’S’ka ardhë për me shkri kurrgjë”, Konjufca dhe Spiropali thonë se s’ka ngrirje raportesh mes dy vendeve
Kryeparlamentarët e Kosovës dhe Shqipërisë, Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali, kanë mohuar se dy qeveritë e vendeve kanë “raporte të ngrira” në një pyetje që iu bë sot në Prishtinë në një konferencë të përbashkët për media. Pyetja aludoi në raportet mes kryeministrit Albin Kurti dhe homologut të tij Edi Rama, raporton Gazeta Express. Por, Konjufca […]
Kryeparlamentarët e Kosovës dhe Shqipërisë, Glauk Konjufca dhe Elisa Spiropali, kanë mohuar se dy qeveritë e vendeve kanë “raporte të ngrira” në një pyetje që iu bë sot në Prishtinë në një konferencë të përbashkët për media.
Pyetja aludoi në raportet mes kryeministrit Albin Kurti dhe homologut të tij Edi Rama, raporton Gazeta Express.
Por, Konjufca tha se ndonjë mospajtim i tyre nuk reflekton raportin ndërshtetëror mes dy vendeve, ndërsa mohoi se Spiropali ka ardhur për “të shkrirë” këtë raport.
“Unë nuk mendoj që asnjëherë ne kemi pasë ndonjë ngrirje mes Shqipërisë dhe Kosovës, ne si përfaqësues të institucioneve kemi qenë gjithmonë në nivelin e detyrës, mundësisht për ta transmetuar një ndjenjë që është shumë e thjeshtë dhe është mes popujve tonë. Kjo është ndjenja e dashurisë e vëllazërisë. Kështu kanë vepruar edhe qeveritë dhe nëse ju dëshironi që ndonjë mospajtim eventual të kryeministrave apo të qeverive ta paraqisni si diçka që reflekton në mes dy shteteve unë nuk mendoj se kjo qëndron. Ajo që qëndron është marrëdhëniet e popullit tonë në nivel shoqëror, në nivel të qytetarëve të thjeshtë e tipikë të këtij vendi e të Republikës së Shqipërisë. Për ne Shqiëpria është sikur vendlindja jonë”, tha Konjufca.
Ai shtoi se edhe qytetarët e Shqipërisë që vijnë në Kosovë e ndiejnë veten si në vend të tyre dhe tha se ky bashkëpunim reflektohet edhe mes institucioneve.
“Edhe në nivel të qeverive bashkëpunimi është i shkëlqyer. Në nivel të ministrive s’kemi pasë kurrë bashkëpunim më të madh e raporte më intensive të takimeve se këto tri-katër vitet e fundit me Shqipërinë. Zonja Spiropali nuk ka ardhë për me shkri kurrgjë me sa po e shoh, ka ardhur që të vazhdojë atë që ka ekzistuar gjithmonë – një marrëdhënie shumë e mirë mes Shqipërisë dhe Kosovës”.
Në përgjigje, Spiropali tha se s’ka çka t’i shtojë më shumë përgjigjes së homologut të saj, por i tha “dy fjalë”.
“Nuk do i shtoja shumëçka përgjigjes shteruese që e tha kryetari Konjufca, por dy fjalë do i them patjetër. Bashkëpunimi mes kuvendeve dhe qeverive tona është reflektim i marrëdhënies vëllazërore mes popujve tonë, marrëdhënies krejt të natyrshme. Jo vetëm na detyron historia, gjuha dhe përkatësia e përbashkët, por edhe niveli i marrëdhënieve, posaçërisht, vitet e fundit, intensifikimi i komunikimeve mes qeverive e kuvendeve tona është krejt i qartë për të gjithë”.
“Ngrirja nuk është fjalë që mund të përdoret në një kontekst të tillë, por unë besoj që shumësia dhe bashkimi i këtyre ndërveprimeve vetëm na bën mirë. Dobësia juaj është edhe dobësia jonë, forca juaj është dhe forca jonë dhe anasjelltas. Sa më e fortë e zhvilluar dhe e mbarë të jetë Shqipëria aq më e mbarë, e sigurt dhe e zhvilluar është Kosova. Dhe ne vetëm të tillë e shohim bashkëpunimin me Kosovën që për ne është prioritet kombëtar dhe është i pari, por edhe nevojën për këtë bashkëpunim ta shtrijmë në të gjithë rajonin tonë dhe më tej në BE. Ne besojmë që aplikimi i Kosovës për në BE duhet të shqyrtohet me seriozitet për t’i dhënë Kosovës perspektivën e integrimit në BE ashtu siç edhe Kosova meriton të njihet si shtet i pavarur dhe t’i njihet territori dhe ai të mos cenohet”.