Rokas: Ka aktivitet diplomatik intensiv për integrimin evropian të RMV-së
Ambasadori evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, deklaroi se si delegacion i BE-së do të fokusohen në ndihmën e Maqedonisë së Veriut në realizimin e reformave për anëtarësim në Union, duke theksuar se ka një moment të madh në procesin e zgjerimit, i cili, tha ai, duhet të përdoret, transmeton Portalb.mk. “Ka një qeveri […]


Ambasadori evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas, deklaroi se si delegacion i BE-së do të fokusohen në ndihmën e Maqedonisë së Veriut në realizimin e reformave për anëtarësim në Union, duke theksuar se ka një moment të madh në procesin e zgjerimit, i cili, tha ai, duhet të përdoret, transmeton Portalb.mk.
“Ka një qeveri të re në Bullgari, ky është fakt dhe ne kemi parë mesazhet e shkëmbyera për urime për qeverinë e re, ne e mirëpresim këtë. Nga ana jonë, si delegacion i BE-së, do të fokusohemi të ndihmojmë vendin në zbatimin e reformave. Siç thashë, ka një moment të madh dhe një mundësi të madhe në procesin e zgjerimit, ai moment duhet të përdoret”, tha Rokas, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse pas zgjedhjes së qeverisë së re në Sofje, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria pritet të ulen në tavolinë për zgjidhjen e problemit dhe nëse BE-ja do ta gjente veten në rolin e ndërmjetësit në atë proces.
Ambasadori evropian Rokas kujtoi se ka një aktivitet diplomatik intensiv për integrimin evropian të vendit.
“Kryeministri ka qenë tashmë dy herë në Bruksel në dhjetor, kështu që për momentin ka një aktivitet të fortë diplomatik, megjithatë, paralelisht me këto përpjekje diplomatike për të kapërcyer çështjen me Bullgarinë, fokusi ynë do të jetë në zbatimin dhe realizimin e reformvet që burojnë edhe nga Agjenda e Reformës që u miratua së fundmi nga qeveria juaj”, theksoi ambasadori evropian.
Për sa i përket pritshmërive për Ballkanin Perëndimor me hyrjen e administratës së re amerikane, Rokas thotë se çdo iniciativë për të çuar përpara rrugën drejt BE-së është e mirëpritur. Ai nuk deshi të komentojë vizitën e kryeministrit Hristian Mickoski në SHBA, por theksoi se Shtetet e Bashkuara janë një bashkëpunëtor dhe partner shumë i rëndësishëm i vendit dhe se çdo iniciativë që vjen nga ana tjetër e Atlantikut, me qëllim për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të vendit, është më se e mirëpritur.
Euroambasadori edhe në seancën e përbashkët të Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane dhe Komisionit Parlamentar për Çështje Evropiane në Kuvend, në rendin e ditës së të cilit ishte Raporti i Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024, tha se të gjitha partitë politike duhet të kontribuojnë vazhdimisht në forcimin e rolit të Kuvendit si forum për dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në drejtim të përshpejtimit të reformave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se duhet shfrytëzuar vrullin e favorizimit të Komisionit Evropian ndaj vendit tonë, siç tha ai, për të nisur negociatat për anëtarësim në Union.
- LEXO: Rokas: Ka interes të madh dhe vullnet të mirë ndaj RMV-së për hapjen e kapitullit të negociatave
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.
Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.
Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.
Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.
Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.