RMV, numri i pacientëve HIV pozitiv po rritet, ndërsa buxheti për ilaçe dhe parandalim po zvogëlohet

Çdo vit në vend, 46 persona sëmuren me HIV dhe 440 po marrin trajtim. Këta pacientë janë të pakënaqur për shkak të mosparashikimit të mjeteve minimale të nevojshme për trajtim dhe parandalim në Programin për Mbrojtjen e Popullsisë nga infeksioni HIV në buxhetin e vitit 2025, transmeton Portalb.mk. Këtë e theksoi sot Andrej Senih nga […]

Nëntor 6, 2024 - 20:00
 0  5
RMV, numri i pacientëve HIV pozitiv po rritet, ndërsa buxheti për ilaçe dhe parandalim po zvogëlohet
Spital, mjek, shërim. Foto nga Portalb.mk

Çdo vit në vend, 46 persona sëmuren me HIV dhe 440 po marrin trajtim. Këta pacientë janë të pakënaqur për shkak të mosparashikimit të mjeteve minimale të nevojshme për trajtim dhe parandalim në Programin për Mbrojtjen e Popullsisë nga infeksioni HIV në buxhetin e vitit 2025, transmeton Portalb.mk.

Këtë e theksoi sot Andrej Senih nga shoqata “Së bashku më të fortë”, në emër të 13 organizatave të shoqërisë civile dhe Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si pjesë e Platformës së organizatave të shoqërisë civile që zbatojnë shërbime për parandalimin e HIV-it. Ai dje ka dërguar një letër drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski si dhe ministrit të Shëndetësisë Arben Tarvari, në të cilën reagon për zvogëlimin e buxhetit për 10 milionë denarë në krahasim me buxhetin e vitit të kaluar për këtë qëllim.

“Jemi të habitur nga mënyra se si buxhetohen fondet për sigurimin e barnave, si dhe për parandalimin dhe testimin e HIV-it, që do të thotë jetë për qindra qytetarë, pa marrë fare parasysh nevojat reale. Ne e konsiderojmë këtë mënyrë të buxhetimit në shëndetësi dhe shëndet publik si një politikë të papërgjegjshme, që nuk i ka hije një vendi serioz. Reagimi ynë ka të bëjë me zvogëlimin, në vend të rritjes së nevojshme, të buxhetit të Programit për HIV në 90 milionë denarë për vitin 2025, gjegjësisht 10 milionë denarë më pak se vitin aktual, gjë që është e palogjikshme duke pasur parasysh rritjen e numrit të pacientëve që do të kërkohet terapi”, thuhet në letër.

Siç shkruan në të, buxheti i Programit për HIV ka qenë 95 milionë denarë në vitin 2018, kur janë trajtuar rreth 200 pacientë me HIV, ndërsa tani parashikohet të jetë më i ulët në vitin 2025, kur numri i pacientëve pritet të tejkalojë 500 persona.

“Për momentin, 90 milionë denarë të planifikuar do të rezultojnë me heqjen e plotë të aktiviteteve për parandalimin dhe zbulimin e HIV-it dhe shkatërrimin e infrastrukturës për parandalim, të krijuar me mjetet e Fondit Global për luftimin e SIDA-s, tuberkulozit dhe malaries n[ periudhën 2005-2017, nën drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë”, paralajmërojnë nga “Së bashku më të fortë”.

Nga atje thonë se me buxhetin e reduktuar do të hiqen në të gjithë vendin shërbimet e skriningut dhe testimit për HIV dhe shërbimet stacionare për HIV, të cilat në vitin 2023 u përdorën nga 1750 përdorues (nga të cilët 35% ishin të rinj), nga grupet në rrezik, nga të cilët nuk arrijnë institucionet shëndetësore, pastaj shërbimet për parandalimin e HIV-it dhe infeksioneve të tjera të transmetueshme nga gjaku dhe seksualisht, përmes të cilave përfshihen rreth 8000 përdorues nga grupet e rrezikuara dhe të margjinalizuara të qytetarëve, për një pjesë të konsiderueshme të të cilave këto shërbime përfaqësojnë qasjen e vetme në kujdesin shëndetësor më elementar.

Do të hiqet edhe klinika mobile gjinekologjike dhe dy qendrat rinore në Vodno dhe Shuto Orizarë, përmes të cilëa vitin e kaluar u përfshinë 1650 persona me analiza për infeksione seksualisht të transmetueshme (sifilis, gonorre, klamidia etj.) dhe Pap test, si dhe gra nga zonat rurale, gra rome, persona me aftësi të kufizuara dhe persona të tjerë vulnerabël ndaj HIV-it, nga të cilët 31% janë të rinj nën 24 vjeç. Heqja e masave parandaluese dhe testimi i synuar do të reflektohet drejtpërdrejt në rritjen e numrit të rasteve me HIV në një periudhë afatshkurtër, por edhe në infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme që diagnostikohen me sukses nëpërmjet këtij Programi.

Kujtojmë se ë shtator, janë raportuar tre raste të konfirmuara me HIV dhe dy me SIDA, të gjithë të gjinisë mashkullore, të grupmoshës 20 deri në 49 vjeç. Sipas të dhënave ekzistuese të rasteve të raportuara, numri i personave të regjistruar me HIV/AIDS në Maqedoninë e Veriut për periudhën 1987-2024 është 680.