Sa i rrezikshëm është gjarpri “shigjeta e gjatë”, banor i parkut të Gazi Babës dhe nganjëherë i Konviktit të studentëve “Stiv Naumov”?
Shigjeta e gjatë (Dolichophis caspius) është lloji i gjarprit që ditën e hënë hyri në menzën e Konviktit studentor “Stiv Naumov” në Shkup dhe shpejt i shqetësoi banorët e këtij konvikti dhe disa nga punonjësit. Bëhet fjalë një gjarpër që nuk paraqet rrezik për njerëzit, sepse ka frikë nga njerëzit dhe gjithmonë do të tentojë […]
Shigjeta e gjatë (Dolichophis caspius) është lloji i gjarprit që ditën e hënë hyri në menzën e Konviktit studentor “Stiv Naumov” në Shkup dhe shpejt i shqetësoi banorët e këtij konvikti dhe disa nga punonjësit. Bëhet fjalë një gjarpër që nuk paraqet rrezik për njerëzit, sepse ka frikë nga njerëzit dhe gjithmonë do të tentojë të largohet, e jo të sulmojë. Mendimi i gabuar se të gjithë gjarpërinjtë janë agresivë dhe të rrezikshëm për njerëzit buron nga frika e rrënjosur në kulturën popullore dhe nga njohuritë e pamjaftueshme për këto zvarranikë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.
Kështu thotë në një bisedë për Meta.mk, herpatologu Dr. Dragan Arsovski, i cili i hulumton ujëtokësorët dhe zvarranikët.
Sipas tij, shfaqja e shigjetës së gjatë është dukuri e zakonshme në Maqedoni, sidomos në pranverë kur këta zvarranikë shpesh përfundojnë në rrugë, e me këtë edhe nën gomat e automjeteve. Njihet si një nga gjarpërinjtë më të përhapur në rajon, por në të njëjtën kohë është edhe ndër më të gjatët në Evropë, me çrast një ekzemplar i rritur mund të arrijnë një gjatësi deri në 2 metra. Por, ky gjarpër është i rrallë, sepse zakonisht nuk jetojnë gjatë për shkak të rreziqeve që u kanosen në mjediset e urbanizuara.
“Shigjeta e gjatë shpesh nuk jeton deri në pleqëri, sepse gjuhet dhe vritet nga njerëzit, posaçërisht në zonat urbane. Në të shumtën e rasteve, kur dëgjojmë histori nga njerëz që kanë ndeshur në një gjarpër tre ose katër metra të gjatë, ata ndoshta e kanë hasur këtë gjarpër, por kjo është një ekzagjerim dhe vjen nga stigma që i ndjek gjarpërinjtë, nga frika dhe nga dëshira për të treguar burrëri. Natyrisht, është më interesante kur dikush tregon se ka parë apo ka hasur në një gjarpër nëse ai person e ekzagjeron pak madhësinë dhe thotë se ka qenë tre apo katër metra”, thotë doktor Arsovski.
Në Evropë shigjeta e gjatë më së shumti gjendet në Ballkan, por edhe në disa vende të Evropës Lindore. Në Maqedoni, thotë Arsovski, ky gjarpër gjendet kudo – nga pikat më të ulëta rreth 40 metra në Gjevgjeli, deri në lartësinë prej rreth 1200 metrash.
“Më lartë se kaq nuk shkon, se ka ftohtë”. Në lartësi më të mëdha mbidetare ka gjarpërinj të tjerë”, shton herpatologu.
Shigjeta e gjatë është i vetmi gjarpër që mund të gjendet në Gazi Babë
Është pothuajse e sigurt se shigjeta e gjatë është i vetmi gjarpër që mund të gjendet në parkun natyror të Gazi Babës në Shkup. Arsovski thotë se gjatë një hulumtimi të hollësishëm të këtij park-pylli në vitet e kaluara, ata nuk kanë vënë re asnjë specie tjetër.
Ai së bashku me disa studentë të Fakultetit të Shkencave Matematikore Natyrore (FSHMN) ka që nga viti 2019 që i hulumton breshkat në Gazi Babë dhe përveç tyre, shumë herpatologë e vizitojnë këtë vend për qëllime shkencore dhe edukative.
“Ka shumë gjasa që t’i kemi parë dhe vënë re të gjitha llojet që mund të gjenden në parkun pyjor të Gazi Babës, sepse kemi kërkuar shumë detajisht. Që nga viti 2019 ne kemi parë vetëm një lloj gjarpri atje, dhe ajo është shigjeta e gjatë. Nuk do kisha thënë se është shumë e shpeshtë, por nuk është as e rrallë. Në mëngjes, me diellin e parë, mund ta shihni të shtrirë në shtegun për këmbësorë duke bërë banjo dielli e duke u ngrohur, që pastaj të vazhdojë tutje – duke zënë brejtës dhe zogj – këtë punë ka ajo gjatë ditës”, thotë Arsovski.
Nga ana tjetër, nepërka, si gjarpër helmues dhe i përhapur në Maqedoni, është pothuajse e pamundur të gjendet në Gazi Babë, sepse kjo specie vështirë se mbijeton në mjedise urbane si kjo pjesë e kryeqytetit.
“Një tjetër gjarpër që do të prisnit, i cili mund të jetë potencialisht i rrezikshëm, është nepërka, e cila është mjaft e zakonshme edhe në Maqedoni. Mirëpo, mund të them me 95 përqind siguri se ky gjarpër në parkun e Gazi Babës është zhdukur, e kjo për shkak të pranisë së gjatë të njeriut në këtë park. Në përgjithësi në zonat e populluara, nepërkat janë të parët që zhduken sepse njerëzit mund t’i njohin lehtësisht nga briri që kanë në kokë dhe nga modeli specifik në shpinë, kështu që ata e dinë se është një gjarpër helmues dhe e gjuajnë atë më shumë se gjarpërinjtë e tjerë. Pra, do të thosha me një shkallë të lartë sigurie se në parkun e Gazi Babës nuk ka asnjë lloj gjarpri tjetër. Për fat të keq, do kisha thënë unë”, shton ai.
Sa i rrezikshëm është ky gjarpër?
Ngjyra e “shigjetës së gjatë” sillet nga gri në të verdhë, tregon Arsovski. Në pranverë, gjatë sezonit të çiftëzimit, meshkujt mund të kenë një ngjyrë të kuqe të zjarrtë rreth kokës dhe gojës, diçka që nuk është e pranishme tek femrat.
I pyetur nëse shigjeta e gjatë paraqet rrezik për studentët e vendosur në konviktin “Stiv Naumov”, Arsovski thotë se ky gjarpër nuk na sulmon dhe se “më shumë ka ai frikë nga ne se sa ne prej tij”.
“Nuk mund të sulmojë.Asnjë gjarpër që ekziston në Maqedoni nuk do të sulmojë një njeri. Ai do ikë nga njerëzit. Për të ne jemi grabitqarë dhe ai ka më shumë frikë prej nesh sesa ne prej tij. Ky është i vetmi fakt që duhet ta kemi parasysh. Në Evropë nuk ka gjarpërinj që sulmojnë për ta mbrojtur folenë e tyre, të vegjlit e tyre ose territorin e tyre, siç ka në vendet e tjera, për shembull në Australi. Pra, ky gjarpër dhe të gjithë gjarpërinjtë e tjerë të këtij lloji që i kemi në vend në përgjithësi kanë shumë frikë nga ne dhe gjithmonë, pa përjashtim, ikin nga ne”, thotë Arsovski.
Gjarpërinjtë luajnë një rol kyç në ekosistemet tona, kryesisht duke mbajtur nën kontroll popullatat e brejtësve (si minjtë) dhe janë jashtëzakonisht të dobishëm. Kjo është gjithashtu e vërtetë për shigjetën e gjatë, që ushqehet me brejtës, gjarpërinj më të vegjël dhe zogj dhe kështu luan një rol në kontrollin e këtyre popullatave, gjë që mund të konsiderohet një përfitim për njerëzit.
“Çdo specie që ekziston në planetin Tokë është rezultat i miliona e miliona viteve të evolucionit. Secili e ka gjetur vendin e tij në ekosistem dhe ekziston atje sepse është përshtatur të hajë diçka, të jetojë në një mjedis të caktuar etj. Në Tokë ka me mijëra specie dhe secila prej tyre ka një rol që e ka ndërtuar gjatë mijëra apo miliona viteve, që do të thotë se roli i këtyre specieve nuk është pa qëllim dhe ata nuk ekzistojnë thjesht pa bërë asgjë. Pyetja është nëse roli i tyre na përshtatet neve si njerëz. Në veçanti, shigjeta e gjatë, për fat të mirë, na përshtatet mirë sepse ha shumë nga dëmtuesit e qytetit, domethënë mund të hajë edhe brejtës. Ai luan një rol fenomenal në kontrollin e atyre popullatave”, thotë Arsovski.
Ai shton se shigjeta e gjatë është një “ngjitës i mirë”, sepse ndonjëherë është grabitqar i foleve dhe i shpendëve. Mund të ngjitet nëpër pemë, por jo aq mirë në mur.
Bashkëjetesa mes banorëve në “Stiv Naumov” dhe banorëve të parkut të Gazi Babës
Kur jetojmë pranë gjelbërimi, mali, parku apo në lagje si ato poshtë Vodnos është pothuajse e pamundur të parandalojmë që gjarpërinjtë të vijnë deri tek ne, sepse ne jemi shumë afër tyre. Njeriu cenon habitatet natyrore të specieve shtazore, gjë që është edhe rasti i konviktit “Stiv Naumov”, i cili ndodhet pikërisht pranë parkut natyror të Gazi Babës.
“Opsioni më i mirë është bashkëjetesa me mjedisin dhe banorët e tij. Megjithatë, ne njerëzit, me zgjerimin e ndërtesave, urbanizimin dhe nevojat tona, po zgjerohemi dhe po hyjmë në habitatet e tyre. Thjesht duhet të kemi pak respekt për banorët natyrorë. Ndaj duhet të jemi gati dhe të ndërgjegjshëm dhe të dimë që nuk ka garanci 100 për qind që nuk do të na vizitojnë”, thotë herpatologu.
“Megjithatë, duke qenë se jemi shumë larg nivelit të ndërgjegjësimit për të patur një bashkëjetesë të tillë, duhet të flasim më shumë se çfarë janë gjarpërinjtë dhe se si dhe pse nuk duhet të kemi frikë nga ato, sepse ajo frikë është e pajustifikuar. Është thellë brenda vetes tonë”, shton ai.
Vendosja e gardheve dhe rrjetave mbrojtëse, sipas tij, nuk do i pengonte kafshët më të vogla dhe “më të shkathëta” që të rrëshqasin mes tyre dhe t’i kalojnë. Por për këtë arsye, thotë Arsovski, është mirë që ambienti ku dëshirojmë të mos ketë gjarpërinj të jetë i papërshtatshëm për ta.
“Nëse bari mbahet më i ulët dhe kositet rregullisht, kjo do të krijonte një lloj pengese për gjarpërinjtë. Ata janë specie mjaft të fshehta dhe e kalojnë pjesën më të madhe të ditës ose në gropa ose në shkurre, kaçuba të mëdha ose pemë. Kur kërkojnë një partner për tu çiftëzuar ose kur kërkojnë ushqim, këta gjarpërinj duhet të lëvizin nga një vend në tjetrin që të kenë më shumë mundësi ta gjejnë atë që kërkojnë. Nëse duhet të zgjedhë se si të arrijë deri tek njëri nga këto qëllime, nëse ka një pjesë që është më e pyllëzuar dhe me më shumë shkurre, gjarpri do ta zgjedhë atë pjesë dhe do të shkojë në atë drejtim. Nëse ka një pjesë që është tërësisht e pjerrët dhe e rrafshët, pa hije, sidomos në verë, nuk do ta zgjedhë atë rrugë”, sqaron Arsovski.
“Ka hulumtime tek specie të tjera gjarpërinjsh që kanë treguar se nëse një pjesë është e kositur ose e betonuar, ndoshta me guralecë të bardhë që e reflektojnë ndriçimin e diellit, kjo i shqetëson dhe në përgjithësi nuk zgjedhin zona të tilla. Në përgjithësi jam kundër shtrimit me pllaka dhe betonimit, por për shembull, nëse mbulohet një pjesë me pak rërë të bardhë ose ndonjë sipërfaqe e ngjashme dhe kositet bari rregullisht, kjo në një mënyrë do i dekurajojë gjarpërinjtë që të afrohen aty dhe ato do të zgjedhin një rrugë tjetër, më të pyllëzuar”, shton ai.
Megjithatë, Arsovski apelon që gjatë kositjes së barit të bëhet kujdes me pajisjet për kositje, sepse shpesh në bar mund të gjenden lloje të tjera të kafshëve, si breshkat, të cilat mund të lëndohen nga thikat e pajisjeve për kositje.
Arsovski këshillon që të menaxhohet siç duhet edhe me ushqimin i cili i tërheq brejtësit, e në këtë mënyrë edhe gjarpërinjtë – të mbahet në një vend që është më i izoluar dhe i mbrojtur, në mënyrë që brejtësit të mos e nuhasin atë.
“Të gjitha këto praktika do ta zvogëlojnë mundësinë e shfaqjes së gjarpërinjve”, thotë herpatologu.
Nga vizitat e shigjetës së gjatë në “Stiv Naumov”, vitet e fundit / foto: studentë
Po sikur të ndeshni në një shigjetë të gjatë?
Në Maqedoni nuk ka asnjë shërbim që mund të thirret dhe të veprojë për dislokimin apo kapjen e gjarpërinjve.
“Edhe në vendet ku ekzistojnë shërbime të tilla, ato vijnë vetëm nëse gjarpri ka ngecur diku në shtëpitë e njerëzve ose në një vend ku hasen shpesh kafshë të rrezikshme, si në Australi. Unë besoj se një shërbim i tillë duhet të ekzistojë, edhe pse janë të rralla rastet kur do të duhet të ndërhyhet.
Njerëzit më kanë thërritur në një rast të tillë, por ishte kot. Nëse ke parë një gjarpër në oborr, deri sa të vij unë pas gjysmë ore, ai nuk do të jetë më aty. Kështu që edhe nëse ka një shërbim, ai nuk do të jetë në gjendje të reagojë aq shpejt për ta larguar e për ta vendosur diku atë gjarpër. Edhe sikur ta heqim shigjetën e gjatë që u gjet afër menzës dhe ta kthejmë në Gazi Babë, gjasat që ai të kthehet, sidomos nëse aty ka burim ushqimi, janë të mëdha”, komentoi Arsovski.
Sipas tij, nëse një student ndeshet me një shigjetë të gjatë, ai nuk duhet trembet, sepse gjarpri nuk do ta sulmojë dhe do vazhdojë tutje.
“Shigjeta e gjatë, në përgjithësi, do të largohet nga ju si një rrufe. Në të shumtën e rasteve ai takim do të përfundojë brenda pak sekondash. Nëse futet brenda, në një menzë ose në një shtëpi, mund të lihet dera hapur dhe të shtyhet me një shkop për të dalë. Nëse nuk dëshiron të jetë brenda, do ta gjejë vet rrugën për të dalë”, thotë Arsovski.
“Tani, në gjithë atë konfuzion, ashtu si ne kur shohim një gjarpër dhe trembemi dhe fillojmë të sillemi në mënyrë të palogjikshme – ngrijmë ose fillojmë të vrapojmë në drejtimin e gabuar – edhe gjarpri mund ta bëjë të njëjtën gjë. Shumë shpesh njerëzit mendojnë se gjarpri po i sulmon sepse gjarpri do të lëvizë në drejtim të tyre, por ai këtë e bën për të shpëtuar mes këmbëve. Reagimi i shigjetës së gjatë është i njëjtë si i yni – në atë “panik” do të lëvizë drejt nesh vetëm për të shpëtuar. Kjo është kështu edhe për shkak se në përgjithësi gjarpërinjtë që i kemi në Maqedoni nuk kanë një shikim të theksuar, ata kanë shqisa të tjera në të cilat mbështeten”, thotë Arsovski.
Ai paralajmëron të mos i prekni gjarpërinjtë dhe të bëni kujdes që të mos shkelni mbi ta.
“Sidomos shigjeta e gjatë mund të jetë mjaft temperamente nëse preket. Nëse e kapni në duar, ajo do tentojë t’ju kafshojë dhe ky është një reagim normal. Më ka kafshuar me qindra herë sepse e kam kapur dhe e kam hulumtuar – nëse e kap instinkti i saj është të të kafshojë, por edhe nëse ndodh t’ju kafshojë, kjo do të ndodhë VETËM nëse e shkelni ose kapni atë dhe kjo është plotësisht e parrezikshme. E vetmja gjë që duhet të bëni është të keni kujdes që të mos vijë deri tek infektimi, ashtu siç bëni kur prisni veten ose kafshoheni nga një kafshë tjetër. Nuk ka absolutisht asnjë rrezik tjetër”, shton Arsovski.
“E di që kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. E kuptoj frikën, sidomos nëse dikush nuk ka takuar kurrë më parë një gjarpër, kështu që takimi i parë është ‘i tmerrshëm’, sepse kemi dëgjuar dhe parë skena të ekzagjeruara dhe të hiperbolizuara në TV dhe në filma dhe tani kjo frikë na është futur në palcë. Mjafton të shkosh në drejtimin e kundërt me atë të gjarprit dhe kjo do përfundojë me kaq”, thotë Arsovski.
Ndërkaq konvikti i studentëve “Stiv Naumov” mbetet një ambient tërheqës për banorët e parkut të Gazi Babës. Bari përreth konviktit është i lartë dhe i parregulluar, me shkurre të dendura që janë një parajsë e vërtetë për parazitët, brejtësit dhe zvarranikët. Me fjalë të tjera, nëse zbrisni nga parku drejt konviktit, nuk do ta keni përshtypjen se keni dalë nga pylli.