SHBA dënoi presionin e Kinës ndaj pjesëmarrësve në konferencën e Tajvanit
Dënojmë presionin e Kinës ndaj deputetëve, përfshirë edhe nga Maqedonia e Veriut, për të mos marrë pjesë në konferencën e Aleancës Ndërparlamentare për Kinën (IPAC) në Tajvan, tha Departamenti i Shtetit për Radion Evropa e Lirë (REL). Politikanët nga të paktën gjashtë vende, duke përfshirë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, kanë pohuar se […]
Dënojmë presionin e Kinës ndaj deputetëve, përfshirë edhe nga Maqedonia e Veriut, për të mos marrë pjesë në konferencën e Aleancës Ndërparlamentare për Kinën (IPAC) në Tajvan, tha Departamenti i Shtetit për Radion Evropa e Lirë (REL).
Politikanët nga të paktën gjashtë vende, duke përfshirë Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut, kanë pohuar se diplomatët kinezë po u bëjnë presion që të mos marrin pjesë në një samit të fokusuar në Kinë në Tajvan, në atë që ata thonë se është një përpjekje për të izoluar ishullin e vetëqeverisur, shkroi agjencia e lajmeve Associated Press.
IPAC është një grup prej 250 përfaqësuesish nga 40 vende që merret me qëndrimin e vendeve demokratike ndaj Kinës.
“Ne jemi të shqetësuar nga raportet se ligjvënësit u bënë presion nga Republika Popullore e Kinës për të mos marrë pjesë në konferencën IPAC në Tajvan dhe ne i dënojmë këto akte shtrëngimi”, tha Departamenti i Shtetit.
Ata theksojnë se Kina “shpesh përdor taktika presioni, duke synuar individë dhe organizata që përfshihen në komunikim me Tajvanin, duke përfshirë ngacmimin, frikësimin, kërcënimet dhe mbikëqyrjen, si personalisht ashtu edhe në internet”.
“Kina përdor sistemet dhe institucionet e saj ligjore, si dhe sulmet personale, për të heshtur dhe frikësuar kundërshtarët, duke përfshirë individë dhe organizata që mbështesin demokracinë e gjallë të Tajvanit dhe rolin e saj në komunitetin ndërkombëtar”, tha Departamenti i Shtetit.
Ata theksojnë se do të vazhdojnë të mbrojnë “të drejtën e lirisë së shprehjes dhe aftësinë e ligjvënësve dhe të tjerëve për të shprehur lirisht pikëpamjet e tyre ose për të komunikuar me Tajvanin pa frikë nga sulmet e qeverisë, hakmarrjet apo detyrimet”.
“Shtetet e Bashkuara kanë një interes të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin përgjatë ngushticës së Tajvanit, e cila është kritike për sigurinë dhe përparimin rajonal dhe global”, thuhet në përgjigje.
Në mesin e deputetëve të Maqedonisë së Veriut që janë delegatë në samitin vjetor të Aleancës Ndërparlamentare për Kinën (IPAK), një përfaqësues i Maqedonisë, përveç Antonio Milloshoskit, është edhe deputeti i partisë opozitare LSDM, Fatmir Bytyqi. Të dy kanë udhëtuar drejt Tajvanit. Ata konfirmuan se janë kontaktuar nga ambasada kineze si personalisht ashtu edhe përmes palëve.
Kina e konsideron Tajvanin pjesë të paprekshme të territorit të saj. Qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike e Tajvanit kundërshton pretendimet territoriale të Kinës. SHBA nuk e njeh Tajvanin, as shumica e vendeve në botë, por ato veprojnë në partneritet.