nga buxheti i shtetit në vend të 1.8 milionë eurove të deriatëhershme.
Deri në vitin 2016, partitë i paguanin vetë reklamat e tyre zgjedhore nëpër media. Në vitin 2018, në një takim liderësh ku morën pjesë Zoran Zaev, Ali Ahmeti, Hristijan Mickoski dhe Bilall Kasami, u arrit marrëveshje për ndryshime në Kodin Zgjedhor me të cilat shteti do të paguajë reklamat e partive gjatë zgjedhjeve. Për këto ndryshime në Kodin Zgjedhor votuan 101 deputetë.
Sipas hulumtimit të fundit të IRI-t, për dhjetë vite nga viti 2011 deri në vitin 2021, nga buxheti i shtetit partive politike në Maqedoninë e Veriut u janë paguar gjithsej 26.5 milionë euro.