RMV, ia dha të porsalindurin një çifti për 4000 euro, më pas ndryshoi mendje – pesë persona nën hetim për trafikim fëmijësh
Pesë persona janë nën hetim nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK) nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të trafikimit të fëmijëve. Mes të dyshuarve është edhe nëna e fëmijës, transmeton Portalb.mk. Sipas prokurorisë, rasti ka filluar në mesin e vitit të kaluar kur dy nga të dyshuarit […]


Pesë persona janë nën hetim nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PNKOK) nën dyshimin se kanë kryer veprën penale të trafikimit të fëmijëve. Mes të dyshuarve është edhe nëna e fëmijës, transmeton Portalb.mk.
Sipas prokurorisë, rasti ka filluar në mesin e vitit të kaluar kur dy nga të dyshuarit dhe një person i panjohur mashkull, pas marrëveshjes paraprake me nënën e dyshuar të fëmijës, e cila në atë moment e mbante në bark, kanë ndërmarrë veprime për adoptimin e paligjshëm të të porsalindurit për një shumë prej përafërsisht 5000 euro.
Dy të dyshuarit, njëri prej të cilëve ishte i regjistruar si kujdestar për fëmijë, vazhdimisht e kishin ndihmuar financiarisht të dyshuarën shtatzënë, e cila përndryshe ishte në gjendje të vështirë financiare, duke mbajtur fëmijën e saj të shtatë. Shtatzënës i paguheshin nga 250 deri në 270 euro për shpenzime mujore dhe organizohej për kontrolle gjinekologjike në Shkup dhe Kumanovë për të monitoruar gjendjen e foshnjës.
Paralelisht e kanë prezantuar atë me çiftin e dyshuar që është dashur ta birësojnë foshnjën në mënyrë të paligjshme.
“Pas lindjes, çifti e çoi atë në një noter ku ajo nënshkroi një deklaratë ku e njihte të dyshuarin kryesor si babanë e të porsalindurit dhe i jepej kujdestaria, duke e lënë vullnetarisht nën kujdesin, edukimin dhe mbështetjen e tyre. Menjëherë më pas çifti i dyshuar i ka paguar 4 mijë euro”, shtoi Prokuroria.
Kur ajo kërkoi t’i kthehej fëmija, i dyshuari i parë refuzoi, duke i ofruar 1000 euro të tjera, duke theksuar se me deklaratën noteriale të nënshkruar, ajo tashmë kishte hequr dorë nga fëmija.
“Duke marrë parasysh rrethanat dhe peshën e veprës së kryer, prokurori publik i Prokurorisë Publike NKOK, gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup i propozoi masa, të cilat gjykata i pranoi dhe caktoi masën e paraburgimit për të dyshuarin e parë dhe gruan që shiti fëmijën, ndërsa tre personave të tjerë iu caktua arrest shtëpiak”, njofton Prokuroria Publike.