“Rrjeti Stella”: Gratë kanë mundësi të kufizuara për punësim dhe për të krijuar biznesin e tyre
Mungesa e qasjes në rrjetet e mentorimit dhe profesionale, mundësitë e kufizuara për trajnim dhe zhvillim, ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm për masat ekzistuese dhe pengesat burokratike në procesin e aplikimit, mungesa e mbështetjes së përshtatur për nevojat specifike të grave. Këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohen gratë në Maqedoni, kur janë të […]
Mungesa e qasjes në rrjetet e mentorimit dhe profesionale, mundësitë e kufizuara për trajnim dhe zhvillim, ndërgjegjësimi i pamjaftueshëm për masat ekzistuese dhe pengesat burokratike në procesin e aplikimit, mungesa e mbështetjes së përshtatur për nevojat specifike të grave. Këto janë vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohen gratë në Maqedoni, kur janë të punësuara dhe kur përdorin masa aktive për punësim dhe/ose fillimin e biznesit të tyre, tregon analiza e Shoqatës për mundësi të barabarta “Rrjeti Stella”, në kuadër të projektit “Avokimi për fuqizim ekonomik të grave: Qasje e barabartë në mundësitë e fuqizimit financiar”, transmeton Portalb.mk.
Në dokumentin e politikave “Ura e hendekut në fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave në Maqedoninë e Veriut: mundësitë e disponueshme, masat, sfidat dhe rekomandimet”, thuhet se gratë në Maqedoninë e Veriut kanë shkallë më të lartë të papunësisë, veçanërisht ato nga zonat rurale, ndërsa 18.634 gra rurale në vendin tonë janë numri më i madh i punonjësve të papaguar në vitin 2021.
“Gratë janë të angazhuara kryesisht në sektorë që kanë paga më të ulëta dhe më pak mundësi për zhvillim profesional. Ka dallime të mëdha në paga mes burrave dhe grave, edhe për të njëjtat pozicione dhe të njëjtat kualifikime. Është e nevojshme të prioritizohen nevojat individuale dhe specifikat e grave dhe vajzave, nevojiten masa të thjeshta dhe të kuptueshme, të shoqëruara me një proces të thjeshtë aplikimi dhe asistencë adekuate mentorimi, më pas, promovimi i kushteve fleksibël të punës, inspektimet e forcuara dhe zbatimi i rregulloreve ligjore, stimujt financiarë për hapjen e kompanive që punësojnë gra”, thotë Natasha Dimova, kryetare e “Rrjetit Stella” dhe bashkëautore e dokumentit.
Krahas fushatave publike, nevojitet një qasje sistematike për të kapërcyer stereotipet gjinore, paragjykimet dhe mirëkuptimet patriarkale, si dhe një reformë e sistemit arsimor në drejtim të promovimit të programeve për zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe inkurajimit të vajzave që të përfshihen edhe në STEM.
“Duhet të vendoset edhe ekzistimi i programeve më të gjata të mentorimit, të investohet në infrastrukturë për kujdesin e fëmijëve dhe të moshuarve”, shtoi ajo.
Qëllimi i këtij projekti është të bëjë strategji afatgjata për përmirësimin e situatës së grave dhe vajzave në punësim dhe lehtësimin e sfidave me të cilat përballen në vendin e punës, si dhe prezantimin e mundësive dhe udhëzimeve të barabarta për përdorimin e politikave ekzistuese dhe përmirësimin e atyre aktuale. Projekti mbështetet nga Fondacioni Suedez Kvinna till Kvinna, i zbatuar nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.
Kujtojmë se do të fillojë të zbatohet projekti ndërkombëtar i titulluar “Identifikimi i shkaqeve të papunësisë afatgjatë të grave të moshuara në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi”, koordinatore e të cilit është profesoresha Aleksandra Lozanoska nga Instituti Ekonomik. Siç informoi ajo, projekti zbatohet në kuadër të programit “Visegrad+Grants (2xV4 + 2xWB6/EaP)”, si pjesë e thirrjes për grante të veprimit për vitin 2024, në fushën e Politikave Publike dhe Partneriteteve Institucionale.