Sela: Ideja e rregullimit të ri të rendit kushtetues do të diskutohet në kryesinë qendrore të ASh-së

Nuk ka garanci që në zgjedhjet e reja të ardhshme, në vend që të zgjidhet një parti e organizuar politike shqiptare si partner koalicioni në pushtet, do të krijohet koalicion me individë, thotë lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, duke kritikuar kryeministrin Hristijan Mickoski për marrjen e të drejtës për të formuar qeveri me, […]

Korrik 25, 2024 - 15:30
 0  5
Sela: Ideja e rregullimit të ri të rendit kushtetues do të diskutohet në kryesinë qendrore të ASh-së
Ziadin Sela/Foto: Printscreen nga video

Nuk ka garanci që në zgjedhjet e reja të ardhshme, në vend që të zgjidhet një parti e organizuar politike shqiptare si partner koalicioni në pushtet, do të krijohet koalicion me individë, thotë lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, duke kritikuar kryeministrin Hristijan Mickoski për marrjen e të drejtës për të formuar qeveri me, siç tha, humbës nga blloku shqiptar, transmeton Portalb.mk.

Deklarata e Selës është para fillimit të Kryesisë qendrore, e cila mbahet në Gostivar, dhe siç njofton MIA, temë e takimit do të jetë ideja e “Frontit Evropian” për rregullimin e ri të rendit kushtetues të shteti.

“Po gjejmë mënyra dhe për ta duhet të informojmë anëtarësinë dhe të angazhojmë ekspertë për të mbrojtur atë që është e shenjtë, zërin e çdo qytetari pa dallim përkatësie etnike apo politike”, tha Sela.

Sipas tij, debatin për rregullimin e ri të rendit kushtetues e ka hapur kryeministri aktual Hristijan Mickoski, kur, siç tha ai, ka apeluar për legjitimitetin e maqedonasve në zgjedhjet e fundit.

“Shqiptarët janë një e treta e popullsisë së përgjithshme në vend dhe së bashku me bashkësitë tjera etnike janë rreth gjysma. Këtë temë e hapën Hristijan Mickoski dhe VMRO – DPMNE. Ne u përgjigjemi vetëm temave të tilla që janë të hapura. Dhe sigurisht që planifikojmë të shqyrtojmë tema të tilla dhe të kemi ofertën tonë me të cilën do të rregullohet rendi kushtetues i Maqedonisë së Veriut sipas realitetit demografik”, thotë Sela.

Sipas njoftimeve, në kryesinë qendrore përveç situatës politike do të diskutohet edhe për ristrukturimin e partisë.

Ideja e legalizimit të parimit të koalicionit fitues me fitues u hap nga BDI-ja dhjetë ditë më parë kur miratoi disa rezoluta që kanë të bëjnë me respektimin e Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Informacioni se “Fronti Evropian” do të angazhojë Paul Williams, një nga autorët e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, në përgatitjen e një platforme për legjitimitetin ndëretnik të institucioneve qendrore dhe lokale në bazë të rezultateve zgjedhore, është konfirmuar dje nga kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në takim me ambasadoren norvegjeze.

“Ndryshe, humbet arsyeja e pjesëmarrjes në procese zgjedhore të komuniteteve në vendin tonë nëse përfaqësuesit e tyre përcaktohen mediktat nga komuniteti më i madh, si në kohërat e njëmendësisë”, thonë nga BDI.

Mirëpo, Ahmeti mbeti i vetëm me këtë ide sepse nuk ka marrë përkrahje nga partneri i mëparshëm i koalicionit LSDM dhe as Vlen nuk beson se Ahmeti është kompetent të flasë për parimin fitues me fitues.

“Më duken mjaft joserioze, BDI ka qenë 22 vjet në pushtet edhe me VMRO-DPMNE edhe me LSDM-në dhe të gjitha këto ide kanë mundur t’i zbatojnë sa ishin në pushtet. Tani në opozitë çfarëdo që mendojnë thonë, por nuk mendoj se janë seriozë, është vetëm për pikë politike. Ne politikanët, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, kur themi diçka, duhet të kemi një konsensus më të gjerë. Unë thashë, mund të flasim për çdo gjë, por për 22 vjet nuk keni thënë asgjë dhe tani në dy muaj nga opozita keni ide të mëdha që sinqerisht janë të vështira për t’u realizuar”, tha Taravari.

Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim e udhëhoqi koalicionin parazgjedhor “Fronti Europian” në zgjedhjet e fundit të 8 majit. Ata arritën të marrin 18 deputetë, por nuk arritën të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar.

Koalicioni qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja, VLEN-i dhe ZNAM.