Shkupi mëngjesin e sotëm u gjend sërish në listën e kryeqyteteve me ajër më të ndotur në botë

Maqedonia e Veriut edhe këtë mëngjes u zgjua me ajër të ndotur. Kryeqendra është me ajër shumë të ndotur, ndërsa edhe në Kërçovë ka nivele të larta të ndotjes së ajrit, transmeton Portalb.mk. Përqendrimi i grimcave PM2.5 në Shkup aktualisht është 5.3 herë më shumë se vlera e udhëzimit vjetor të cilësisë së ajrit të […]

Nëntor 24, 2024 - 13:00
 0  7
Shkupi mëngjesin e sotëm u gjend sërish në listën e kryeqyteteve me ajër më të ndotur në botë
Ndotja e ajrit, foto nga Portalb.mk

Maqedonia e Veriut edhe këtë mëngjes u zgjua me ajër të ndotur. Kryeqendra është me ajër shumë të ndotur, ndërsa edhe në Kërçovë ka nivele të larta të ndotjes së ajrit, transmeton Portalb.mk.

Përqendrimi i grimcave PM2.5 në Shkup aktualisht është 5.3 herë më shumë se vlera e udhëzimit vjetor të cilësisë së ajrit të OBSH-së.

Të dhënat nga stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor edhe mbrëmë treguan se ndotje shumë të lartë ka pasur në Kërçovë.

Në listën e IQ Air, këtë mëngjes Shkupi është kryeqyteti i 18-të më i ndotur në botë. Ka pasur ditë kur ishte edhe në dhjetë qytetet më të ndotura, gjë që është alarmante.

Shkupi është kryeqyteti i 18-të më i ndotur në botë. Foto printscreen IQ Air
Shkupi është kryeqyteti i 18-të më i ndotur në botë. Foto printscreen IQ Air

Ndryshe, qytetet në Maqedoninë e Veriut këtë muaj janë gjetur në krye të  listave famëkeqe të matjes së cilësisë së ajrit në botë për nga ndotja e ajrit.

Hulumtimi i fundit i UNDP-së për përcaktimin e burimeve të ndotjes së ajrit, si dhe as Raporti i Komisionit Evropian për progresin e reformave të vendit në vitin 2024, më në fund bënë që politikanët dhe institucionet në Maqedoninë e Veriut të ndërmarrin masa urgjente.

Kontrollet inspektuese të industrisë dhe kantiereve të ndërtimit, regjim i veçantë qarkullimi për mjetet e rënda të mallrave, reduktimi i përdorimit të automjeteve zyrtare të administratës dhe lirimi nga detyrimet e punës të grupeve të ndjeshme dhe grave shtatzëna, janë pjesë e masave afatshkurtra që qeveria dhe Ministria e Mjedisit kanë përfshirë në Planin e ri të veprimit për uljen e ndotjes së ajrit. Për këto masa është miratuar urdhri që të zbatohet në rastet kur ndotja do të kalojë kufijtë e alarmit.