RMV, për një muaj shporta minimale u rrit për 391 denarë dhe këtë muaj është 63.252 denarë
Nga dhjetori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti, vlera e shportës minimale sindikale shënoi rritje prej 391 denarë. Vlera e saj për muajin aktual është 63.252 denarë. Veçanërisht shqetësuese, sipas kryetarit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, është se vlera e ushqimeve dhe pijeve është rritur për të […]
Nga dhjetori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti, vlera e shportës minimale sindikale shënoi rritje prej 391 denarë. Vlera e saj për muajin aktual është 63.252 denarë. Veçanërisht shqetësuese, sipas kryetarit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Sllobodan Trendafilov, është se vlera e ushqimeve dhe pijeve është rritur për të paktën 10 përqind, gjë që ai tha se ishte premtim i tregtarëve për uljen e çmimeve për tu dalë në ndihmë qytetarëve gjatë festave të Vitit të Ri. Rritje prej 123 denarë, siç tha ai, është shënuar në 63 produktet bazë të llogaritura nga LSM në shportën minimale sindikale, transmeton Portalb.mk.
“Ajo që është shqetësuese është se nga fillimi i vitit të kaluar deri në këtë vit, pra në 12 muaj, vlera e shportës në sektorin e ushqimeve dhe pijeve është rritur për 10.43 përqind. Me uljen e fundit të çmimit nga këta tregtarë lakmitarë, rezulton se vlera e shportës në këtë seksion është rritur me të paktën 20 përqind duke pasur parasysh rritjen 10 përqind dhe mos-uljen 10 përqind. Nëse i bashkoni, ne jemi të paktën 20 përqind më të varfër”, tha Trendafilov.
Kryetari i LSM-së theksoi se inflacioni në vend nuk mund të jetë 3,5 përqind, duke qenë se, siç tha, vlera e shportës minimale të llogaritur nga LSM për një vit është rritur për 6.089 denarë, gjegjësisht për 10.65 përqind, gjë që tregon se inflacioni po lëviz shumë mbi 10 përqind.
“Shporta minimale sindikaliste është ndoshta e vetmja e dhënë relevante e llogaritur nga LSM, e cila tregon se pagat duhet të rriten edhe me të paktën 20 përqind duke pasur parasysh se tregtarët në markete gjithmonë i bëjnë të rriten me të paktën 20 përqind. Kërkesa jonë për rritje të pagave, përfshirë edhe pagën minimale, besojmë se mbështetet nga këto analiza që paraqesim”, shtoi kreu i LSM-së.
Trendafilov nuk e përjashtoi mundësinë që LSM në periudhën në vijim të ndërmerr masa më rigoroze për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për veprimet e ndërmarra nga tregtarët, të cilat sipas tij doli të jenë shembull shumë më i keq për ekonominë maqedonase duke pasur parasysh përfitimet enorme vitin e kaluar.
“Këtë vit, LSM-ja do të kujdeset që të nxjerrë të gjitha llogaritë përfundimtare të këtyre zinxhirëve të mëdhenj të marketeve për t’i paraqitur para gjithë publikut që të shohë se si po pasurohen në kurrizin e qytetarëve. Mendoj se në periudhën në vijim është mirë që qeveria, siç ka filluar në shtator, të lëshojë faturat për vlerën e blerjes së produkteve që importohen dhe të tregojë se me çfarë çmimi janë importuar dhe me çfarë çmimi janë shitur”, tha ai.
Ai i bëri apel Qeverisë që të mos konsultohet më me tregtarët për masat që po ndërmerr, në mënyrë që, siç tha ai, në atë mënyrë t’i ndihmojë qytetarët dhe rrjedhimisht të rrisë pagat.
Kujtojmë se në dhjetor të vitit që lam pas, shporta minimale sindikale u rrit për 840 denarë në krahasim me muajin paraprak.