Sela: Me Taravarin, Aleanca rrezikon të bëhet 5–6 copa!
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, tani pjesë e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Zijadin Sela, në emisionin “Samo intervju” në Kanal 5 përsëriti se ai dhe Arben Taravari do të vazhdojnë ta shohin njëri-tjetrin me “dylbi”, edhe pse sot ndodhen në të njëjtin koalicion të udhëhequr nga Ali Ahmeti. Sela hyrjen e Taravarit në […]

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, tani pjesë e koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Zijadin Sela, në emisionin “Samo intervju” në Kanal 5 përsëriti se ai dhe Arben Taravari do të vazhdojnë ta shohin njëri-tjetrin me “dylbi”, edhe pse sot ndodhen në të njëjtin koalicion të udhëhequr nga Ali Ahmeti.
Sela hyrjen e Taravarit në këtë koalicion e cilësoi si “gabim” dhe e përshkroi me fjalën “jokonzistente”.
“Për fat të keq, kur u tërhoqa nga ASH lashë hapësirë që të udhëheqin njerëz pa vizion, që nuk shohin më larg se një muaj apo gjashtë muaj. Ky është problemi”, tha ai.
Ai tregoi se, edhe pse bëhej fjalë vetëm për zgjedhjet lokale në Tetovë, kishte informacione se Taravari po bënte lojëra të brendshme, prandaj dha dorëheqje për të shmangur përçarjen e Aleancës për Shqiptarët.
“Ju pyesni sa Aleanca ekzistojnë? Nga krahu i Taravarit mos u çuditni nëse dalin edhe pesë ose gjashtë të tjera”, ironizoi Sela.
Sa i përket marrëdhënieve personale, Sela ishte i prerë: “Njeriu fal, kur kërkohet falje”, duke lënë të kuptohet se Taravari asnjëherë nuk i ka kërkuar falje.
Ai gjithashtu kritikoi edhe komisionin ad hoc për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i cili u themelua para 15 muajve dhe që, sipas tij, nuk ka mbajtur asnjë mbledhje. “Edhe atëherë kam qenë skeptik dhe nuk e kam votuar. Nuk ka rëndësi as sot”, u shpreh Sela.
Në aktivitetet publike, duket qartë se, megjithëse janë pjesë e një koalicioni, Sela dhe Taravari nuk shihen bashkë, por të ndarë.
Ndërkohë, VLEN ka cilësuar bashkëpunimin mes Taravarit, Selës dhe Ahmetit si “koalicion me shirit ngjitës”, duke aluduar se bashkimi i tyre është vetëm i përkohshëm dhe do të prishet sapo të humbasë forca e atij “ngjitësi”.
