RMV, mbikëqyrja e pamjaftueshme e financave për fushatën e zgjedhjeve parlamentare
Qytetarët janë informuar gjatë zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë janë ekspozuar ndaj sloganeve nacionaliste, mangësive legjislative dhe mbikëqyrjes së pamjaftueshme mbi financimin e fushatës, tregon raporti preliminar nga monitorimi i portaleve online në Maqedoninë e Veriut gjatë zgjedhjeve parlamentare, i cili është përgatitur nga Fondacioni Metamorfozis, transmeton Portalb.mk. Hulumtimi vëren se vëzhguesit e zgjedhjeve […]
Qytetarët janë informuar gjatë zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë janë ekspozuar ndaj sloganeve nacionaliste, mangësive legjislative dhe mbikëqyrjes së pamjaftueshme mbi financimin e fushatës, tregon raporti preliminar nga monitorimi i portaleve online në Maqedoninë e Veriut gjatë zgjedhjeve parlamentare, i cili është përgatitur nga Fondacioni Metamorfozis, transmeton Portalb.mk.
Hulumtimi vëren se vëzhguesit e zgjedhjeve janë të pakënaqur me politikën në vend për shkak të ndikimit politik në emërimet institucionale, administratës publike joefikase dhe rasteve të profilit të lartë të korrupsionit.
Në periudhën prej 26 ditësh të monitorimit, në 30 portale online janë publikuar gjithsej 13.645 përmbajtje që kanë të bëjnë me fushatën zgjedhore dhe numri më i madh i artikujve është vërejtur në fillim të fushatës dhe në ditët e fundit të fushatës.
“Tri ditë para fillimit zyrtar të fushatës ka pasur një rritje të ndjeshme të mbulimit, ku numri i artikujve të publikuar është rritur nga 169 në 287 në të gjitha portalet. Një tjetër kulm i pasqyrimit është vërejtur më 18 prill, ditën e fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, me gjithsej 566 artikuj të publikuar ku përmendet aktiviteti parazgjedhor i partive politike”, thuhet në raportin preliminar.
Shumica e mediave që u pasqyruan në monitorim mbuluan kryesisht partitë kryesore që në fund fituan mandate parlamentare dhe partitë më të vogla u mbuluan shumë më pak.
Siç edhe kemi raportuar paraprakisht, sipas po të njëjtit raport preliminar, mediat online shpesh nuk përmbushin standardet profesionale të gazetarisë dhe dëshira për të dhënë shpejt lajmet rezulton në raportim me cilësi të dobët, me njëanshmërinë e medias dhe mungesën e objektivitetit duke u bërë probleme më të zakonshme.