RMV, filloi ndarja e vauçerëve për turizëm prej 18.000 denarë për punëtorët me të ardhura të ulëta
Sipas Programit për mbështetjen e turizmit vendor për punëtorët me të ardhura të ulëta në vitin 2024, nga sot fillon ndarja e vauçerëve – vërtetimeve të pushimeve për punëtorët me të ardhura të ulëta, njoftoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, transmeton Portalb.mk. Ministria e Ekonomisë dhe Punës publikoi listën e personave që aplikuan […]
Sipas Programit për mbështetjen e turizmit vendor për punëtorët me të ardhura të ulëta në vitin 2024, nga sot fillon ndarja e vauçerëve – vërtetimeve të pushimeve për punëtorët me të ardhura të ulëta, njoftoi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, transmeton Portalb.mk.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës publikoi listën e personave që aplikuan dhe përfituan vauçerë sipas thirrjes publike të publikuar në fillim të vitit.
“Aktvendimet për qytetarët të cilët kanë aplikuar dhe i kanë plotësuar kushtet sipas thirrjes publike, janë nënshkruar sipas parimit i pari i ardhur i pari i shërbyer. Vauçerë për pushime për punëtorët me të ardhura të ulëta në kapacitetet turistike vendore me vlerë prej 18.000 denarë, do të marrin 1.777 persona”, deklaroi ministri Durmishi.
Ministria e Ekonomisë dhe Punës do të lëshojë vauçerë-vërtetime për punëtorët me të ardhura të ulëta deri në shterjen e mjeteve të parashikuara nga Programi për mbështetjen e turizmit vendor për punëtorët me të ardhura të ulëta në vitin 2024.
Qëllimi kryesor i kësaj mase është t’u mundësojë personave me të ardhura të ulëta të mund të vizitojnë qendrat e turizmit vendor dhe në të njëjtën kohë të ndihmojë kapacitetet e turizmit vendor për rritjen e vëllimit të punës jashtë sezonit turistik.
Pas ribalancimit të buxhetit, për këtë masë janë paraparë gjithsej 32 milionë denarë për 1777 vauçerë-vërtetime për personat me të ardhura të ulëta që do të mund t’i shfrytëzojnë në një nga qendrat turistike të vendit tonë.
Këto vauçerë mund të shfrytëzohen nga data 15 shtator deri më 1 dhjetor në një nga objektet hotelierike për akomodim që janë regjistruar në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës. Listën e hoteleve dhe personave fituese do të mund ta gjeni në ueb faqen e MEP.
Kujtojmë se në shkurt, u paralajmëruar që këtë vit vauçerët në fjalë të ripërdoret për studentët që vijnë nga familje në nevojë sociale.
Krahas kësaj, ministri Bekteshi dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shakiri zhvilluan takim pune me përfaqësuesit e kuvendeve studentore të disa universiteteve shtetërore, për të përcaktuar kriteret sipas të cilave do të ndahen kuponët për turizmin e brendshëm.
Megjithatë, mesa duket është vendosur që masa të zhvillohet edhe këtë vit, si edhe viteve të tjera, për familjet me të ardhura të ulëta.