RMV, emërimi i anëtarëve të Këshillit të AShMAA-së, kërkesë e vjetër e BE-së që zvarritet me vite, sot në debat publik

Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet do të diskutojë sot për kandidatët që plotësojnë kushtet pas Vendimit për shpalljen e Konkursit Publik për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive, transmeton Portalb.mk. Gjithsej 24 kandidatë do të “luftojnë” për shtatë vendet e reja në Këshill. Ata tashmë kanë kaluar […]

Nëntor 13, 2024 - 18:00
 0  5
RMV, emërimi i anëtarëve të Këshillit të AShMAA-së, kërkesë e vjetër e BE-së që zvarritet me vite, sot në debat publik
Seanca konstitutive e Kuvendit të RMV-së pas zgjedhjeve parlamentare 2024. Foto: Teuta Buçi/Portalb.mk

Komisioni Parlamentar për Zgjedhjet dhe Emërimet do të diskutojë sot për kandidatët që plotësojnë kushtet pas Vendimit për shpalljen e Konkursit Publik për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizive, transmeton Portalb.mk.

Gjithsej 24 kandidatë do të “luftojnë” për shtatë vendet e reja në Këshill.

Ata tashmë kanë kaluar “filtrin” e Komisionit Parlamentar të Zgjedhjeve dhe Emërimeve, pas së cilës do t’u përgjigjen pyetjeve të deputetëve në një dëgjesë publike.

Në mesin e emrave të kandidatëve është edhe Afrona Vërzivolli, e cila u bë e njohur për publikun pas dështimit të përpjekjes për t’u bërë kryeauditore për fondet IPA në Maqedoni, për shkak se nuk kishte certifikatë të përshtatshme auditimi, ndërsa Antikorrupsioni ka hapur procedurë për rastin.

Ligji ndalon të zgjidhen anëtarë të Këshillit persona që kanë qenë anëtarë të organeve drejtuese të partive politike në 10 vitet e fundit.

Ajo nuk është, por bashkëshorti i saj Adrian Demiri u zgjodh kryetar i degës lokale të Aleancës për Shqiptarët në Likovë muajin e kaluar.

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Këshillit të Agjencisë për Shërbime Mediatike, Audio dhe Audio-Vizuale (AShMAA) dhe Këshillit Programor të RTM-së, zvaritet prej vitesh, për faktin se partitë maqedonase nuk arrinin të gjejnë gjuhë të përbashkët.

Kujtojmë se edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, u kërkua një gjë e tillë, pra të emërohen anëtarë të Këshillit Programor të Transmetuesit Publik dhe Këshillin Rregullator të Medias.

Përveç tjerash, u vlerësua se amandamentet në ligjet për median dhe Kodi Zgjedhor nuk ishin gjithëpërfshirëse dhe prandaj çështjet e shumta të vjetra mbeten të pa adresuara. Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe për këtë arsye mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet të vazhdojë të rishikojë kuadrin ligjor që rregullon median për ta përafruar atë me acquisin e BE-së dhe standardet evropiane, veçanërisht duke futur rregulla për transparencë të plotë në pronësinë dhe reklamimin e medias, konkurrencën dhe ndihmën shtetërore, dhe të drejtat e pronësisë intelektuale, në përputhje me tregun e përbashkët të BE-së; të zbatojë strategjinë për reformimin e Servisit Publik dhe të emërojë Këshillin Programor të Transmetuesit Publik dhe Këshillin Rregullator të Medias.