Shumë fjalë, aspak punë në terren: Mexhiti përsëri premtoi largimin e deponisë në Nikushtak dhe deponive tjera në Likovë

Shumë fjalë, aspak punë: Mexhiti përsëri premtoi largimin e deponisë në Nikushtak dhe deponitë tjera në Likovë

Prill 16, 2025 - 20:00
 0  6
Shumë fjalë, aspak punë në terren: Mexhiti përsëri premtoi largimin e deponisë në Nikushtak dhe deponive tjera në Likovë
Pamje nga deponia në fshatin Nikushtakë. Foto nga Portalb.mk

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti sot i pyetur nga Portalb.mk sërish premtoi se do të hiqet deponia në fshatin Nikushtak, dhe deponitë e tjera në Komunën e Likovës.

“Ideja ishte që të financohet me mjetet e Bashkimit Evropian, tani po kryhen procedurat që ta bëjmë me mjete të Mjedisit Jetësor dhe mendoj se shumë shpejtë do të eliminohen ato deponi”, deklaroi Mexhiti.

23 shkurt nga Ministria e Mjedisit për Portalb.mk theksuan se kishte dështuar tenderi për pastrimin e deponisë në Nikushtakë.

“Ju njoftojmë se tenderi për këtë procedurë të zhvilluar nga Ministria e Financave ka rezultuar i pasuksesshëm dhe prandaj procedura nuk është zbatuar”, deklaruan nga Ministria e Mjedisit.

Në lidhje me këtë problem, Portalb.mk pyeti edhe Ministrisë së Financave, por edhe pse na konfirmuan se do të na japin përgjigje, deri në publikimin e këtij teksti nuk u deklaruan.

Kujtojmë se në korrik të vitit të kaluar (2024), ministri i Mjedisit Jetësor, dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti ishte në Komunën e Likovës dhe premtoi se do të pastrohen deponitë ilegale duke thënë se projekti ndodhet në fazën e tenderimit pas anulimit të mëparshëm të kontraktorit i cili ishte përzgjedhur.

“Është planifikuar mbyllja e deponive jo-standarde, përfshirë deponinë në Likovë (Nikushtak) dhe pesë deponi tjera më të vogla në Mateç, Vrima e sipërme (Gorna Rupa), Llojan 1 , Llojan, dhe Goru. Aktualisht, projekti ndodhet në fazën e tenderimit pas anulimit të mëparshëm të kontraktorit i cili ishte përzgjedhur. Vlerësimi i ri ka filluar më datë 6 qershor 2024 dhe pritet të përfundojë deri në fund të gushtit 2024, kur do të nënshkruhet marrëveshja dhe do të fillojnë punimet në terren”, tha Mexhiti në 6 korrik, 2024.

Madje tha se vetëm një pjesë e vogël e deponisë do të mbetet e hapur deri në ndërtimin e deponisë rajonale në Sveti Nikollë dhe më pas do të mbyllet.

“Në deponinë jo-standarde të Likovës, e cila ndodhet pranë fshatit Nikushtak, do të kryhen aktivitete si riformësimi i trupit të deponisë, ngjeshja e mbetjeve të vjetra, ndërtimi i një sistemi pasiv të grumbullimit të gazit dhe mbulimi i deponisë me dhe të freskët dhe të shëndetshëm”, tha Mexhiti..

Por deri më tani, deponia në Nikushtak vazhdon të jetë e hapur për hedhjen dhe djegien e mbeturinave, edhe pse përreth rrugës është vendosur gardh prej llamarine nga Komuna e Likovës.

Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi, në një prononcim për TV21 në nëntor 2024 pati thënë se Komuna e Likovës disa herë ka kërkuar dislokimin e kësaj deponie, por kjo nuk u është lejuar nga Ministria e Ambientit Jetësor.

Në të njëjtën kohë në nëntor, Mexhiti premtoi se së bashku me deponinë në Nikushtak, edhe pesë lokacione tjera të Likovës do të shndërrohen në zona të gjelbërta.

Megjithatë në vend se banorët të shohin gjelbërim, ata ballafaqohen me deponi dhe mbeturina të ndryshme.

Kujtojmë se për më shumë se dy dekada, nuk ka zgjidhje për pastrimin e deponisë në fshatin Nikushtak të Komunës së Likovës. Banorët i kanë humbur shpresat se ky problem do të zgjidhet, ndërsa mbeten të shqetësuar për shëndetin e tyre.