Dëshmitari Goce Trajkovski nga rasti i vrasjes së Vanjës është vetëdorëzuar në polici

Goce Trajkovski, një nga dëshmitarët kyç në rastin e rrëmbimit dhe vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi, i cili dyshohet se i vuri zjarrin një restoranti në Kisella Vodë të Shkupit dhe i cili ishte në arrati, është vetëdorëzuar sot në polici, transmeton Portalb.mk. “Personi Goce Trajkovski sapo është paraqitur vetë […]

Jan 23, 2025 - 20:00
 0  4
Dëshmitari Goce Trajkovski nga rasti i vrasjes së Vanjës është vetëdorëzuar në polici
Policia e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Goce Trajkovski, një nga dëshmitarët kyç në rastin e rrëmbimit dhe vrasjes së 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi, i cili dyshohet se i vuri zjarrin një restoranti në Kisella Vodë të Shkupit dhe i cili ishte në arrati, është vetëdorëzuar sot në polici, transmeton Portalb.mk.

“Personi Goce Trajkovski sapo është paraqitur vetë në Stacionin Policor Kisella Vodë”, njoftojnë nga MPB.

Trajkovski është dashur të paraqitet në seancën për rastin Vanja dhe Pançe më 15 nëntor të vitit të kaluar, por nëna e tij, Kiraca Trajkovska, i tha gjykatësit se nuk mund të paraqitet në seancë për arsye shëndetësore – ka pasur sulm paniku dhe presion të lartë të gjakut.

Sipas dëshmive të deritanishme të dëshmitarëve të rastit, Trajkovski dhe babai i vajzës së vrarë 14-vjeçare, Aleksandar Gjorçevski, kanë zhvilluar hetim paralel me atë të policisë pas zhdukjes së Vanjës. Ata mblodhën dhe panë pamjet nga kamerat e vëzhgimit nga ambientet përreth ku lëvizte vajza.

Më 11 dhjetor të vitit të kaluar, në një brifing në Prokurorinë Publike, u bë e ditur se Goce Trajkovski dyshohet se i ka vënë zjarrin një lokali në Kisella Vodë të Shkupit dhe se është në arrati. Ngjarja për të cilën dyshohet, ka ndodhur dy ditë para seancës së caktuar, në të cilën ai nuk është paraqitur me arsyetimin se ka probleme shëndetësore.

Trajkovski nuk u sigurua as në seancën e fundit për rastin e vrasjes së dyfishtë. Ai, siç informoi gjyqtari në seancën e tre ditëve më parë, nuk është gjetur në adresën e tij nga policia.

Duke u bazuar në këtë rrethanë, prokurorja Zhaklna Kërstevska-Josifovska, e cila përfaqëson prokurorinë, tha se mbetet i qëndrimit që Trajkovski të merret në pyetje para gjykatës dhe se deklarata e tij e dhënë në Prokurori gjatë hetimeve të mos lexohet për momentin.

Gjykimi për këtë rasti filloi më 20 shtator. Të dyshuar për këtë rast janë edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov, Ljupço Palevski-Palço dhe Aleksandar Gjorçevski, E mitura Vanja Gjorçevska, e cila ishte raportuar e zhdukur më 27 nëntor, u gjet e vdekur në afërsi të Shkupit më 3 dhjetor, kur në afërsi të Velesit u gjet i vdekur edhe Pançe, me origjinë nga Velesi, i cili, nga ana tjetër, u raportua i zhdukur më 24 nëntor. I dyshuari kryesor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit është Ljupço Palevski-Palço, i cili më 15 maj u ekstradua nga Turqia në vend, ku u gjet dhe u arrestua pas fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet maqedonase përmes Interpolit.