RMV, viti shkollor përfundoi për nxënësit e shkollave të mesme, filloristët do të mësojnë deri më 17 qershor
Për nxënësit e shkollave të mesme ka përfunduar viti shkollor 2023/2024, ndërsa nxënësit e shkollave fillore, sipas vendimit vjetor për organizimin e mësimit, kanë edhe një javë deri në pushimet verore, transmeton Portalb.mk. “Ligji për arsimin bazë specifikon numrin e saktë të ditëve të punës (180) në arsimin bazë. Ligji për Arsimin e Mesëm nuk […]
Për nxënësit e shkollave të mesme ka përfunduar viti shkollor 2023/2024, ndërsa nxënësit e shkollave fillore, sipas vendimit vjetor për organizimin e mësimit, kanë edhe një javë deri në pushimet verore, transmeton Portalb.mk.
“Ligji për arsimin bazë specifikon numrin e saktë të ditëve të punës (180) në arsimin bazë. Ligji për Arsimin e Mesëm nuk përcakton detyrim ligjor për numrin e saktë të ditëve të punës. Të gjitha vendimet merren në konsultim me të prekurit. Sindikata e nxënësve të shkollave të mesme ka kërkuar që me përjashtim të pushimeve pranverore, për shkak të procedurave administrative të regjistrimit të fëmijëve në arsimin e lartë, arsimi i mesëm të përfundojë në 10 qershor. Ligji e ka lejuar dhe ne kemi vepruar këtu”, tha para dy muajsh ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri.
Për herë të parë këtë vit, nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme patën pushim pranveror nga data 29 prill deri më 6 maj 2024.
Maturantët në dy të shtunat e kaluara i janë nënshtruar dy provimeve eksterne nga provimi shtetëror i maturës dhe rezultatet duhet të presin më së voni deri më 8 korrik.
Nga ana tjetër, gjysmëmaturantët do të regjistrohen në arsimin e mesëm këtë muaj. Paraqitja dhe regjistrimi i nxënësve në periudhën e regjistrimit të qershorit do të bëhet në dy regjistrime. Sipas konkursit për regjistrim në arsimin e mesëm, regjistrimi i parë elektronik do të bëhet nga data 20 deri më 25 qershor dhe i dyti më 1 dhe 2 korrik.
Aplikimi është elektronik përmes linkut në portalin për shërbime elektronike të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.