RMV, nuk ka hapa konkrete për përmirësimin e situatës së përzierjes së politikës në gjyqësor
Kritikat dhe rekomandimet e Raportit të progresit të cilin e publikon Komisioni Evropian çdo vit për Maqedoninë e Veriut, hasin në vesh të shurdhër. Kapituj e tituj të tërë për paanshmëri, pavarësi e departizim të institucioneve shtetërore, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, assesi të gjejnë zbatim në praktikë, raporton Portalb.mk. Sa larg jemi […]
Kritikat dhe rekomandimet e Raportit të progresit të cilin e publikon Komisioni Evropian çdo vit për Maqedoninë e Veriut, hasin në vesh të shurdhër. Kapituj e tituj të tërë për paanshmëri, pavarësi e departizim të institucioneve shtetërore, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, assesi të gjejnë zbatim në praktikë, raporton Portalb.mk.
Sa larg jemi nga ajo që rekomandojnë institucionet e Bashkimit Evropian, tregon emërimi i anëtarëve të ri në Këshillin e Prokurorëve Publik? Sipas definicionit “Këshilli i Prokurorëve Publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut është organ i pavarur që siguron dhe garanton pavarësinë e prokurorëve publikë në kryerjen e funksioneve të tyre. Këshilli me punën e tij parandalon çdo ndikim në prokurorinë publike në kundërshtim me ligjin.” Njejtë edhe te Këshilli Gjyësor, paanshmëria dhe pavarësia e tij as që duhet të vëndoset në pikëpyetje. Megjithatë, në vend nuk ka donjë lëvizje pozitive dhe konkrete për të konstatuar se defincioni po zbatohet në praktikë.
Por, çka thotë praktika në Republikën e Maqedonisë në këtë drejtim?
Më 20 dhjetor, anëtarë të ri, të Këshillit të Prokurorëve, por edhe të Këshillit gjyqësor dhanë betimin se do të punojnë për kthimin e besimit në organet e drejtësisë. Mes tyre, u gjendën dhe kuadro partiake.
I pari i kuvendit, Afrim Gashi në njoftimin e tij rreth betimit të anëtarëve të ri shkroi:
“Me këtë rast ata po marrin përgjegjësinë e madhe për sundimin e ligjit. Misioni i tyre është thelbësor për garantimin e pavarësisë dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, si dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Uroj që puna e tyre të sjellë rezultate pozitive, ndërsa detyrën ta bartin me ndërgjegje dhe profesionalizëm për të kontribuar në avancimin e drejtësisë dhe transparencës në vend”.
Anëtari i ri i Këshillit të Prokurorëve Publik, Ardian Demiri zërave se është kuadër i VLEN, respektivisht i Lidhjes Demokratike të Izet Mexhitit, nuk deshi të ju përgjigjet edhe pse fiks para një vitit (në nëntor të vitit 2023) pikërisht nga Izet Mexhiti ishte promovuar si “prurje e re në parti”.
“Nuk komentoj akuza dhe deklarata politike. Siç theksova edhe më herët, unë vijë nga radhët e avokatëve. 20 vitet e fundit ushtroj profesionin avokat me një zyrë time private. Dua të theksoj se për 20 vite nëpërmjet shërbimeve të mia kanë kaluar të rëndësishme kështu që nuk do të kisha komentuar këto akuza”, tha Demiri.
Me profesionalizëm deklarativ u mbrojt edhe anëtarja e re e Këshillit Gjyqësor, Danka Ristova. Ristova është bashkëshortja e kryetarit të Komunës se Radovishit, Aco Ristov, i cili vjen nga radhët e VMRO-DPMNE-së.
“Nëse për opinionin nuk mjafton përvoja ime 34 vjeçare në gjyqësor, nga vullnetare në gjykatës në Gjykatën e Apelit, nuk kam tjetër çfarë të them. Absolutisht jo, ndikimi asnjëherë nuk përjashtohet. Me rëndësi është si ndikohet dhe sa ajo arrin deri te gjykatësi”, u shpreh Ristova.
Rasti më eklatant i akuzave për përzeirje të politikës në gjyqësor është i dorëheqjes së kryetarjes së Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva. Ajo theksoi se në periudhën e kaluar politikanët nga pushteti kanë bërë tentativa për të cenuar integritetin e saj personal. Ajo e drejtoi gishtin nga kryeministri Hristijan Mickoski.
Akuzat për partizimin në Këshillin e Prokurorëve dhe Këshillin Gjyqësor nuk janë ndalur, që do të thotë se në këtë drejtim nuk ka përmirësim, si në sistem juridik ashtu edhe në mendësinë e vepruesve.
Një argument tjetër për mendësinë e politikanëve se “shteti jam unë”, si dhe për përkeqësimin e shtetit ligjor kur partitë politike janë thellë të infiltruarë në gjyqësor është edhe futja e ish kryeministrit Artan Grubi, kuadër i BDI-së dhe gjykatësit Enver Bexhetin në të a.q. Lista e Zezë amerikane. Në njoftimin zyrtar të Departamentit të Shtetit Amerikan thuhet se Grubi dhe gjykatësi i Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti janë të përfshirë në korrupsion në procesin gjyqësor të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim në Maqedoninë e Veriut, kuadër i VMRO-DPMNE-së.
Në analizën e mëparshme të Portalb.mk në lidhje me Raportin e progresit, vërtetohet se nuk ka pasur përparim në gjyqësor gjatë periudhës së përpilimit të raportit vjetor. Në Raport rekomandohet që Këshilli Gjyqësor duhet të përpiqet të mbrojë integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve dhe institucioneve dhe duhet t’i rezistojë çdo ndikimi të jashtëm. Shkarkimi i diskutueshëm i Kryetarit të Këshillit Gjyqësor ngriti shqetësime për ndikim të padrejtë politik.
“Progresi në zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe shërbimet e prokurorisë ishte i kufizuar. Mungesa e masave për të adresuar ndikimin e pensioneve të planifikuara ndikoi në efikasitet. Shumica e gradimeve për gjykatat më të larta u përballën me vonesa të mëtejshme. Vazhdoi puna për përmirësimin e sistemit të automatizuar informativ të menaxhimit të çështjeve gjyqësore për shpërndarjen e lëndëve nëpër gjykata. Një sistem i ngjashëm është futur edhe në Prokurorinë Publike”, thuhet në raport.