Sistemi juridiko-kushtetues në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë mekanizëm që do të pamundësonte majorizimin e shqiptarëve
Ritheksojmë nevojën për qasje më proaktive të forcave kryesore ndërkombëtare dhe potencojmë se një ndër postulatet kryesore që buron nga Marrëveshja e Ohrit është pikërisht mbrojtja nga majorizimi, gjë e cila aktualisht po minohet deri në fundosje të mundshme duke lejuar dhe duke mundësuar marrjen në Qeveri të koalicionit jo-fitues i cili nuk e manifeston […]
Ritheksojmë nevojën për qasje më proaktive të forcave kryesore ndërkombëtare dhe potencojmë se një ndër postulatet kryesore që buron nga Marrëveshja e Ohrit është pikërisht mbrojtja nga majorizimi, gjë e cila aktualisht po minohet deri në fundosje të mundshme duke lejuar dhe duke mundësuar marrjen në Qeveri të koalicionit jo-fitues i cili nuk e manifeston vullnetin politik të shqiptarëve në RMV, kështu thuhet në rezolutën e parë të titulluar “Legjitimiteti”, e miratuar të shtunën e kaluar nga Bashkimi Demokartik për Integrim (BDI) në Mbledhjen e Përgjithshme në Gostivar. Njohësit e rrethanave politike theksojnë se sistemi juridiko-kushtetues në Maqedoninë e Veriut nuk ka asnjë mekanizëm që do të pamundësonte majorizimin e shqiptarëve të përmendur në rezolut, nga forcat politike qeverisëse maqedonase. Ata vënë në dukje se kjo nuk është një situatë e re, por ka ndodhur edhe më parë, në vitin 1998 dhe 2006. Sipas tyre, rezolutat e BDI-së duhen parë edhe në kuadër të veprimtarisë së saj opozitare, një rol që kjo parti nuk e ka luajtur gjatë dy dekadave të fundit, përveç periudhës 2006-2008, shkruan Portalb.mk
Bashkimi Demokartik për Integrim (BDI) në mbledhjen e përgjithshme në gostivar, të cilën e vlerësoi si “historike”, miratoi tri rezoluta, pasi u vlerësua se gjendja në Maqedoninë e Veriut “është shqetësuese”.
“Ritheksojmë nevojën për qasje më proaktive të forcave kryesore ndërkombëtare që garantuan paqen duke përkrahur Marrëveshjen e Ohrit dhe potencojmë se një ndër postulatet kryesore që buron nga Marrëveshja e Ohrit është pikërisht mbrojtja nga majorizimi, gjë e cila aktualisht po minohet deri në fundosje të mundshme duke lejuar dhe duke mundësuar marrjen në Qeveri të koalicionit jo-fitues i cili nuk e manifeston vullnetin politik të shqiptarëve në RMV dhe si i tillë e shndërron Qeverinë në një Qeveri pa legjitimitet etnik”, u tha në rezolutën e parë.
Njohësit e rrethanave politike e konsiderojnë këtë veprim kryesisht si një taktikë politike për të bindur dhe mbajtur aktiv elektoratin shqiptar të kësaj partie.
Sefer Tahiri, analist dhe ish-gazetar, shprehet se rezoluta e BDI-së, përkatësisht e Frontit Evropian — si një koalicion më i gjerë i forcave opozitare shqiptare në Maqedoninë e Veriut — ka si qëllim të mobilizojë dhe të ruajë elektoratin shqiptar të këtij koalicioni, si dhe të angazhojë faktorin ndërkombëtar për respektimin e parimit të legjitimitetit politik, sidomos parimin e fituesit shqiptar.
“Mendoj se kjo më tepër është një taktikë politike sesa taktikë faktike e cila mund të prodhojë efekte konkrete, pasi ne e dimë se sistemi juridiko-kushtetutes në Maqedoninë e Veriut, nuk njeh apo nuk ka parashikuar asnjë lloj mekanizmi që do të pamundësonte atë që thotë BDI-ja: majorizimin e shqiptarëve nga forcat politike qeverisëse maqedonase”, thotë Tahiri.
Për të mbështetur këtë qëndrim Tahiri përmend edhe disa raste nga e kaluara siç është ai i vitit 1996 dhe 2006
“Situata të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, në vitin 1998, kur PDSH-ja është bërë pjesë e qeverisë po me VMRO-DPMNE-në duke mos qenë bartëse e vullnetit politik të shqiptarëve. Poashtu edhe në vitin 2006, kur PDSH-ja, edhe pse me shtatë deputetë më pak se BDI-ja në atë kohë, u bë pjesë e qeverisë po me VMRO-DPMNE-në”, thotë ai.
Tahiri vlerëson se BDI-ja duhet të kishte menduar më herët për krijimin e një mekanizmi kushtetues dhe ligjor që do të garantonte formimin e qeverisë nga fituesit e bllokut politik maqedonas dhe shqiptar.
“Prandaj, mendoj që forcat politike të cilat reagojnë është dashur që të kenë parasysh që të krijojnë mekanizëm kushtetues dhe mekanizëm ligjor që do të parashikonte formimin e qeverisë nga ana e fituesve në bllokun politik maqedonas dhe shqiptar. Gjithçka tjetër mbetet pjesë e debatit dhe lojës politike e cila po luhet, por nuk mendoj se do të prodhojë ndonjë rezultat konkret apo siç pretendon BDI-ja, rikthimin e legjitimitetit apo rikthimin e aktit që të respektohet parimi i fituesit”, përfundon Tahiri duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë e faktorit ndërkombëtar dhe deklaratën e ambasadores amerikane në vend, Aggeler.
” Unë mendoj që më tepër kjo është edhe tendencë për të bindur faktorin ndërkombëtar, por pas deklaratës së fundit të ambasadores amerikane në vend e cila tha në mënyrë decidive se sistemi i Maqedonisë së Veriut nuk ka ndonjë mekanizëm apo dispozitë që parashikon se në qeveritë mos të përfshihen partia apo koalicioni i cili, në bazë të votave apo të numrit të deputetëve, nuk reflekton vullnetin e shumicës absolute. Por numri i votave që i është dhënë koalicionit vlen në këtë rast natyrisht se reflekton një pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve”.
Në anën tjetër, analisti dhe gazetari investigativ Xhelal Neziri thekson se rezolutat e BDI-së duhen parë në kontekstin e veprimtarisë së saj opozitare, një rol që kjo parti nuk e ka luajtur gjatë dy dekadave të fundit, përveç periudhës 2006-2008. Sipas tij, legjitimiteti dhe tri marrëveshjet strategjike të vendit (Marrëveshja e Ohrit, Prespës, dhe Traktati i Miqësisë me Bullgarinë) janë në qendër të vëzhgimit opozitar të BDI-së, me qëllim që të paraqitet qeveria aktuale si rrënuese e këtyre marrëveshjeve dhe perspektivës evropiane.
“Sidoqoftë, edhe për marrëveshjet edhe për legjitimitetin ka më shumë se një të vërtetë. Është herët nga tani të gjykohet qëndrimi i kësaj garniture qeverisëse ndaj Marrëveshjes së Ohrit, si shtyllë e stabilitetit dhe kohezionit të brendshëm ndëretnik, dhe Marrëveshjes së Prespës dhe të Traktatit me Bullgarinë, si shtylla të pozicionit të vendit në sferën ndërkombëtare. Nëse qeveria aktuale nuk do të respektojë Parimin e Badinterit atëherë do të cenojnë thelbin e Marrëveshjes së Ohrit. Apo në rastin me Greqinë, nëse nuk do të respektonte Marrëveshjen e Prespës do të rrezikonte marrëdhëniet me SHBA, BE dhe OKB, si garantues të saj”, thotë Neziri.
Neziri thekson se këto marrëveshje janë të mbrojtura edhe nga presidenti amerikan dhe se çdo shkelje e tyre mund të çojë në sanksione.
“Nëse qeveria aktuale nuk do të respektojë Parimin e Badinterit atëherë do të cenojnë thelbin e Marrëveshjes së Ohrit. Apo në rastin me Greqinë, nëse nuk do të respektonte Marrëveshjen e Prespës do të rrezikonte marrëdhëniet me SHBA, BE dhe OKB, si garantues të saj. Këto dy marrëveshje madje janë vënë në mbrojtje të Presidentit Amerikan dhe çdokush që cënon ato vendoset në listën e sanksioneve. Në raport me Bullgarinë kemi aneksin e Traktatit, i quajtur Propozim Francez, i cili duhet implementuar për të lëvizur vendit drejt integrimit evropian”, thotë ai.
Duke përfunduar, analisti shprehet optimist se qeveria aktuale do të respektojë këto marrëveshje.
“Unë jam optimist se do të respektojë këto dokumente sepse, në të kundërtën, Mickoski do të ecë rrugës izolacioniste të Gruevskit”, përfundon ai.
Ndryshe, në rezulotën e parë të titulluar “Legjitimiteti”, BDI mes tjerash vlerëson se vendosja e praktikave të këtilla minon të arriturat për liri e barazi, në pajtim me Marrëveshjen e Ohrit, duke alarmuar se kjo do të kthen Maqedoninë e Veriut mbrapa.
“Nënvizojmë se mospërfillja e vullnetit politik të shqiptarëve largon vendin dhe bashkëjetesën ndëretnike si vlerë e shoqërisë sonë nga normat e vendosura në pajtim me MO-në dhe atakon parimin e shumicës së dyfishtë që buron nga MO-ja”, thuhet në Rezolutë.
Në rezolutën e numër 2 theksohet nevoja për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, së bashku me ndryshimet kushtetuese.
“Ne, anëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), të mbledhur në këtë Mbledhje të Përgjithshme, miratojmë këtë Rezolutë për domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për fqinjësi të mire së bashku me ndryshimet kushtetuese”, thuhet në Rezolutën nr.2.
Ata kërkojnë nga institucionet shtetërore zbatimin e këtyre tri marrëveshjeve ndërkombëtare.
“BDI-ja rikonfirmon se zgjedhjet brendapartiake kontribuojnë në rritjen e cilësisë së strukturës dhe sjellinprurje të reja në organizatën tonë politike, me ç’rast mbetemi të fokusuar në rininë si prioritet i veprimtarisë vijuese të Bashkimit Demokratik për Integrim, duke i dhënë përparësi veçanërisht në aspekt të krijimit dhe implementimit të politikave të organizatës sonë politike”, thuhet në rezolutën nr.3 të BDI-së.
Në rezolutën numër 3 të titulluar “Rezolutë mbi organizatën tonë politike”, rruga e BDI-së vlerësohet si rrugë e drejtë politike.
Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e cila udhëheq me koalicionin “Fronti Europian” në zgjedhjet e fundit të 8 majit arriti të fitoj 18 deputetë, por nuk arritën të bëhen pjesë e koalicionit qeveritar. Koalicioni VLEN në anën tjetër që përbëhet nga katër parti shqiptare morri 14 mandate deputetësh.