Ministria e Kulturës dha afat të ri për përfundimin e Teatrit të Tetovës
Objekti i ri i Teatrit të Tetovës pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2025. Kështu bënë të ditur nga Ministria e Kulturës për Portalbin. Kjo do të thotë se objekti pritet të jetë gati më herët se që kishte premtuar ministrja paraprake e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçeska, që sipas saj objekti do ishte […]
Objekti i ri i Teatrit të Tetovës pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2025. Kështu bënë të ditur nga Ministria e Kulturës për Portalbin. Kjo do të thotë se objekti pritet të jetë gati më herët se që kishte premtuar ministrja paraprake e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçeska, që sipas saj objekti do ishte gati në vitin 2027, shkruan Portalb.mk.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit thekson se sipas kontratës, ndërtimi i godinës pritet të përfundojë në fund të vitit 2025.
Deri më tani është realizuar faza e parë e ndërtimit të objektit deri në fazën e karabinës së mbyllur me fasadë.
“Në vazhdim është faza e dytë e ndërtimit të objektit, për të cilin IN Qendra për Kulturë “Iljo Antevski Smok”-Tetovë ka lidhur marrëveshje. Sipas kontratës, po kryhet kryerja e instalimeve termo-teknike, elektroteknike dhe hidroteknike, pajisjet e skenës, mekanika e skenës, pajisjet audio dhe video, dekorimi i brendshëm dhe punimet ndërtimore-zejtare”, thanë nga Ministria e Kulturës.
Lidhur me ecurinë e punimeve për objektin e ri të teatrit informata nuk kanë as nga drejtoria e Teatrit të Tetovës.
Drejtori i Teatrit të Tetovës Hasim Memishi për Portalb.mk tha se nuk ka asnjë informatë lidhur me objektin e ri pasi të njëjtin e menaxhon Pallati i Kulturës.
“Me kënaqësi do ju jepja informacione, po t’i kisha. Madje ne si teatër nuk kemi asnjë qasje te objekti i ri”, tha Memishi.
Me këtë projekt udhëheq Qendra për Kulturë e Tetovës e cila që prej dy javësh ka udhëheqës detyre drejtor të ri Fatlind Ajetin.
Kontaktuam Ajetin më 6 nëntor për këtë projekt, ai na tha se “në këtë pozitë jam nga java e kaluar në cilësinë e u.d. drejtor, po ashtu nga java e kaluar është hapur konkursi për drejtor të Qendrës për Kulturë dhe unë nuk kam ambicie për të aplikuar”.
Biblioteka edhe Teatri i Tetovës funksionojnë në hapësira të Pallatit të Kulturës, të cilat nuk është se ju ofrojnë kushtet më të mira të punës. Për këtë ata për vite me radhë shprehin pakënaqësitë e tyre e shpesh edhe dëshpërim pasi punimet për këtë objekt zvarriten për vite me radhë.
Ndërkaq vitin e kaluar Biblioteka u zhvendos në hapësira të tjera brenda Pallatit, që shkaktoi përplasje midis Bibliotekës dhe Ministrisë së Kulturës.
Përveç se nevojë e Bibliotekës, objekti është nevojë urgjente edhe e Teatrit të Tetovës, për të cilin aktorët dhe nga ky teatër disa herë tani më kanë sqaruar se mungesa e një objekti ndikon në punën dhe kufizimin e aktiviteteve të tyre.
Kujtojmë se objekti i ri i Teatrit të Tetovës premtohet për 14 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 10 vitet e fundit dhe ende nuk dihet nëse do të përfundojë në afatin e dhënë sepse vazhdimisht afatet kanë ndryshuar dhe punimet janë zvarritur.
Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 15 vite pas premtimit të dhënë.
Ndërtimi i Objektit të Teatrit dhe Bilbiotekës ishte premtuar që më 6 tetor të vitit 2010, kur ministrja e atëhershme e Kulturës, Elizabeta Kançeska-Milevska e prezantoi zgjidhjen ideore për pamjen e teatrit multifunksional, që duhet të ofrojë teatër, kinema dhe bibliotekë.
Gurë-themeli për ndërtimin e këtij objekti u hodh më 28 nëntor të vitit 2014. Punimet janë zhvilluar shumë ngadalë dhe me shumë probleme të cilat Portalb i ka dokumentuar ndër vite.
- LEXO: Qytetarët do të presin edhe katër vite objektin e ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës
- LEXO: Shtyhet përsëri afati për përfundimin e objektit të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, 2027 afati i ri
- LEXO: Premtohet 12 vite, ndërtohet 8, nevojiten dhe 4 vite që objekti i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës të jetë gati