RMV, fëmijët thithin ajër të ndotur, kopshtet dhe shkollat plot me grimca PM

Ndotja e ajrit në mjediset e klasave nëpër shkolla dhe kopshte është e lartë dhe shumë shpesh mbi kufijtë maksimalë të lejuar për përqendrimet e grimcave PM. Hulumtimi për cilësinë e ajrit në mjediset e mbyllura në Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Kavadar dhe Strugë i realizuar në kuadër të projektit “Përballja me ndotjen e ajrit” të […]

Nëntor 12, 2024 - 12:00
 0  6
RMV, fëmijët thithin ajër të ndotur, kopshtet dhe shkollat plot me grimca PM
Prezantimi i hulumtimit i UNDP-së mbi ndotjen e ajrit. Foto: Meta.mk

Ndotja e ajrit në mjediset e klasave nëpër shkolla dhe kopshte është e lartë dhe shumë shpesh mbi kufijtë maksimalë të lejuar për përqendrimet e grimcave PM. Hulumtimi për cilësinë e ajrit në mjediset e mbyllura në Kumanovë, Gostivar, Strumicë, Kavadar dhe Strugë i realizuar në kuadër të projektit “Përballja me ndotjen e ajrit” të UNDP-së dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor tregon se ndotja e ajrit në mjediset e mbyllura i tejkalon dy herë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Ndotje ka në shkollat ​​dhe kopshtet e të pesë qyteteve dhe ajo sillet nga 40 deri në 80 mikrogram për metër kub, është konstante gjatë gjithë vitit dhe varet më pak nga kushtet e jashtme, siç është rasti me ajrin ambiental.

Rektori i Universitetit “Goce Dellçev”, Dejan Mirakovski, në prezantimin e djeshëm të rezultateve theksoi se ky është një nga hulumtimet e para për cilësinë e ajritmjediset e mbyllura, edhe pse ajri i ndotur në mjediset ku jetojmë, punojmë apo studiojmë është më i rrezikshëm për shëndetin tonë  sesa ndotja e ajrit ambiental. Kjo vlen sidomos për muajt e dimrit kur të gjithë qëndrojnë brenda për një kohë më të gjatë.

“Hulumtimet tregojnë se gjendja me ajrin në mjedise të mbyllura nuk dallon shumë nga ajo me ajrin ambiental. Janë tejkaluar kufijtë e lejuar të përqendrimeve të grimcave të ngurta, që për grimcat PM 2.5 është 25 mikrogramë për metër kub, ndërsa ndotësit e tjerë janë brenda kufijve të pranueshëm. Pozitive është që në mjediset e mbyllura ka më shumë mundësi për tejkalimin e kësaj gjendjeje, si për shembull me ndihmën e sistemeve të ventilimit, pastruesve të ajrit, higjienës më të mirë etj. Është me shumë rëndësi që të merren këto masa sepse mjedisi i shëndetshëm është shumë i rëndësishëm për fëmijët”, tha Mirakovski.

Në periudhën e dimrit, kur ajri ambiental zakonisht është shumë i ndotur me grimca PM, ajri në klasa është më i pastër se jashtë, kjo për shkak të izolimit të mirë dhe efikasitetit energjetik të ndërtesave, por gjatë muajve të verës përqendrimet brenda janë më të larta se jashtë. Në klasat në Strugë vlerat mesatare të grimcave PM 2.5 në dimër kanë qenë mbi 47 mikrogramë, ndërsa në verë mbi 40 mikrogramë. Në Gostivar ndotja e ajrit nëpër klasa ka qenë më e lartë në verë dhe ka qenë deri në 72 mikrogramë, ndërsa në dimër mbi 58, ndërsa në Kumanovë ndotja më e lartë e ajrit në klasa me grimca PM 2.5 ka arritur përqendrime mesatare prej prej 82 mikrogramë në verë dhe 66 në dimër. Në Strumicë ndotja e ajrit nëpër klasa ka qenë pothuajse identike gjatë gjithë vitit. Në verë mesatarisht ka qenë mbi 48 mikrogramë për metër kub dhe 47 në dimër. Në Kavadar vlera e ndotjes me grimca PM 2.5 në ajrin e klasave ka qenë 62, ndërsa në dimër 52 mikrogramë për metër kub.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari bëri të ditur se vitin e ardhshëm qeveria do të investojë për ndryshimin e mënyrës së ngrohjes në dhjetë spitalet që ngrohen me lëndë djegëse fosile, një nga ndotësit më të mëdhenj të ajrit.

“Problemi me ndotjen është i pranishëm në të gjitha qytetet, e veçanërisht në Shkup. Ne po mundohemi të gjejmë zgjidhje, siç është për shembull projekti që do të zbatohet vitin e ardhshëm, e me të cilin do të ndryshojë ngrohja me mazut dhe naftë në dhjetë spitale”, tha Taravari.

Zëvendësministri për politikën sociale, demografinë dhe rininë, Gjoko Vellkovski, u bëri thirrje kopshteve të fëmijëve që një pjesë të mjeteve nga bllok-dotacionet që i marrin t’i përdorin për blerjen e pastruesve të ajrit, por njoftoi se ministria do ta shqyrtojë edhe mundësinë që në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndihmojë për tejkalimin e këtij problemi.

“Duam ta tërheqim vëmendjen për cilësinë e ajrit në mjediset e kopshteve dhe shkollave. Me këtë hulumtim ne i ndihmojmë pesë qytete në vend që të hartojnë plane për përmirësimin e cilësisë së ajrit”, tha Ami Larsson Jain, Ambasadore e Suedisë, financuese e projektit.

Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigoryan, tha se të dhënat të cilat i përmban hulumtimi janë shumë të rëndësishme për ruajtjen e shëndetit të fëmijëve, ndërsa qëllimi i kësaj iniciative është që të fokusohemi drejt një zgjidhjeje jo vetëm për ndotjen e ajrit ambiental, por edhe për ndotjen e ajrit në mjediset e mbyllura.

Kujtojmë se me rastin e Ditës ndërkombëtare të ajrit të pastër, UNICEF-i në Evropë dhe Azinë Qendrore publikoi një dokument të ri për politika, ku thuhet se në vitin 2021 mbi 5.480 foshnja në 23 vende dhe territore në tërë Evropën dhe Azinë Qendrore kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me ndotjen e ajrit.Në Maqedoninë e Veriut, vdekjet e të porsalindurve nga ndotja e ajrit janë 11,6 përqind ose 1 në 9 vdekje të fëmijëve nën moshën njëvjeçare, informoi Zyra e UNICEF-it në Shkup.