Sindikalistët dërguan kërkesë zyrtare për takim me Mickoskin, nëse nuk arrihet marrëveshje do të ndërmarrin hapa më radikalë

Sindikata e punëtorëve nga administrata, organet e drejtësisë dhe shoqatat e qytetarëve kanë dorëzuar sot kërkesë zyrtare për takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, njoftoi kryetari Trpe Deanoski. Kërkesa për takim, shton Deanoski, vjen pasi ditët e fundit “kemi lexuar njoftimet deklarative të Qeverisë përmes të cilave na ka ftuar në takime përmes mediave”, transmeton Portalb.mk. […]

Jan 17, 2025 - 14:00
 0  4
Sindikalistët dërguan kërkesë zyrtare për takim me Mickoskin, nëse nuk arrihet marrëveshje do të ndërmarrin hapa më radikalë
Kryetari i Sindikatës së punëtorëve nga administrata, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve (UPOZ), Trpe Deanoski. Foto: Sindikata UPOZ

Sindikata e punëtorëve nga administrata, organet e drejtësisë dhe shoqatat e qytetarëve kanë dorëzuar sot kërkesë zyrtare për takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, njoftoi kryetari Trpe Deanoski. Kërkesa për takim, shton Deanoski, vjen pasi ditët e fundit “kemi lexuar njoftimet deklarative të Qeverisë përmes të cilave na ka ftuar në takime përmes mediave”, transmeton Portalb.mk.

“Formalisht nuk kemi marrë ftesë për vazhdimin e dialogut”, tha Deanoski gjatë protestës së sotme, të cilën punëtorët e shtatë ministrive dhe dy institucioneve e mbajtën para ndërtesës së Ministrisë së Financave.

Deanoski tha se dialogu nuk zhvillohet përmes njoftimeve dhe mediave dhe me kërkesën për takim insistojnë në vazhdimin e dialogut, të cilin sipas tij Ministria e Financave në mënyrë të njëanshme e ndërpreu me refuzimin e propozim marrëveshjeve kolektive për pagë shtesë për punëtorët që protestojnë.

“Punëtorët presin që Qeveria të tregojë mirëkuptim dhe ta pranojë këtë dorë ndihme nga Sindikata e AOGjShQ-it për të gjetur zgjidhje për kërkesat tona”, tha Deanoski.

Në të kundërtën, shtoi ai, do të aktivizojnë sërish protestat dhe do të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që jep ligji për të shprehur pakënaqësinë e punëtorëve deri në plotësimin e kërkesave.

I pyetur nëse shfrytëzimi i të gjitha të drejtave ligjore nënkupton ngritjen e padisë kundër shtetit, Deanoski në përgjigjen e tij nuk e përjashtoi këtë mundësi, por tha se fillimisht do të japin mundësi për vazhdimin e dialogut.

“Ne kemi diskutuar, dhe dje në takimin që kemi bërë me organizatat sindikale, fillimisht do të presim, do të japim një shans për të vazhduar dialogun, nëse nuk vazhdojmë protestat, mendohet për grevë dhe padi ndaj shtetit“, u përgjigj Deanoski.

Në protestën e sotme, e cila po mbahet për të katërtën ditë radhazi, anëtari i sindikatës nga Ministria e Drejtësisë, Zoran Gjorgjievski tha se ende nuk kanë sinjale se qeveria ka gjetur zgjidhje për ta dhe për kërkesat e tyre.

“Ne kërkojmë një rritje të pagave prej 30 përqind, që është minimumi që mund të bëhet për të lejuar punëtorët të ruajnë dinjitetin e tyre dhe të sigurojnë nevojat bazë. Të gjithë ne meritojmë kushte jetese dinjitoze që nuk mund të arrihen me paga që nuk përputhen me standardet e jetesës. Ne nuk e pranojmë diskriminimin dhe do të vazhdojmë të luftojmë për një rritje të drejtë pagash për të gjithë. Ne kërkojmë një shpërndarje të vërtetë dhe të drejtë të burimeve që do t’u mundësojë të gjithë punëtorëve të jetojnë në mënyrë sa më dinjitoz. Nuk do të dorëzohemi derisa të marrim atë që meritojmë,” tha Gjorgjievski.

Kjo është dita e katër që punonjësit e këtyre ministrive dhe institucioneve dalin në protestë gjysmë ore para godinave.

Kujtojmë se edhe punonjësit e Avokaturës Shtetërore përmes grevës kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje kolektive që parashikon rritje shtesë të pagave me 30 përqind.

Nga Avokatura Shtetërore thanë se të gjitha prokuroritë në vend janë në grevë dhe se kjo do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave.