S’ka rritje të pagave në sektorin publik

Ultimatumi i sindikalistëve që në 100 ditët e para të qeverisë së re të ketë rritje të pagave publike, po bie në rënie të lirë, shkruan Alsat. Hapi i radhës së tyre do të jetë greva e përgjithshme nga shtatori, nëse me marrëveshjen e përgjithshme kolektive, të punësuarve në sektorin publik nuk u bëhet rritje […]

Korrik 31, 2024 - 21:30
 0  5
S’ka rritje të pagave në sektorin publik

Ultimatumi i sindikalistëve që në 100 ditët e para të qeverisë së re të ketë rritje të pagave publike, po bie në rënie të lirë, shkruan Alsat.

Hapi i radhës së tyre do të jetë greva e përgjithshme nga shtatori, nëse me marrëveshjen e përgjithshme kolektive, të punësuarve në sektorin publik nuk u bëhet rritje përkitazi harmonizimit të pagës minimale në vend. Kreu i LSM-së tha se çdo vit duhet të rriten pagat për 15% në sektorin publik.

Sllobodan Trendafilov tha se janë lodhur nga justifikimet e pushteteve dhe nuk tërhiqen nga ultimatumi.

“Ne erdhëm sot të dëgjojmë se do të rrisin pagat sepse pa rrogë të mirë nuk ka punë produktive. Presim që ministrat do të thotë harmonizim i pagave nga shtatori i këtij viti, si dhe rritje shtesë e pagave në vitin e ardhshëm, që do të bëhet sipas marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin publik. Pagat në sektorin publik do të rriten me 15% në çdo vit për katër vitet e ardhshme dhe qeveria e re duhej të parashikoj para në buxhet që të mos ketë justifikime. Ne punëtorët jemi lodhur duke dëgjuar arsyetime prej tyre dhe atë presim ta dëgjojmë edhe sot”, tha Sllobodan Trendafilov.

Qeveria e re do të ketë mbështetjen e sindikatave vetëm nëse ndalojnë punësimin e kuadrove partiake dhe rrisin administratën publike dhe nëse ndalojnë keqpërdorimin e punësimeve në sektorin publik. Për departizimin e institucioneve foli edhe Ministri i administratës publike.

Goran Minçev tha se deri në fund të këtij viti nuk do të ketë rritje të pagave.

“Unë kisha takime me disa sindikata, ai problem normalisht i tangon sindikalistët për para më të larta. Në kornizën aktuale ligjore parashikohet një përqindje e rritjes së pagave. Ne në periudhën që vjen do të hapim një debat, në të cilin kjo do të jeta çështja kryesore. Unë shpresoj, por mbase jo në këtë rebalanc të buxhetit sigurisht, sepse ky buxhet është në gjendje katastrofale. Së bashku me sindikatat, në kuadër të mjeteve të parashikuara në buxhetin e ardhshëm do të vijmë deri te një zgjidhje kompromisi”, tha Goran Minçev, Ministër i administratës publike.

Nga ana tjetër Ministria e Financave, pas përgatitjes së rishikimit të buxhetit, me vendim të Qeverisë ka obliguar të gjitha institucionet shtetërore dhe publike që me rastin e lidhjes së marrëveshjeve kolektive t’i kenë parasysh mjetet e miratuara buxhetore dhe të mos ndërmarrin obligime për të cilat nuk i kanë siguruar fondet në buxhet për vitin aktual dhe shumat maksimale të përcaktuara të shpenzimeve./ Alsat.mk