Shuhet akademiku dhe ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci – Ngushëllojnë Kurti e Ahmeti
Ka vdekur në moshën 81-vjeçare ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci. Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti, akademik. Lindi në Tërnoc të Bujanocit. Shkollimin e kreu në vendlindje dhe Leskovc (1960). The post Shuhet akademiku dhe ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci – Ngushëllojnë Kurti e Ahmeti appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Ka vdekur në moshën 81-vjeçare ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci.
Nexhat Daci ishte kimist, profesor universiteti, akademik. Lindi në Tërnoc të Bujanocit. Shkollimin e kreu në vendlindje dhe Leskovc (1960). Studimet e rregullta për kimi i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1966), ku mbaron edhe studimet pasuniversitare (1968). Një kurs pasuniversitar e kreu në Liezh, Belgjikë (1970).
Tezën e disertacionit të Doktoratës e mbrojti në Universitetin e Zagrebit (1973). Studimet e pasdoktoratës i vazhdoi në Angli, në Universitetin e Bradfordit (1974). Në vitin 1966 u zgjodh asistent në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, pastaj ligjërues, profesor inordinar dhe në vitin 1984 mori titullin profesor ordinar.
Ka bërë shumë udhëtime studimore në vende të ndryshme të botës. Ishte anëtar i disa institucioneve dhe asociacioneve ndërkombëtare, ndër të cilat edhe i Shoqatës Kimistëve Amerikanë (1985), i Akademisë Europiane për Çështje të Mjedisit në Tubingen, në Gjermani dhe Londër (1987).
Në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 anëtar i rregullt, dhe më pas u bë sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i saj (1999–2002). Në vitin 2014 u zgjodh anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe të Arteve (ALLEA) me seli në Salcburg. Anëtar i përhershëm i komitetit të ALLEAS për projekte shkencore u zgjodh në vitin 2015.
Daci ka qenë aktiv në jetën politike dhe institucionale të Kosovës: në periudhën 2001–2011 u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës dhe në vitet 2001–2006 ishte kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2007 themeloi Lidhjen Demokratike të Dardanisë dhe u bë kryetar i saj.
Veprimtaria e tij shkencore përmban punime shkencore të publikuara në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, projekte shkencore, elaborate, kumtesa, tekste universitare etj.
Veçohen punimet shkencore mbi strukturën e substancës organike të qymyrit të Kosovës, pastaj të përbërësve inorganikë të qymyrit, të analizave të ndryshme të hirit nga termocentralet dhe punime shkencore nga fusha e mbrojtjes së mjedisit, veçmas të ujërave të liqeneve akumuluese dhe të disa lumenjve të Kosovës.
Ishte bartës ose pjesëmarrës në shumë projekte shkencore nga fusha e mbrojtjes së mjedisit. Udhëhoqi projektin shkencor të ASHAK-ut “Identifikimi i ndotësve të efluentëve të ujërave urbane dhe të industrisë dhe trajtimi i tyre” (2012–2014) dhe projektin për kadastrin e këtyre ndotësve e trajtimin e tyre.
Është autor i teksteve universitare dhe monografive (“Kimia organike”, “Struktura e substancave organike të qymyrit të Kosovës”), si dhe bashkautor i një studimi në botimin “Kimia për mbrojtjen e mjedisit” (Elsevier, Amsterdam, Nju-Jork, Oksford, 1987).
Ishte bashkautor i studimit monografikIshte bashkautor i studimit monografik “Shkenca e mjedisit – zhvillim i qëndrueshëm” dhe autor dhe bashkautor i teksteve shkollore dhe universitare. Ishte bartës i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve për veprimtari arsimore dhe shkencore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pikëllimin e thellë pas ndarjes nga jeta të ish-Kryeparlamentarit dhe ish-Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, në këtë ditë të parë të vitit 2026.
“Pikëlluese të njoftohemi që në këtë ditë të parë të vitit 2026, ka vdekur Nexhat Daci, ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.Nexhat Daci ishte kryetari i parë i Kuvendit të Kosovës pas çlirimit të vitit 1999, i zgjedhur dy herë kryetar, mes viteve 2000 – 2004 dhe 2004 – 2006. Ai ishte një nga figurat kryesore dhe më aktive në skenën politike në Kosovë mes viteve 2001 dhe 2011, kur si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës dhe pastaj nga viti 2007, si themelues dhe kryetar i partisë Lidhja Demokratike e Dardanisë. Si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008.”, ka shkruar Kurti.
Edhe Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e ish-kryeparlamentarit Nexhat Daci.
Ai tha se Kosova sot nuk ka humbur vetëm një ish-politikan, por një nga akademikët më të shquar dhe personalitetet më të rëndësishme të saj.
“Me dhimbje të thellë e pranova lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim, akademik Nexhat Dacit. Kosova sot nuk ka humbur vetëm një ish-politikan, por një nga akademikët më të shquar dhe personalitetet më të rëndësishme të saj”.
“Akademik Daci, me urtësinë dhe pjekurinë e tij politike, ka luajtur një rol kyç në proceset më të rëndësishme që çuan drejt pavarësimit të shtetit të Kosovës. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e çmuan veprën e tij. U prehtë në paqe”, ka shkruar Ahmeti. Gazeta Flaka
The post Shuhet akademiku dhe ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci – Ngushëllojnë Kurti e Ahmeti appeared first on Flaka, në çdo lajm... .