Slijanovska drekë pune me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, u bisedua edhe për mosmarrëveshjen RMV-Bullgari

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dje ka pasur një drekë pune me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në vend, të organizuar nga ambasadori hungarez, András Klein. Në një atmosferë miqësore u diskutua për ngjarjet dhe proceset aktuale të brendshme, rajonale, evropiane dhe botërore. Theksi u vu në problemet dhe pengesat e Maqedonisë në integrimet […]

dhjetor 12, 2024 - 12:00
 0  5
Slijanovska drekë pune me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, u bisedua edhe për mosmarrëveshjen RMV-Bullgari
Gordana Siljanovska Davkova në drekë pune me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së. Foto: Kabineti i presidentes

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova dje ka pasur një drekë pune me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në vend, të organizuar nga ambasadori hungarez, András Klein. Në një atmosferë miqësore u diskutua për ngjarjet dhe proceset aktuale të brendshme, rajonale, evropiane dhe botërore. Theksi u vu në problemet dhe pengesat e Maqedonisë në integrimet evropiane dhe nevojën për zgjidhje kreative për tejkalimin e mosmarrëveshjes bullgaro-maqedonase në frymën e miqësisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke respektuar vlerat dhe parimet themelore të BE-së, transmeton Portalb.mk.

Presidentja ripohoi besimin, angazhimin dhe vendosmërinë e saj të thellë për të zbatuar agjendën e reformave në përputhje me kriteret e Kopenhagës, me një partneritet aktiv me BE-në.

Ajo theksoi gjithashtu se bilateralizimi dhe precedentët janë një rrezik real për zgjerimin.

Sipas saj, në një mjedis konfliktesh ushtarake, zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, që natyrisht i përkasin Evropës: gjeografikisht, historikisht dhe kulturalisht dhe udhëheqin një politikë të përbashkët të jashtme dhe politika e sigurisë me BE-në është interesi i përbashkët dhe forcon imunitetin e tyre ndaj kërcënimeve.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.