BDI me akuza për diskriminimin e shqiptarëve në strukturat e ushtrisë, VLEN: I kemi trashëguar pozitat e BDI-së

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një reagimi në media janë shprehur të shqetësuar për përjashtimin dhe margjinalizimin sistematik të shqiptarëve nga strukturat kyçe të ushtrisë që siç thotë, shqiptarët janë kufizuar dhe përjashtuar. Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka deklaruar se VLEN-i i ka ruajtur të gjitha pozitat e shqiptarëve në ministrinë e […]

shkurt 11, 2025 - 21:00
 0  4
BDI me akuza për diskriminimin e shqiptarëve në strukturat e ushtrisë, VLEN: I kemi trashëguar pozitat e BDI-së
ARM - Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Foto nga profili zyrtar i ARM-së në Facebook

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim përmes një reagimi në media janë shprehur të shqetësuar për përjashtimin dhe margjinalizimin sistematik të shqiptarëve nga strukturat kyçe të ushtrisë që siç thotë, shqiptarët janë kufizuar dhe përjashtuar. Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari ka deklaruar se VLEN-i i ka ruajtur të gjitha pozitat e shqiptarëve në ministrinë e Mbrojtjes nga koha e BDI-së, shkruan Portalb.mk.

“Shqiptarët në ushtri janë të përjashtuar dhe të kufizuar për vendimet e rëndësishme dhe pozitat strategjike. Margjinalizimi i shqiptarëve nuk ndalet vetëm me përjashtimin e tyre nga pozitat udhëheqëse, por zgjerohet edhe në sistemin e edukimit ushtarak. Është shqetësuese se në vend që të ndihmojnë zgjidhjen e këtij problemi, të zgjedhurit e VMRO-DPMNE-së për të luajtur rolin e “përfaqësuesve shqiptarë” vetëm sa legjitimojnë këtë padrejtësi. Këta politikanë janë të paaftë dhe të paguximshëm për të ngritur zërin kundër këtij diskriminimi të hapur, duke u bërë pjesë e heshtur e margjinalizimit të shqiptarëve”, thuhet mes tjerash në reagimin e BDI-së.

Ministri Taravari, kuadër i VLEN dhe partner i VMRO-DMNE-së në Qeveri, ka përgënjeshtruar akuzat e BDI-së për uljen e përfaqësimit të shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes.

“Ministri i Mbrojtjes më tha, të gjitha pozicionet që i kishte BDI-ja i keni edhe ju. Bile-bile, nuk kam kundër nëse keni njerëz që i plotësojnë kushtet edhe disa tjerë t’i avancojmë. Në Ministrinë e Mbrojtjes atë që e ka pas BDI-ja, ato pozicione, ata janë njerëzit, s’mund t’i ndryshojmë, disa i plotësojnë kushtet, disa jo, të njejtat pozicione i ka VLEN-i. Për këta që shkojnë në misione, atë përqindje që e kishte BDI-ja atë përqindje e merr VLEN-i”, tha Taravari në emisionin “Dialog te Lajmi”.

Siljanovska: Duhet të bëjmë gjithçka për të mbajtur më të mirët dhe më konkurrentët

Akuzat e BDI-së, i ka komentuar edhe presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova. Sipas saj, në vendin tonë deri më tani nuk është aplikuar instituti i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, por vetëm i ashtuquajturi instituti i përfaqësimit proporcional.

“Pohoj me përgjegjësi se në vendin tonë deri më tani nuk është aplikuar instituti i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, por vetëetëm i ashtuquajturi instituti i përfaqësimit proporcional. Cilado qoftë përqindja e pjesëmarrjes në popullatë, kjo duhet të jetë në të gjitha institucionet, është proporcionale, por nuk është e drejtë. Së pari ekspertiza dhe kompetenca, dhe më pas proporcionaliteti, d.m.th., i drejtë dhe adekuat do të thotë që nëse në konkurs aplikojnë persona me të njëjtat cilësi profesionale, përparësi do të ketë ai që ka më shumë përfaqësim. Duhet të bëjmë gjithçka për të mbajtur më të mirët dhe më konkurrentët, të qëndrojmë në shtëpi, të mos ikëm. Prandaj njerëzit tanë më të zgjuar lulëzojnë jashtë dhe vyshken këtu”, tha presidentja.

Kujtojmë se, pas shfuqizimit të “balancuesit”, në Republikën e Maqedonisë nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të etnive. Eksponentë të koalicionit VLEN nëpër daljet e tyre publike zotohen se po punojnë për përpilimin e ligjit të ri, por deri më sot nuk ka asgjë konkrete.