Lufta kundër korrupsionit nuk është e mundur pa digjitalizim dhe siguri kibernetike, tha ministri Andonovski
Në fokus të takimeve në Uashington ishte lufta kundër korrupsionit përmes digjitalizimit të institucioneve, tha ministri i transformimit digjital Stefan Andonovski, i cili ndodhet në një vizitë pune disa ditore në SHBA. Andonovski, për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, tha se për këtë temë ka pasur disa takime bilaterale në Departamentin e Shtetit dhe […]
Në fokus të takimeve në Uashington ishte lufta kundër korrupsionit përmes digjitalizimit të institucioneve, tha ministri i transformimit digjital Stefan Andonovski, i cili ndodhet në një vizitë pune disa ditore në SHBA. Andonovski, për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, tha se për këtë temë ka pasur disa takime bilaterale në Departamentin e Shtetit dhe USAID, duke përfshirë drejtorin e zyrës për Evropën Jugore dhe Lindore Colin Hyland, si dhe me Ndihmës administratorin Jim Hope nga USAID, transmeton Portalb.mk.
“Fokusi i takimeve është lufta kundër korrupsionit përmes digjitalizimit të proceseve në institucione dhe ofrimit të shërbimeve të shpejta për qytetarët. Natyrisht, kjo nuk është e mundur pa sigurinë kibernetike, për të cilën në veçanti u jam mirënjohës projekteve për asistencë teknike të USAID-it në vendin tonë”, deklaroi Andonovski.
Takimet e Andonovskit në Departamentin e Shtetit u përputhën me vizitën e Zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, në Shkup, i cili gjithashtu theksoi mbështetjen e SHBA-ve në luftën kundër korrupsionit.
“Dua të theksoj se mbështetja jonë në luftën kundër korrupsionit është diçka që ne e marrim shumë seriozisht dhe me të cilën merremi në disa mënyra – kemi disa programe, ndërsa për listën e zezë nuk mund të flas në detaje, por është prioriteti ynë”, deklaroi Kasanof.
Ai tha se është e papërshtatshme që ai të fliste për udhëheqjen e re amerikane, por tha se gjatë muajve të mbetur të kësaj udhëheqjeje “ne do të vazhdojmë me përpjekjet dhe politikat tona në raport me Maqedoninë e Veriut”.
Administrata e presidentit Joe Biden në fillim të mandatit shpalli luftë kundër korrupsionit duke thënë se ai është një kërcënim për sigurinë kombëtare, jo vetëm në SHBA, por edhe në mbarë botën.
Presidenti Joe Biden në vitin 2021 nënshkruajti një urdhër ekzekutiv me të cilin parashihej bllokimi pasurisë dhe ndalimi i hyrjes në SHBA për persona të caktuar që kontribuojnë për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, për procedura të cilat, midis tjerash, përfshijnë edhe korrupsionin.
Fushata e Donald Trump përpara se të fitonte zgjedhjet e 5 nëntorit, për Zërin e Amerikës tha se politika e jashtme e Presidentit Trump ndaj Ballkanit Perëndimor do të theksojë partneritetet pragmatike që synojnë stabilitetin, mundësitë ekonomike dhe luftën kundër korrupsionit.
“Shtëpia e Bardhë e udhëhequr nga Trump nuk do të japë thjesht deklarata zemërgjëra për demokracinë. Do të sjellë rezultate reale dhe të përgjegjshme duke punuar drejtpërdrejt me udhëheqësit lokalë dhe njerëzit në rajon”, tha Christos Marafatsos, nënkryetar i Koalicionit Kombëtar të Diversitetit të Presidentit Trump.
Andonovski nuk u takua me bashkëpunëtorë të ngushtë të Trump
Në Uashington, Andonovski mori pjesë edhe në forumin botëror të Unionit Demokratik Ndërkombëtar, ku ndër të tjera fjalim mbajti edhe kongresmeni republikan nga Florida Michael Ëaltz, të cilin Trump e zgjodhi për këshilltar për sigurinë kombëtare.
“Në forumin e Unionit Demokratik Ndërkombëtar ishin të pranishëm edhe një numër i madh i përfaqësuesve të sektorit të biznesit nga SHBA-të, Izraeli, Evropa dhe Australia. Kam pasur rastin të mbaj disa takime të rëndësishme me qëllim të tërheqjes së investimeve në sektorin e teknologjisë informatike në Maqedoni”, deklaroi Andonovski.
Këtë verë, Devin Nunes, Drejtori Ekzekutiv i Trump Media dhe ish kongresmen nga Kalifornia, së bashku me dy biznesmenë të tjerë, ishin në Shkup ku u takuan me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe përfaqësues të qeverisë.
Në komentet e tij publike në atë kohë, kryeministri e përshkroi Nunes dhe një të pranishëm tjetër si “dy nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të ish-presidentit amerikan Donald Trump”.
Andonovski, në një postim në LinkedIn në atë kohë, theksoi marrëveshjet e mundshme të biznesit duke thënë se “potenciali investues i ofruar nga këto kompani lidere në botë mund të revolucionarizojë infrastrukturën tonë digjitale”.
Ai tha se nuk ishte takuar me këtë delegacion tani në Uashington, por shtoi:
“Edhe pse është shumë herët për të folur për kompani dhe afate kohore specifike besoj se në vitin 2025 do të ketë një progres të madh në fushën e investimeve në sektorin digjital, si përmes projekteve shtetërore, por edhe përmes investimeve të reja të aktorëve globalë në këtë sferë. Natyrisht, në këtë drejtim është edhe bashkëpunimi me delegacionin e lartë ekonomik që e vizitoi Maqedoninë gjatë verës, që shpresojmë se do të sjellë rezultate në periudhën që vjen”.
Vitin që vjen faqet e të gjitha ministrive do të mbrohen, nuk do të mund të shiten këpucë kineze përmes tyre.
Ministria e Transformimit Digjital nuk ka ende një uebfaqe. Andonovski tha se procedura e tenderit është në vijim e sipër dhe se pret zgjidhje brenda vitit që vjen.
“Është në proces e sipër një procedurë tenderimi për një kontraktor për këtë projekt dhe shpresoj që pas përfundimit të tij me sukses në fillim të vitit 2025 të kemi zgjidhje ëeb për të gjitha ministritë, duke përfshirë edhe një uebfaqe të re të Ministrisë së Transformimit Digjital”, tha ai, duke shtuar se po punohet për një qasje të përbashkët për të gjitha institucionet qeveritare.
“Duke pasur parasysh përvojën e kaluar ku u sulmuan uebfaqet e qeverisë dhe ministrive kryesore dhe përmes tyre shiteshin këpucë kineze, u desh më shumë kohë për të definuar një proces të krijimit të përbashkët të faqeve të internetit për të gjitha ministritë, të cilat do të mbrohen nën një kupolë të aksesueshme për të gjithë përfshirë personat me aftësi të kufizuara, intuitive dhe të lehta për t’u përdorur”.
- LEXO: Nga e hëna do të fillojë implementimi i planit për përballje me korrupsionin në sistemin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, paralajmëroi Mickoski
- LEXO: “Reago” – mjeti i i ri digjital i qytetarëve në RMV për luftën kundër korrupsionit
- LEXO: U publikua Raporti i progresit për RMV-në: Korrupsioni mbetet shumë i përhapur, ndryshimet kushtetuese duhen bërë