RMV, shpërfytyrohen vajzat me botoks dhe fillera nga “Aliexpress”, mjekët kërkojnë ndryshim të Ligjit për Shëndetin Publik
“Porosisin fillera në “Ali Express” dhe vetëinjektohen në shtëpi”, “Na ka ardhur një paciente me vithe të shpërbëra nga filleri i injektuar”, “Një estetiste e ka udhëzuar pacienten që të injektojë gjysmë doze të fillerit vetë në shtëpi”, janë disa nga përvojat që kirurgët estetikë dhe plastikë i ndanë me gazetarët e Maqednonisë së Veriut […]
![RMV, shpërfytyrohen vajzat me botoks dhe fillera nga “Aliexpress”, mjekët kërkojnë ndryshim të Ligjit për Shëndetin Publik](https://i0.wp.com/portalb.mk/wp-content/uploads/2025/02/pexels-gustavo-fring-3985311.jpg?fit=1024%2C683&quality=89&ssl=1)
![Foto ilustrim nga Gustavo Fring: https://www.pexels.com/photo/woman-getting-a-face-botox-3985311/](https://portalb.mk/wp-content/uploads/2025/02/pexels-gustavo-fring-3985311.jpg)
“Porosisin fillera në “Ali Express” dhe vetëinjektohen në shtëpi”, “Na ka ardhur një paciente me vithe të shpërbëra nga filleri i injektuar”, “Një estetiste e ka udhëzuar pacienten që të injektojë gjysmë doze të fillerit vetë në shtëpi”, janë disa nga përvojat që kirurgët estetikë dhe plastikë i ndanë me gazetarët e Maqednonisë së Veriut në konferencën e sotme për shtyp, shkruan Portalb.mk.
Dr. Igor Peev dhe Dr. Anxhellka Ilieva nga Shoqata e Mjekësisë Estetike (SHME) thanë se Shoqata e tyre, si dhe Shoqata e Kirurgëve Plastikë, Rikonstruktivë dhe Estetikë të Maqedonisë (SHKPREM) dhe Shoqata e Dermatovenerologëve të Maqedonisë, apelojnë se në vendin tonë ka një zbatim të papërshtatshëm të neneve 33 dhe 35 të Ligjit për Shëndetin Publik dhe kanë parashtruar kërkesa që të takohen me Ministrin e shëndetësisë Arben Taravari dhe me Kryetaren e Komisionit për Shëndetësi në Kuvend, Rashella Mizrahi, me qëllim parandalimin e pasojave të dëmshme ndaj shëndetit të qytetarëve.
“Mjekësia estetike është e vetmja degë e mjekësisë në të cilën pacienti është i shëndetshëm dhe vjen vullnetarisht te mjeku. Dhe nuk është në rregull që një pacient me pamje normale të largohet me probleme. Në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive vijnë paciente me pasoja pasi i kanë vetinjektuar fillerë nga “Ali Express”, ose kanë bërë injeksione në sallonet e bukurisë në lagje”, tha Dr Peev.
Dr. Ilieva thotë se filleri hialuronik është një pajisje ndihmëse mjekësore e barabartë me stentin në kardiokirurgji dhe për këtë arsye çdo përdorim i tij nga një person jomjekësor dhe në kushte josterile konsiderohet mjekësi popullore.
“Unë jam mjeke specialiste dhe përsëri nuk e marr guximin të vetinjektoj fillera”, tha ajo.
Neni 33 i Ligjit për Shëndetin Publik thotë: Mjekësia tradicionale dhe komplementare, tatuazhet, pirsingu, grimi i përhershëm, akupunktura dhe aktivitetet e kujdesit për bukurinë, dhe me aktivitetet që depërtojnë në lëkurë, thonë mjekët në letrën drejtuar institucioneve, nënkuptohen procedurat mjekësore që kryhen në shtresat e thella të lëkurës, me pajisje mjekësore që kërkojnë përgatitje mjekësore profesionale, dmth këto mund t’i kryejë vetëm një mjek dermatolog ose kirurg plastik në institucione shëndetësore, dhe jo në lokale dhe sallone bukurie.
“Meqenëse paragrafi 1 i nenit 33 për fat të keq përmban terma të tillë si aktivitete që depërtojnë në lëkurë (tatuazhe, pirsing, grim të përhershëm dhe akupunkturë, përdorim dhe shfrytëzim i botoksit, liposuksion jokirurgjikal dhe përdorim i lazerit), dhe të cilat aktivitete lidhen me përdorimin e pajisjeve mjekësore bëjnë pjesë ekskluzivisht në fushën e mjekësisë, ne si mjekë specialistë çdo ditë përballemi me një numër tejet të madh komplikimesh të shkaktuara tek pacientët nga ana e estetistëve nëpërmjet kryerjes joprofesionale të këtyre aktiviteteve që depërtojnë në lëkurë, të kryera në kushte josterile, me instrumente josterile dhe në fund, me burim të panjohur furnizimi të të gjitha atyre pajisjeve mjekësore me origjinë të panjohur”, thuhet ndër të tjera në letrën e tre shoqatave.
Mjekët janë decid se këto ndërhyrje mjekësore duhet të kryhen vetëm në institucione shëndetësore private dhe publike nga mjekë të trajnuar. Dr. Peev tha se kërkesën për takim me Taravarin dhe Mizrahin e kanë dërguar para dhjetë ditësh dhe se presin të ftohen në takime.