SASHK-u dhe Qeveria arritën marrëveshje, paga e arsimtarëve do të rritet për 5%
Sindikata e Pavarur e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SASHK) dhe Qeveria kanë arritur sot marrëveshje sa i përket pagave në arsimin fillor dhe të mesëm. Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Hristijan Mickoskit, të mbajtur pas arritjes së marrëveshjes, tha se, nga ky muaj, do të ketë rritje të pagave […]
Sindikata e Pavarur e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SASHK) dhe Qeveria kanë arritur sot marrëveshje sa i përket pagave në arsimin fillor dhe të mesëm. Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Hristijan Mickoskit, të mbajtur pas arritjes së marrëveshjes, tha se, nga ky muaj, do të ketë rritje të pagave prej 5% në arsimin fillor dhe të mesëm, transmeton Portalb.mk.
“Kjo do të thotë se nga ky muaj, gjegjësisht nga paga e tetorit, punëtorët në arsimin fillor dhe të mesëm do të kenë rritje të pagave prej pesë për qind. Kënaqësia është edhe më e madhe që u dakorduam për një rritje të vazhdueshme të pagave në arsimin fillor dhe të mesëm për një periudhë katërvjeçare, ku sipas matematikës sonë të përbashkët, më në fund të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm, mësuesit dhe profesorët do të kenë një pagë të lartë sa ajo mesatare ose mbi pagën mesatare”, tha Nedelkov.
Ndërkaq, Mickoski sqaroi se rritja e pagave në arsimin fillor dhe të mesëm do të vazhdojë në disa faza deri në vitin 2028.
“Nga paga e tetorit që do të paguhet në nëntor, deri në pagën e shkurtit që do të paguhet në muajin mars të vitit 2025, do të kemi rritje të pagave prej 5%. Më tej, në muajin mars të vitit 2025 do të ketë rritje prej 7%. Në mars të vitit 2026, varësisht prej gjendjes së buxhetit, do të ketë rritje mes 7,5 – 10%. Po ashtu, varësisht prej gjendjes së buxhetit, në mars të vitit 2027 do të ketë rritje mes 7,5-10% dhe gjithashtu gjendjes së mbushjes së buxhetit në mars të vitit 2028, do të ketë rritje mes 10-12,5%. Kjo nënkupton se, arsimtarët e shkollave fillore dhe të mesme, në mars të vitit 2028, do të marrin afërsisht minimum 46% pagë më të lartë nga ajo që marrin tani, por ndoshta edhe më shumë”, tha Mickoski.
Po ashtu është arritur marrëveshje që më së voni deri në shkurt, të nënshkruhet marrëveshja kolektive.
Paraprakisht, Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) më 23 shtator njoftoi se i ka dhënë një javë afat Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të ulet për të biseduar rreth rritjes së rrogave, duke paralajmëruar radikalizim të masave sindikale.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, kishte premtuar që rritje të rrogës për 12 përqind në arsim do të ketë prej muajit mars të vitit 2025, ndërsa sindikalistët kërkojnë rritje prej muajit shtator.
- LEXO: Rritja e rrogave në arsimin e Maqedonisë së Veriut, temë e diskutuar ndërmjet sindikatave dhe kryeministrit
- LEXO: Rritja e rrogave në arsim, Sindikata e pranoi kërkesën e kryeministrit Mickoskit, por paralajmëroi masa radikale
- LEXO: Rritja e rrogave në arsim, kryetari i Sindikatës iu kundërpërgjigj ministres
- LEXO: RMV, rritja e pagave në arsim është i mundur vetëm nga viti i ardhshëm
- LEXO: RMV, në shtator llogaritë e pensionistëve do të kenë rritjen lineare të pensioneve