RMV, u arrestua pronari i kompanisë Ritron Kopi në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore

Pronari i kompanisë nga Kumanova Ritron Kopi, Artan Ajruli, është arrestuar si pjesë e një hetimi që autoritetet në Maqedoninë e Veriut janë duke e kryer në rastin e Lotarisë Shtetërore, raporton Radio Evropa e Lirë. Ajruli u arrestua në lidhje me tenderët e pranuar për blerjen e televizorëve për shoqërinë aksionare shtetërore. REL-i më […]

dhjetor 26, 2024 - 20:00
 0  6
RMV, u arrestua pronari i kompanisë Ritron Kopi në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore
Policia e RMV-së, foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Pronari i kompanisë nga Kumanova Ritron Kopi, Artan Ajruli, është arrestuar si pjesë e një hetimi që autoritetet në Maqedoninë e Veriut janë duke e kryer në rastin e Lotarisë Shtetërore, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ajruli u arrestua në lidhje me tenderët e pranuar për blerjen e televizorëve për shoqërinë aksionare shtetërore.

REL-i më 17 dhjetor raportoi se numërimi i pajisjeve të blera është bërë me kërkesë të Policisë Financiare, e cila po heton tenderët për blerjen e televizorëve të dimensioneve të ndryshme nga kompania Ritron Kopi në pronësi të Ajrulit.

Policia financiare ka kontrolluar dërgesat nga kompania e Kumanovës për numrin e televizorëve të dorëzuar dhe nëse ata janë të markave të njëjta për të cilat janë lidhur kontratat.

Katër muaj më parë, hetuesit kontrolluan edhe tenderët e tjerë të Lotarisë Shtetërore për marketing dhe promovim që lidhen me këtë kompani. Vitin e kaluar ishte raportuar se tenderin prej rreth 205 mijë eurosh e fitoi kompania AP Solutions, pronari dhe menaxheri i së cilës, Flamur Nevzatovski, ishte i punësuar në Ritron Kopi. Kjo kompani, në fakt, ishte konkurrenti i vetëm në tender.

Nga analiza e tenderëve, megjithatë, rezultoi se nga janari i vitit 2022, periudhë kur Përparim Bajrami mori postin e drejtorit të përgjithshëm të Lotarisë Shtetërore, fituese e tenderëve u shfaq kompania Ritron Kopi në bashkëshoqëri aksionare.

Ndryshe, Drejtoria e Policisë Financiare sot (26 dhjetor) njoftoi se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër disa personave fizikë dhe juridikë, përfshirë Artan Ajrulin dhe Përparim Bajramin, për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, si dhe për Keqpërdorim të procedurës së prokurimit publik në lidhje me rastin “Lotaria Shtetërore”. Sipas denoncimit, buxheti është dëmtuar për më shumë se 22 milionë denarë.

Kronologji për rastin ‘Lotaria Shtetërore’ 

Me 26 dhjetor, Policia Financiare dorëzoi kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër disa personave fizikë dhe juridikë, përfshirë Artan Ajrulin dhe Përparim Bajramin. Nga ana tjetër po të  njëjtën ditë, Prokuroria nisi hetim.

 23 dhjetor ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski tha se asnjë vend fqinj nuk ka dorëzuar konfirmim në MPB-në e RMV-së nëse Grubi ndodhet në territorin e tyre.

Më 21 dhjetor zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaroi se Artan Grubi ndodhet në Shqipëri, e jo në Kosovë

Më 20 nëntor u pezullua nga puna polici i cili mundësoi arratisjen e Artan Grubit.

Më 20 dhjetor avokati i Grubit Vlladimir Donevski tha se nuk ka bazë për dyshim të kryerjes së veprës penale të parashikuar me ligj.

Më 18 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme lëshoi fletarrest ndërkombëtar për Artan Grubin dhe ish-drejtorin e ‘Lotarisë Shtetërore” Përparim Bajamin. 

Më 17 dhjetor 2024 Prokuroria Themelore Publike në Shkup kërkoi fletarrestim ndërkombëtar për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin. 

Më 17 dhjetor 2024 Gjykata Themelore Penale Shkup u caktoi paraburgim prej 30 ditëve Artan Grubit dhe Përparim Bajramit. 

Më 17 dhjetor 2024 Ministria e Punëve të Brendshme dorëzoi kallëzime penale në Prokurorinë Publike kundër ish-kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Metodija Dimovski dhe ish-drejtorit të Lotarisë së RMV-së Përparim Bajrami dhe pesë personave të tjerë për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorimi i procedurës së shpalljes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publiko-privat”.

Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike në Shkup propozoi paraburgim për Artan Grubin dhe Përparim Bajramin si të dyshuar për rastin ‘Lotaria Shtetërore’. 

Më 16 dhjetor 2024 Policia e RMV-së bastisi shtëpinë e Artan Grubit dhe Përparim Bajramit pas dyshimeve për krim të organizuat në Lotarinë Shtetërore. Asnjëri nga ata nuk u gjetën në shtëpitë e tyre

Më 16 dhjetor 2024 Prokuroria Publike njoftoi se dy persona dyshohen për veprën penale – Përvetësim në detyrë, ndërsa katër persona të tjerë për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar

Më 16 dhjetor 2024 Policia Financiare ka paraqitur kallëzim penal kundër Përparim Bajramit, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit të Lotarisë Shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të “ekzistimit të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar”.