Rruga Zhelinë – Siriçinë plot deponi, Komuna e Zhelinës nuk i pastron por përgjegjësinë e hedh te komshitë

Përgjatë rrugës rajonale Zhelinë – Siriçinë (Komuna e Jegunovcës) gjenden disa deponi me mbetje të ndryshme, më e madhja ndodhet mbi Kazermën në Zhelinë. Pavarësisht thirrjeve të banorëve për pastrim, Komuna e Zhelinës arsyetohet se kjo deponi nuk bie në territorin e tyre, që nuk është kështu, shkruan Portalb.mk.  Deponia më e madhe dhe me […]

maj 4, 2025 - 12:00
 0  5
Rruga Zhelinë – Siriçinë plot deponi, Komuna e Zhelinës nuk i pastron por përgjegjësinë e hedh te komshitë
Deponia në Komunën e Zhelinës (Rruga Shemshovë-Zhelinë). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (prill 2025)

Përgjatë rrugës rajonale Zhelinë – Siriçinë (Komuna e Jegunovcës) gjenden disa deponi me mbetje të ndryshme, më e madhja ndodhet mbi Kazermën në Zhelinë. Pavarësisht thirrjeve të banorëve për pastrim, Komuna e Zhelinës arsyetohet se kjo deponi nuk bie në territorin e tyre, që nuk është kështu, shkruan Portalb.mk. 

Deponia më e madhe dhe me mbetje të ndryshme ndodhet mbi Kazermën në Zhelinë, e njëjta është pastruar mirëpo përsëri është krijuar nga qytetarët e pandërgjegjshëm.  

Përgjatë rrugës ka edhe deponi të tjera me mbetje interte. 

Deponia në Komunën e Zhelinës (Rruga Shemshovë-Zhelinë). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (prill 2025)
Deponia në Komunën e Zhelinës (Rruga Shemshovë-Zhelinë). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (prill 2025)

“Vazhdon hedhja e mbeturinave inerte dhe te ndryshme përgjatë rrugës regjionale Zhelinë- Siriçinë. Urgjentisht duhet të merren masa për ndalimin e të njëjtës, e cila dëmton rëndë ambientin dhe njëkohësisht edhe rrjedhën e Lumit Vardar, vështirëson dhe rrezikon qarkullimin e lirë të komunikacionit,dëmton rrugën e cila edhe është e ndaluar për mjetet e rënda konkretisht për kamion”, tha një banor nga Shemshova. 

“Ka shumë kohë që është kështu, kalojmë çdo ditë këndej, na janë normalizuar, tani që edhe ka dalë gjelbërimi nuk vërehen shumë, por ka plot deponi të tilla”, tha një qytetare nga Shemshova.

“Shpesh kaloj andej për të dalë në autostradë, pamje të shëmtuara, institucionet kanë dështuar në mbajtjen e mjedisit të pastër. Le ta pastrojnë, pastaj le të vendosin mbikëqyrje, kush ndotë le të dënohet maksimalisht”, tha një qytetar nga Komuna e Tearcës. 

Deponia në Komunën e Zhelinës (Rruga Shemshovë-Zhelinë). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (prill 2025)
Deponia në Komunën e Zhelinës (Rruga Shemshovë-Zhelinë). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (prill 2025)

Megjithëse banorët kanë bërë vazhdimisht thirrje për pastrimin e kësaj zone, institucionet përgjegjëse vazhdojnë të shmangin përgjegjësinë.  

Komuna e Zhelinës pretendon se deponia mbi kazermën nuk ndodhet në territorin e saj, duke ia kaluar përgjegjësinë Komunës së Jegunovcës.

“Deponia për të cilën ju jeni të interesuar, ajo i takon atarit të Komunës së Jegunovcës, ne si komunë e kemi pastruar pjesërisht disa herë një pjesë e cila është në kufi me atarin e komunës së Zhelinës, mirëpo sa i përket inspektimit, këtë e ka kompetencë Komuna e Jegunovcës”, thanë nga Komuna e Zhelinës. 

Megjithatë, sipas të dhënave kadastrale por edhe sipas shenjave rrugore, këto deponi ndodhen në territorin e Zhelinës.  

Këtë e thonë edhe nga Komuna e Jegunovcës. 

“Deponia direkt përpara Kazermës ndodhet në zonën e fshatit Zhelinë, që do të thotë se i përkasin Komunës së Zhelinës”, thanë nga Komuna e Jegunovcës. 

Deponia në Komunën e Zhelinës (Rruga Shemshovë-Zhelinë). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (prill 2025)
Deponia në Komunën e Zhelinës (Rruga Shemshovë-Zhelinë). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (prill 2025)

Situata me deponitë e tilla është alarmante në gjithë rajonin e Pollogut.  

Ky problem pritet të zgjidhjet me ndërtimin e deponisë moderne rajonale, e cila pritet të jetë gati pas dy viteve, në vitin 2027.