RMV, u arrestuan tre ish-kryetarët e komunës në lidhje me zbardhjen e tragjedisë ku humbën jetën 59 qytetarë

Në rrjedhë është aksioni policor me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Koçani në lidhje me zjarrin që ndodhi në lokalin “Puls”. Sipas informacioneve fillestare që u publikuan nga Sitel, janë arrestuar kryetarët e mëparshëm të Koçanit, Nikollço Iliev, Ratko Dimitrovski dhe Lupço Papazov, transmeton Portalb.mk. Lupço Papazov pas tragjedisë në lokalin “Puls”, ka dhënë […]

Mars 21, 2025 - 03:00
 0  6
RMV, u arrestuan tre ish-kryetarët e komunës në lidhje me zbardhjen e tragjedisë ku humbën jetën 59 qytetarë
Policia e Burgut e RMV-së. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në rrjedhë është aksioni policor me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike në Koçani në lidhje me zjarrin që ndodhi në lokalin “Puls”. Sipas informacioneve fillestare që u publikuan nga Sitel, janë arrestuar kryetarët e mëparshëm të Koçanit, Nikollço Iliev, Ratko Dimitrovski dhe Lupço Papazov, transmeton Portalb.mk.

Lupço Papazov pas tragjedisë në lokalin “Puls”, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të komunës. Ai më 17 mars ishte në bisedë informative në PTHP Koçani.

Dimitrovski ishte kryetar në periudhën 2009-2017, ndërsa Iliev në periudhën 2017-2021.

Policia e Maqedonisë së Veriut sonte (20 mars) po zhvillon aksione policore për arrestimin e të dyshuarve në lidhje me rastin tragjik në diskotekën “Puls”. Prokuroria sqaroi që nesër pritet të ketë detaje në lidhje me aksionin policor.

Në konferencën 19 marsit, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, tha se deri më tani në hetim janë përfshirë 26 persona, por ky numër nuk do të jetë përfundimtar. Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit. Varrimi i tyre është kryer sot (20 mars).