Dështoi platforma digjitale ‘Çairi vendos’, komuna arsyetohet se po punohet për platformë të dytë
Platforma ‘Çairi vendos’ nuk është funksionale për qytetarët pavarësisht se ka kaluar më tepër se një vit e gjysmë që nga kur u prezantua. Kjo platformë e cila parasheh përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje tani për tani ka dështuar, edhe pse Komuna e Çairit nuk e pranon të njëjtën me arsyetimin se po punohet për […]
Platforma ‘Çairi vendos’ nuk është funksionale për qytetarët pavarësisht se ka kaluar më tepër se një vit e gjysmë që nga kur u prezantua. Kjo platformë e cila parasheh përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje tani për tani ka dështuar, edhe pse Komuna e Çairit nuk e pranon të njëjtën me arsyetimin se po punohet për një platformë të dytë, shkruan Portalb.mk.
Më 5 korrik të vitit 2023 kryetari i Komunës së Çairit Visar, Visar Ganiu bashkë me zëvendëse shefen e Sektorit për Marrëdhënie me Publikun në Ambasadën e SHBA-së, Augusta Philip, drejtorin ekzekutiv të Democracy Lab, Sefer Selimi dhe përfaqësues të administratës publike e promovuan projektin i cili parasheh kyçje të qytetarëve në vendimmarrjen e komunës.
Kjo platformë nuk arriti të jetësohet në praktikë për qytetarët.
Komuna e Çairit arsyetohet se platforma nuk ka hyrë në funksion se nuk e kanë bërë pranim dorëzmin e platformës.
“Me organizatën ‘Democracy Lab’ platforma ‘Çairi Vendos’ ka përfunduar si projekt, nuk ka hyrë në funksion për arsye se nuk e kemi marrë pranim dorëzimin e platformës, d.m.th platformën e kanë krijuar nga ana e organizatës dhe pasi është përfunduar projekti nuk është bë dorëzimi i platformës në Komunën e Çairit”, thanë nga Komuna e Çairit.
Ata shtuan se ‘Democracy Lab’ platformën e ka të gatshme dhe në rast se ne mund të kenë një marrëveshje me këtë organizatë e njëjta mund të rikthehet në funksion.
Nga ana tjetër, drejtori i organizatës Democracy Lab Sefer Selimi thotë se platforma ishte e gatshme për të funksionuar, mirëpo nga Komuna e Çairit e kanë neglizhuar projektin.
“Gjatë periudhës një vjeçare të implementimit të projektit dhe fazës përgatitore, hasëm në jo konzistencë dhe mungesë responsive nga ana e zyrtarëve komunal. Edhe përskaj intervenimit disa herë nga ana e kryetari të këshillit dhe kryetarit të komunës, administrata dhe sektori për IT ishin vështirë të qasshëm. Me kompletimin e aktiviteteve dhe përgjegjësive tona, platforma u lansua online dhe ishte e gatshme për funksionim të plotë. Me këtë detyrimi ynë u përmbush dhe në baze të marrëveshjes për bashkëpunim Komuna e Çairit e kishte për obligim operimin dhe mirëmbajtjen e së njëjtës”, tha Selimi.
Ai shtoi se edhe përskaj asaj që nuk ishte përgjegjësi e tyre ata u ofruan disa opsione dhe mundësi se si mund ta bënin të njëjtën, por siç thotë Selimi komuna e neglizhoi dhe e la që platforma të shuhet.
Nga ana tjetër Komuna e Çairit thekson se me organizatën ‘Konekt’ po punohet në një projekt të ngjashëm i cili realizohet në kuadër të projektit 5 vjeçar të USAID-it së bashku me disa komuna tjera.
“Jemi në fazë zgjedhimore të projektit dhe në rast se në fund përfundohet në aplikacionin e përbashkët për me më shumë komuna atëherë besojë që është më inklusive dhe më gjithëpërfshirëse në këtë rast, dhe nuk do veçohemi vetëm ne si komunë me platformë tjetër”, shtuan nga Komuna e Çairit.
Edhe pse ‘Çairi vendos’ është jofunksionale, Komuna e Çairit arsyetohet se nuk mund të thuhet se projekti ka dështuar pasi ende nuk është finalizuar projekti i dytë me organizazën ‘Konekt’.
“Në rast se kjo e dyta hy në funksion atëherë e para i bie që është e dështuar dhe i kapemi platformës së dytë. D.m.th me platformë funksionale deri në fund do të jemi por a do të ri aktualizojmë platformën e parë a do jetë funksionale platforma e dytë do mbetët të shohim se si do të zhvillohet projekti sepse është projekt 5 vjeçar nuk është projekt sot për nesër. Me qenë se jemi pjesë e atij projekti mos t’i bëjmë dy gjëra të njëjta”, thanë nga Komuna e Çairit.
Nga organizata ‘Konekt’ theksuan se projekti i USAID-it ‘Bashkohuni për Komunitetin’ zbatohet nga Shoqata ‘Konekt’, në partneritet me Fondacionin Apollonia, Indigo dhe EVN, i njëjti ka filluar të punojë në shtator të vitit 2022 dhe do të zbatohet për 5 vite, pra deri në vitin 2027.
“Përveç se në Çair, projekti zbatohet edhe në Gjevgjeli, Gostivar, Ohër, Strumicë, Shuto Orizarë dhe Manastir. Konekt, si zbatuesi kryesor i projektit, ka nënshkruar Memorandume Bashkëpunimi me të 7 komunat”, thanë nga organizata ‘Konekt’.
Kujtojmë që në shkurt 2024 nga Komuna e Çairit thanë se për shkak ngecjeve teknike ende nuk është vënë në funksion platforma digjitale ‘Çairi Vendos’.