Prej nesër në Shkup do të shtrenjtohet çmimi i ngrohjes

Nga 1 shkurti, banorët e Shkupit do të paguajnë ngrohje më të shtrenjtë për 5,03 përqind. Siç tha sot në një konferencë për shtyp kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimoski, për një amvisëri mesatare në Shkup do të thotë rritje mujore e ngrohjes për 100 denarë, transmeton Portalb.mk. Nëse një familje mesatarisht […]

Jan 31, 2025 - 15:00
 0  4
Prej nesër në Shkup do të shtrenjtohet çmimi i ngrohjes
Ngrohje qendrore, foto nga Portalb.mk

Nga 1 shkurti, banorët e Shkupit do të paguajnë ngrohje më të shtrenjtë për 5,03 përqind. Siç tha sot në një konferencë për shtyp kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), Marko Bislimoski, për një amvisëri mesatare në Shkup do të thotë rritje mujore e ngrohjes për 100 denarë, transmeton Portalb.mk.

Nëse një familje mesatarisht ka pasur kosto mujore prej 2100 denarë për energji termike, tani ajo kosto do të jetë 2200 denarë. Vendimi i KRRE-së do të zbatohet nga 1 shkurti.

Arsyeja kryesore e rritjes së çmimit të ngrohjes, siç tha Bislimoski, është rritja e çmimit të gazit natyror në bursat evropiane në tremujorin e fundit të vitit 2024, si dhe zvogëlimi i pjesëmarrjes së termocentralit TE-TO në sigurimin e nevojave totale të energjisë termike për Shkupin.

“Ky vendim është marrë kryesisht për shkak se çmimet e gazit natyror në bursat evropiane janë në rritje në tremujorin e fundit të vitit 2024 dhe për fat të keq kemi të njëjtin trend në janar dhe shkurt. Vitin e kaluar kur e kemi ditur se do të bjerë gazi e kemi ulur çmimin e energjisë termike për konsumatorët tjerë për 35 përqind, ndërsa gjatë verës kur i hoqëm subvencionet e kemi ulur çmimin për 3 përqind”, tha Bislimoski në konferencën e sotme për shtyp.

Ai ka bërë të ditur se gjatë muajit shkurt do të merret vendim për konsumatorët në Zhelezarë dhe në Autokomandë sepse, siç tha ai, paralajmërime për rritje të çmimit të ngrohjes në atë pjesë të qytetit do të sjellë edhe ngrohja Shkup Veri. Vendimi për këta konsumatorë do të hyjë në fuqi nga 1 marsi.