Rruga eurointegruese e RMV-së gjatë vitit 2024 me diplomaci të tensionuar, vendi ngeli pas Shqipërisë
Gjatë vitit 2024, rruga eurointegruese e Maqedonisë së Veriut është karakterizuar nga dinamika të reja politike dhe diplomaci intensivisht të tensionuar, sidomos pas gjysmës së dytë të vitit. Qeveria e kaluar kishte ndjekur një qasje të fokusuar në plotësimin e kushteve të BE-së, përfshirë ndryshimet kushtetuese për njohjen e pakicës bullgare, një kërkesë që shkaktoi […]
Gjatë vitit 2024, rruga eurointegruese e Maqedonisë së Veriut është karakterizuar nga dinamika të reja politike dhe diplomaci intensivisht të tensionuar, sidomos pas gjysmës së dytë të vitit. Qeveria e kaluar kishte ndjekur një qasje të fokusuar në plotësimin e kushteve të BE-së, përfshirë ndryshimet kushtetuese për njohjen e pakicës bullgare, një kërkesë që shkaktoi tensione të brendshme politike dhe shoqërore. Megjithatë, qeveria paraprake nuk i kishte numrat për t’i bërë ndryshimet kushtetuese, ndërsa zgjedhjet parlamentare ishin në prag. Më 8 maj, partia në pushtet LSDM, pësoi debakël, duke humbur në të dy palë zgjedhjet, presidenciale dhe parlamentare. Pas ardhjes në pushtet të Hristijan Mickoskit dhe qeverisë së re, u propozua një strategji ndryshe. Mickoski deklaroi synimin për të ndryshuar Kornizën Negociuese të BE-së për të kufizuar kërkesat bilaterale dhe për të shtyrë zbatimin e ndryshimeve kushtetuese deri pas anëtarësimit të plotë. Ky propozim sipas tij, synon të mbrojë sovranitetin kombëtar, por gjithashtu ka krijuar një situatë të pasigurt për marrëdhëniet me Brukselin. Nga ana tjetër, Shqipëria e cila ishte në të njejtën pozitë si RMV-ja, eci përpara duke hapur negociatat me BE-në, raporton Portalb.mk.
Ndikimi i ndryshimit të pushtetit në eurointegrime
Në maj 2024, Maqedonia e Veriut kaloi përmes një periudhe të rëndësishme politike. Pas humbjes së partisë LSDM (Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë) në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, partia VMRO-DPMNE, nën drejtimin e Hristijan Mickoskit, mori pushtetin. Ky ndryshim ndikoi në politikat e eurointegrimeve, pasi Mickoski kishte propozuar ndryshime të mundshme në Kornizën Negociuese të BE-së, me qëllim të kufizimit të kërkesave bilaterale dhe shtyrjes së ndryshimeve kushtetuese për një periudhë të mëvonshme, pas anëtarësimit të plotë në BE. Ky propozim shkaktoi tensione me Brukselin, që kërkonte një qasje më të shpejtë dhe të qartë për përmbushjen e kushteve të BE-së.
Përplasjet me Bullgarinë
Një nga pengesat kryesore për avancimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit është marrëdhënia me Bullgarinë. Bullgaria ka kërkuar ndryshime kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, për të njohur Bullgarët si pakicë kombëtare. Kjo kërkesë ka shkaktuar tensione të brendshme dhe një situatë të pasigurt për marrëdhëniet e Maqedonisë me BE-në, pasi Bullgaria ka përdorur këtë çështje si një mjet për të bllokuar avancimin e procesit të integrimit të Maqedonisë. Në mars 2024, Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë thirri ambasadorin e Maqedonisë së Veriut për të diskutuar deklaratat e bëra nga politikanët maqedonas, të cilët kritikuan kërkesat e Bullgarisë për ndryshime kushtetuese.
Tensionet midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë vazhdojnë edhe në fund të vitit 2024, duke përfshirë këtu demantimet e presidentit Bullgar Rumen Radev të deklaratave të Gordana Siljanovska-Davkovs. Duke komentuar deklaratën e presidentes së RMV-së se zgjidhja dalëse për mosmarrëveshjen me Bullgarinë janë ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar, ai tha se ajo si juriste e mirë, e di shumë mirë se obligimet e marra nga marrëveshjet ndërkombëtare thjesht duhet të respektohen.
Një ndër rast tjetër që përshkallëzoi situatën me ardhjen e qeverisë së re në pushtet ishte edhe deklarata e ministrit Aleksandar Nikolloski, i cili tha se kërkojnë që paratë për hekurudhën drejt Bullgarisë të ridedikohen për hekurudhë të shpejtë në Korridorin 10.
Marrëdhëniet me Greqinë
Një tjetër aspekt i rëndësishëm për rrugën e integrimit të Maqedonisë është marrëveshja me Greqinë, e arritur në vitin 2018, e njohur si Marrëveshja e Prespës, e cila ka zgjidhur çështjen e emrit të Maqedonisë së Veriut dhe ka mundësuar heqjen e bllokadës greke për anëtarësimin në NATO dhe BE. Megjithatë, tensionet me Greqinë janë ringjallur në vitin 2024, kur presidentja e re e Maqedonisë, Gordana Siljanovska-Davkova, refuzoi të përdorte emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut” gjatë ceremonisë së betimit. Ky veprim shkaktoi një reagim të ashpër nga Greqia, e cila e konsideroi këtë një shkelje të Marrëveshjes së Prespës. Megjithatë, Siljanovska-Davkova dhe kryeministri Mickoski thanë se do të respektonin marrëveshjen, por kërkuan që edhe Greqia të respektonte angazhimet e saj.
- LEXO: Mickoski: Qeveria e ardhshme do ta respektojë në detaje “Marrëveshjen e Prespës”, të njëjtën ta bëjë edhe Greqia
- LEXO: Pasi bëri bujë me emrin e shtetit, presidentja Siljanovska Davkova thotë se do ta respektojë emrin kushtetues të RMV-së
Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut
Ambasadorët e vendeve të BE-së një zëri vendosën të fillojnë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në BE. Kjo ndodhi më 15 tetor në Luksemburg, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare “BE-Shqipëri”. Ky vendim solli ndarjen e Shqipërisë nga Republika e Maqedonisë së Veriut.
Mediat bullgare madje raportuan se Maqedonia e Veriut nuk ishte fare në agjendën e takimit të ambasadorëve, kur u mor vendimi për ecjen përpara të Shqipërisë. Ndërsa Greqia vuri në dukje se Shqipëria ka zgjidhur mosmarrëveshjet me të. Dhe për këtë u vendos që të niseshin negociatat me Tiranën.
- LEXO: Shqipëria më 15 tetor do të hapë kapitujt, ndahet nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së
- LEXO: Shqipëria filloi bisedimet qasëse në Bashkimin Evropian, po hapen bisedimet për kapitujt e “themeloreve”
Mickoski vendimin e komentoi se po dërgohet një mesazh i keq për qytetarët e Maqedonisë. Asnjë vend, vlerësoi kryeministri, nuk ka bërë më shumë gjëra se ne në dy dekadat e fundit që nga fillimi i rrugës drejt anëtarësimit të plotë në Union, dhe të cilat nuk kanë asnjë lidhje me kriteret e Kopenhagës.
Kërkesat e BE-së dhe procesi i reformave
Bashkimi Evropian ka vënë kërkesa të qarta për Maqedoninë e Veriut, përfshirë reformat në sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Raporti i progresit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut në vitin 2024 ka vlerësuar përkushtimin e vendit për të përmbushur këto kritere, por ka theksuar se janë ende shumë sfida, përfshirë korrupsionin dhe nevojën për përmirësimin e sistemit gjyqësor. Megjithatë, ndryshimet kushtetuese që kërkohen nga Bullgaria janë një nga pengesat kryesore për avancimin e Maqedonisë në bisedimet për anëtarësim në BE.
Në këtë kontekst, BE-ja ka bërë të qartë se nuk mund të ketë përparim në procesin e integrimit pa përmbushjen e kushteve të caktuara, përfshirë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të lidhura me njohjen e pakicës bullgare. Disa zyrtarë të BE-së, si komisioneri Oliver Várhelyi dhe ish-euroambasadori David Geer, kanë theksuar se procesi i integrimit të Maqedonisë së Veriut është në një moment delikat dhe se kërkohet angazhim i plotë politik dhe implementim i reformave.
Në vitin 2024, Maqedonia e Veriut miratoi një Agjendë të rëndësishme reformuese, e cila synon të adresojë sfidat kryesore socio-ekonomike dhe të përmirësojë konvergjencën me Bashkimin Evropian. Kjo agjendë u miratua më 23 tetor dhe përfshin një sërë masash për të përmirësuar sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit dhe për të forcuar institucionet demokratike.
Agjenda Reformuese është një pjesë kyçe e përpjekjeve të vendit për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE dhe për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social. BE-ja do të monitorojë zbatimin e kësaj agjende dhe do të vendosë për ndarjen e fondeve në bazë të përparimit të arritur.
Partnerët e koalicionit me qëndrime të kundërta
Qëndrimet e kundërta midis VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN për ndryshimet kushtetuese janë shumë të qarta. Krerët e koalicionit VLEN, janë shprehur disa herë se ndryshimet kushtetuese do të bëhen. Madje kreu i ASh-së, Arben Taravari tha se ndryshimet kushtetuese mund të fillojnë nga dhjetori
“Të jemi plotësisht të sinqertë, problemi nuk është fare nëse bullgarët do të jenë në Kushtetutë, kjo nuk është problem, ne ishim që egjiptianët dhe kroatët të ishin në preambulë. Nuk është kjo pengesë, pengesa është problemi historik midis Bullgarisë dhe Maqedonisë. Dhe është e gjithë kjo që nuk shkon mirë dhe e bën të pamundur zhvillimin e negociatave. Mendoj se pas zgjedhjeve në Bullgari dhe zgjedhjeve në SHBA, mendoj se do të gjendet një zgjidhje që do të jetë një rrugëdalje për Maqedoninë nga ky ngërç. Mendoj se ndryshimet kushtetuese do t’i fillojmë nga dhjetori”, theksoi Taravari.
VMRO-DPMNE nga ana tjetër mendon se ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen, por me efekt të vonuar, duke i liruar kështu vendin për të përfunduar procesin e anëtarësimit në BE përpara se të bëhen ndryshime të mëdha në kushtetutë.
Këto deklarata tregojnë se ekzistojnë ndryshime të qëndrueshme në pikëpamjet e afatit për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese midis partnerëve të koalicionit.
- LEXO: Taravari: Mendoj se ndryshimet kushtetuese do t’i fillojmë nga dhjetori
- LEXO: Mickoski: Jemi të gatshëm të bisedojmë me Bullgarinë për ndryshime kushtetuese me veprim të mëvonshëm
- LEXO: Mickoski kërkon ndihmë për rrugën eurointegruese, Von der Leyen: Zbatoni ndryshimet kushtetuese
Pritshmëritë për të ardhmen
Në vitin 2024, Maqedonia e Veriut është përballur me një udhëkryq. Ndërkohë që ka një angazhim të dukshëm për të vazhduar procesin e integrimit në BE, tensionet me Bullgarinë dhe Greqinë, kërkesat për ndryshimet kushtetuese, dhe mospajtimet brenda politikës maqedonase janë pengesa të mëdha. Megjithatë, Brukseli ka theksuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit për të zgjidhur këto çështje, ndërsa ka paralajmëruar se çdo vonesë mund të dëmtojë perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Në këtë kuadër, për Maqedoninë e Veriut, vitet e ardhshme do të jenë vendimtare për të konsoliduar pozitat e saj dhe për të realizuar angazhimet për reformim dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët, të cilat janë kritike për rrugën e saj eurointegruese.
Me fjalë tjera, mund të konsiderojmë se viti 2024 nuk është se ka pasur ndonjë përparim sa i përket integrimeve evropiane, madje kishte ngecje nëse e krahasojmë me ecurinë e Shqipërisë. Edhe viti 2023 nuk është se ishte një vit tejet i suksesshëm, pasi ndryshimet kushtetuese duhej të përfundonin deri në fund të vitit dhe me këtë Maqedonia e Veriut të fillonte zyrtarisht hapjen e kapitujve dhe mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare. Por kjo nuk ndodhi. Megjithatë, pati një hap suksesi me përfundimin e procesit të skriningut, i cili është i rëndësishëm që çdo vend kandidat e kalon me synim për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Vendit iu deshën rreth 14 muaj për të përfunduar procesin e nisur në shtator të viti 2022. Megjithatë, në fakt rruga më e rëndësishme dhe vendimtare sapo ka filluar dhe ajo është miratimi i ndryshimeve kushtetuese, që në këtë fazë vështirë se mund të ndodhin.