RMV, parandalimi i korrupsionit për shtet funksional, çfarë premtojnë partitë politike në fushatë

Marrja e masave për mbështetje të organeve që luftojnë korrupsionin, menaxhimi i resurseve për gjykatat dhe organet e drejtësisë, ndryshimet në Kodin Penal, digjitalizimi institucional dhe hetimi i burimit të pasurisë janë vetëm disa nga propozimet që ofrojnë partitë politike të Maqedonisë së Veriut në sferën e parandalimit të korrupsionit i cili është gjithnjë e më […]

Prill 30, 2024 - 13:00
 0  4
RMV, parandalimi i korrupsionit për shtet funksional, çfarë premtojnë partitë politike në fushatë
Zgjedhjet në RMV, foto ilustrim nga Portalb në Canva

Marrja e masave për mbështetje të organeve që luftojnë korrupsionin, menaxhimi i resurseve për gjykatat dhe organet e drejtësisë, ndryshimet në Kodin Penal, digjitalizimi institucional dhe hetimi i burimit të pasurisë janë vetëm disa nga propozimet që ofrojnë partitë politike të Maqedonisë së Veriut në sferën e parandalimit të korrupsionit i cili është gjithnjë e më i pranishëm në vend. Korrupsioni pengon qasjen në shërbimet publike dhe minon funksionimin adekuat, kështu vlerëson analiza e bërë nga Instituti për Demokraci Societas Civilis – Shkup.  Zgjedhjet parlamentare janë moment i rëndësishëm demokratik që mundëson jetësimin e të drejtës kushtetuese të qytetarit, njashtu kjo ka reflektuar edhe te programet politike të partive dhe koalicioneve, thuhet në analizë, transmeton Portalb.mk.

Partitë garuese në zgjedhjet parlamentare tregohen të gatshme në parandalimin e korrupsionit, por dallojnë nga metodologjitë dhe mënyrat që ofrojnë në programe.

Resurset e nevojshme të institucioneve, ndryshimet në Kodin Penal

Në analizë thuhet se programet zgjedhore parlamentare në RMV, nga partitë dhe koalicionet, vlerësojnë se Maqedonia e Veriut nuk ka resurse të nevojshme preventive ndaj korrupsionit si dhe parashohin ndryshime në Kodin Penal.

“Partitë dhe koalicionet me programet e tyre zgjedhore në zgjedhjet parlamentare, janë të pajtimit që duhet të sigurohen resurse të nevojshme për krijimin e masave preventive ndaj korrupsionit, prania e auditorëve të brendshëm dhe krijimi i një rrjeti koordinativ për mbikëqyrjen e fondeve të BE-së. LSDM-ja në programin zgjedhor parasheh pavarësi të Këshillit Gjyqësor, BDI propozon të sigurohet pavarësi në sistemin gjyqësor, ndërkaq VLEN-i në programin e tyre vlerësojnë se duhet të sigurohen buxhet për pavarësinë e gjyqësorit dhe anti korrupsionit. Digjitalizimi dhe potenciali i teknologjisë rrit kapacitetin funksional të institucioneve. Rrjetëzimi i bazës së informacioneve me institucionet shtetërore, dhe shfrytëzimi i inteligjencës artificiale do të ndihmojë në punën efektive për zbulimin e korrupsionit”, thuhet në analizën e Societas Civilis.

Programet zgjedhore parlamentare parashohin edhe ndryshime në Kodin Penal, edhe atë në pjesën e rritjes së dënimeve.

“Të gjitha partitë pajtohen se duhet të bëhen ndryshime në Kodin Penal,  të rritet afati i vlerësimit të veprave si të vjetra, të rritet shtrirja e sanksioneve, sasia ndaj konfliktit të interesave, korrupsionit, vendosjen e përgjegjësisë penale për korrupsion dhe vendosjen e ndalimi i kryerjes së detyrave zyrtare të politikanëve të korruptuar”, vërejmë më tej në analizë.

Koalicionet në programe zgjedhore ofrojnë edhe metodologji specifike për parandalimin e korrupsionit, si krijimi i oficerëve dhe mbrojtjen e sinjalizuesve.

“Koalicionet e udhëhequra nga LSDM dhe VMRO janë të përkushtuara të vendosin metodologji dhe masa për vlerësimin dhe ndërlidhjen me korrupsion në sektorë specifik dhe institucioni shtetërore. VMRO-ja në programin e saj theks të veçantë vendos mbi krijimin e oficerëve të certifikuar për implementimin e standardeve internacionale, menaxhimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, gjë që do forcoj kapacitetin institucional e luftën kundër korrupsionit, ndërkaq Levica është e fokusuar në ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve e në heqjen e sekreteve bankare”, thuhet në analizë.

Burimi i pasurisë së paligjshme dhe konfiskimi, përmirësimi i kushteve në gjyqësor

Analiza vëren në programet zgjedhore parlamentare se partitë dhe koalicionet janë të pajtimit se duhet hetuar burimi i pasurisë dhe konfiskimi i tyre.

Digjitalizimi ofrohet si opsion alternativ që do mundësoj qasjen ndaj institucioneve dhe parandalojë korrupsionin.

“VMRO-ja  propozon rritjen e proceduarave të ekzaminimit të burimit të pasurisë të ushtruesve të lartë të detyrave publike, LSDM-ja ndërkaq propozon kontroll sistematik të pasurisë, Koalicioni VLEN dhe LEVICA propozojnë futjen e normave të reja legjislative. Programet parlamentare parazgjedhore njashtu theksojnë nevojën për rritjen e efikasitetit për konfiskimin e pasurisë të arritur në mënyrë të pa ligjshme. E dukshme është rëndësia për digjitalizimin dhe modernizimin e gjyqësorit, LSDM, VMRO dhe VLEN propozuan sistem elektronik për mbledhjen e fakteve, evidentimin dhe ndjekjen e lëndëve gjyqësore. Digjitalizimi ndër institucional dhe qasja e qytetarëve në shërbimet publike parandalojnë korrupsionin.”, thuhet në analizë.

Këshilli gjyqësor dhe i Prokurorëve Publikë janë dy institucionet ku vërehet nevoja e reformave urgjente vërehet në analizë, njashtu zgjedhja dhe shkarkimi të realizohet në procedura të përcaktuara qartë.

“Partitë politike theksojnë nevojë për reforma në Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë, njashtu unanimisht pajtohen se duhet vendosur procedura të përcaktuara qartë për zgjedhjen dhe shkarkimin e anëtarëve të këshillave të lartpërmendur“, thuhet në përmbyllje të analizës.

 

Rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 8 maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.