Shqiptarët dhe kroatët sfidojnë ambiciet hegjemoniste të Serbisë në Ballkan

Shkruan: Naser SELMANI Shqipëria, Kroacia dhe Kosova nënshkruan këtë javë në Tiranë një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, e cila bazohet në vlerat e përbashkëta dhe orientimin strategjik properëndimor të tre vendeve. Deklarata angazhon palët për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes duke thelluar bashkëpunimin në industritë ushtarake, si dhe për të […]

Mars 28, 2025 - 23:01
 0  6
Shqiptarët dhe kroatët sfidojnë ambiciet hegjemoniste të Serbisë në Ballkan

Shkruan: Naser SELMANI

Shqipëria, Kroacia dhe Kosova nënshkruan këtë javë në Tiranë një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes dhe Sigurisë, e cila bazohet në vlerat e përbashkëta dhe orientimin strategjik properëndimor të tre vendeve.

Deklarata angazhon palët për të forcuar kapacitetet e mbrojtjes duke thelluar bashkëpunimin në industritë ushtarake, si dhe për të rritur ndërveprimin përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta ushtarake. Gjithashtu, tre shtetet zotohen të bashkëpunojnë në luftën kundër kërcënimeve hibride dhe të mbështesin integrimet euro-atlantike.

Deklarata mbështetet në Konceptin Strategjik të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke synuar forcimin e aftësisë mbrojtëse të tre vendeve, ndërkohë që kontribuon edhe në sigurinë dhe stabilitetin rajonal. Fakti që ky pakt i referohet strategjive të dy organizatave më të fuqishme ushtarake dhe politike perëndimore tregon se nuk është një veprim i njëanshëm i shqiptarëve dhe kroatëve, por gëzon edhe mbështetjen e heshtur të Perëndimit.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, NATO dhe BE i dërgojnë një mesazh të qartë Aleksandar Vuçiqit se nuk do të tolerohet hegjemonia serbe në rajon. Përveç vendosjes së një balance të re të forcave në Ballkan, Perëndimi duket se ka humbur durimin ndaj lojës së dyfishtë të Vuçiqit, i cili refuzon të distancohet nga politika agresive e Vladimir Putinit dhe të harmonizojë politikën e jashtme me atë të Bashkimit Evropian.

Perendimi e ka plotësisht të qartë se politika bizantine e qeverisë serbe nuk kupton gjuhë tjetër përveç gjuhës së forcës. Masazhi është i drejtëpërdrejët, çdo aventurë serbe në Ballkan më forcën e armëve do të mundet nga aleanca e vende ballkanike me orinetim properenidmor.

Kjo deklaratë praktikisht formalizon një aleancë ushtarake mes shqiptarëve dhe kroatëve, e cila ka rëndësi historike jo vetëm për sigurinë e dy popujve, por edhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Nëse analizohen shtyllat kryesore të dokumentit, bëhet e qartë se ai synon të ndalojë ambiciet hegjemoniste të Serbisë, e cila, duke destabilizuar vendet fqinje përmes veprimeve hibride, përpiqet të realizojë projektin gjenocidal të Serbisë së Madhe.

Aleanca ushtarake shqiptaro-kroate synon të zmbrapsë planet agresive të Serbisë, duke e bërë të qartë se përballë kësaj aleance, e cila ka edhe mbështetjen e Perëndimit, Serbia nuk do të mund të realizojë objektivat e saj për pushtimin e Veriut të Kosovës apo për bashkimin e dhunshëm të Republikës Serbe të Bosnjës. Në këtë kontekst, në Kosovë mbrohen interesat e shqiptarëve, ndërsa në Bosnjë mbrohen interesat e kroatëve dhe boshnjakëve.

Kjo deklaratë është veçanërisht e rëndësishme për Kosovën, e cila në një përballje eventuale me Serbinë nuk do të jetë e vetme, por do të ketë në krah Shqipërinë dhe Kroacinë. Dy vendet e NATO-s do të ndihmojnë në armatosjen dhe trajnimin e ushtrisë kosovare për t’u përballur me një agresion të mundshëm serb. Përveç kësaj, deklarata e nxjerr Kosovën nga izolimi diplomatik dhe i siguron asaj dy lobistë të fuqishëm në Bruksel për integrimin e saj në NATO dhe BE.

Rëndësia e kësaj deklarate nuk qëndron vetëm në forcimin e aleancës strategjike me Kroacinë kundër politikës agresive të Vuçiqit, por ndoshta edhe më e rëndësishmja është thyerja e barrierës psikologjike të qeverisë shqiptare, e cila deri tani ka ndjekur një politikë të kujdesshme dhe shpesh inferiore ndaj Serbisë. Me këtë marrëveshje, Shqipëria del hapur në krah të Kosovës, duke i bërë të qartë Beogradit se çdo kërcënim ndaj saj do të shihet si një kërcënim ndaj të dyja shteteve.

Për të shuar çdo iluzion të Serbisë për rikthimin e dominimit të dikurshëm në Ballkan, aleanca shqiptaro-kroate duhet të zgjerohet me përfshirjen e Bullgarisë, duke krijuar një unazë të plotë sigurie përreth Serbisë. Roli i Sofjes në këtë pakt është thelbësor për garantimin e stabilitetit dhe paqes në Maqedoninë e Veriut, të cilën politika hegjemoniste serbe, pavarësisht lajkave ndaj qeverive në Shkup, ende e sheh si “Serbinë jugore” ose si një rikthim të Banovinës së Vardarit.

Përfshirja e Bullgarisë në këtë bosht do t’i jepte fund çdo ëndrre serbe për rikthimin e ushtrisë së saj në Maqedoninë e Veriut. Çdo përpjekje e Serbisë për një prani ushtarake atje do të provokonte një reagim të fuqishëm nga Sofja dhe shqiptarët. Këtë realitet e kuptojnë mirë qarqet shoviniste në Beograd, ndaj edhe Vuçiçi reagoi në mënyrë histerike ndaj nënshkrimit të deklaratës mes tre vendeve ballkanike, duke kërkuar sqarime si të ishte ende në epokën e federatës jugosllave.

Presidenti serb nuk frikësohet vetëm nga bashkimi i faktorit shqiptar, por edhe nga aftësia e shqiptarëve për të krijuar aleanca strategjike me popuj miqësorë, me të cilët ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta, si kroatët dhe bullgarët.

Ambiciet e regjimit të Vuçiçit për një “Serbi të Madhe”, me skenarë të ngjashëm me ato të Putinit në Ukrainë, po bëhen gjithnjë e më të parealizueshme. Përveç aleancës shqiptaro-kroate, të cilës mund t’i bashkohet edhe Bullgaria, një garanci e fuqishme për sigurinë e Shqipërisë, Kosovës dhe rajonit është edhe bashkëpunimi ushtarak me Turqinë. Si një aktor i vendosur, por fleksibil në rajon, Ankaraja ka treguar qartë se nuk do të tolerojë përpjekjet serbe për të destabilizuar shqiptarët dhe boshnjakët.

Nëpërmjet marrëveshjeve të sigurisë me Shqipërinë dhe Kosovën, Turqia i ka bërë të qartë Beogradit: çdo agresion kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve do të përballet me rezistencë të ashpër. Kjo aleancë strategjike midis shqiptarëve, kroatëve, bullgarëve dhe Turqisë ndihmon në mbushjen e çdo vakumi të mundshëm të sigurisë që mund të krijohet nëse administrata e ardhshme amerikane, nën udhëheqjen e Trumpit, do të tërhiqte forcat amerikane nga Evropa.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian, si kujdestar për Ballkanin Perendimor, po i dërgon një mesazh të qartë Serbisë: në Ballkan nuk do të ketë vakum sigurie, dhe çdo aventurë destabilizuese do të ndalohet me forcë.