Softueri që detekton plagjiaturën në RMV është i dobët ndërsa tregu për shit-blerjen e punimeve lulëzon, shteti dhe profesorët dobët e luftojnë këtë

Maqedonia e Veriut ka vetëm një armë të veten për të luftuar plagjiaturën që edhe ajo është e dobët, shpesh herë jofunksionale dhe e paaftë për të kryer punën. Portalb-i me shumë vështirësi arriti të regjistrohet në këtë softuer. Aftësia e mentorëve për t’i dalluar studentët nëse kanë shkruar vetë punimin e diplomës është gjithashtu […]

Jan 25, 2025 - 08:00
 0  5
Softueri që detekton plagjiaturën në RMV është i dobët ndërsa tregu për shit-blerjen e punimeve lulëzon, shteti dhe profesorët dobët e luftojnë këtë
Foto ilustrim. Fotoja në prapavi: Antonio_Diaz në Canva

Maqedonia e Veriut ka vetëm një armë të veten për të luftuar plagjiaturën që edhe ajo është e dobët, shpesh herë jofunksionale dhe e paaftë për të kryer punën. Portalb-i me shumë vështirësi arriti të regjistrohet në këtë softuer. Aftësia e mentorëve për t’i dalluar studentët nëse kanë shkruar vetë punimin e diplomës është gjithashtu e dobët, kjo dëshmohet pasi biznesi me shit-blerjen e punimeve vazhdon të lulëzojë online. Hulumtuesi Borjan Gjuzelov fajëson profesorët, thotë se ju mungon aftësia të detektojnë nëse studenti e ka shkruar vetë punimin, ndërsa një pjesë e tyre vetë publikojnë punime në revista grabitqare, shkruan Portalb.mk.

“Ta dëshmosh këtë është një punë e vështirë, serioze dhe e lodhshme”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, para pak ditësh, në një tribunë ku foli për marrjen e diplomave pa i merituar ato, përmes shitblerjeve të ndryshme.

Ligjërisht, në Maqedoninë e Veriut mentorët obligohen që të kontrollojnë në softuerin shtetëror plagijati.mk nëse punimi i studentit ka plagjiaturë, ose, ka përputhshmëri me ndonjë prej punimeve veçse të publikuara në këtë softuer.

Por, as kjo nuk është bërë siç duhet. Për shembull, edhe pse është obligim ligjor, shteti s’ka përcaktuar person përgjegjës i cili do të ndiqte në qoftë se të gjithë profesorët i publikojnë punimet në këtë softuer.

Për sqarim, ky softuer nuk mund të detektojë nëse studenti e ka vjedhur punimin nga ndonjë gjuhë e huaj dhe e ka përkthyer, por, vetëm nëse punimi i publikuar ka përputhshmëri me ndonjë punim të publikuar më herët në softuer, në të njëjtën gjuhë.

Softueri funksionon saktësisht për 12 vite. Informacionet e Portalb-it thonë se madje ka mentorë të cilët nuk kanë fare llogari në këtë softuer, përkundër që mentorojnë dhjetëra studentë çdo vit akademik.

“Për ndjekje të veprimtarisë hulumtuese-shkencore në Maqedoninë e Veriut, ministria siguron kushte për formimin dhe mirëmbajtjen e një baze për verifikim të plagjiaturës së punimeve të magjistraturës, punimeve specialistike dhe seminarike” thotë neni 54 i Ligjit për Veprimtari Hulumtuese.

Madje, ligji përcakton edhe afatet ligjore se sa ditë para mbrojtjes së temës mentori obligohet ta publikojë atë në këtë bazë. Për shembull, aty thuhet “punimi i doktoraturës, është e obligueshme të vendoset në bazën për punimet e doktoraturës, më së paku 30 ditë para mbrojtjes së temës së doktoraturës”.

Portalb-i siguroi të dhëna se sa është përdorur ky softuer.

Infografik nga: Ardit Ramadani.
Infografik nga: Ardit Ramadani.

“Softueri nuk është funksional dhe nuk përdoret nga ana e profesorëve”, i tha Portalb-it Borjan Gjuzelov, hulumtues dhe politolog.

Përpos kësaj, në ‘Instagram’ dhe në ueb-faqje tjera për shit-blerje si Pazar3.mk vazhdon shitja masive e punimeve të magjistraturës, doktoraturës dhe seminarike. Çmimet shkojnë nga 100 deri në 500 euro për punim.

'Screenshot' nga Pazar3.mk.
‘Screenshot’ nga Pazar3.mk.

Mentorët t’i bëjnë sytë katër

Ministria e Arsimit dhe Shkencës shfajësohet. Sipas tyre, fjalën e fundit dhe më të rëndësishme nëse një punim është plagjiaturë e kanë mentorët, pasi nuk mundet që t’i besohet softuerit njëqind për qind.

“Plagijati.mk është mjet i cili ndihmon në zbulimin e plagjiaturës nga baza gjigante e punimeve por nuk mundën që 100% të thotë nëse ndonjë dokument është plagjiaturë ose jo. Ky është vendim i mentorëve”, thanë nga MASh-i për Portalb.mk.

Përpos profesorëve, sipas MASh, “universitetet kanë rregullore sipas të cilit në mënyrë të saktë janë të definuara kriteret për përgatitjen e tezës, dhe në të është e definuar se në çfarë forme merren citatet, në çfarë forme vendoset burimi i citatit që të mos konsiderohet plagjiaturë”.

Ata megjithatë nuk komentojnë se si është e mundur që askush të mos ndjek nëse mentorët e përmbushin ose jo obligimin ligjor dhe punimet e studentëve i publikojnë në këtë softuer, edhe kjo ngelet në ‘ndërgjegjen e mentorëve’.

Sipas informacioneve, universitetet kanë rregullore dhe mënyra se si e ‘luftojnë’ plagjiaturën, por janë të dobëta, ose kryesisht janë vetëm në letër, nuk i praktikojnë. Si pasojë, asnjë universitet s’ka statistika se sa plagjiatura janë detektuar ndër vite.

Shumë magjistra e doktorantë, pak kualitet

Se mungon kuadër kualitativ, ankesa ka edhe nga sektori publik, edhe ai privat.

“Se shpërndahen diploma jokualitative e dëshmojnë çdo ditë shumë njerëz të cilët janë të kyçur në vende të ndryshme të punës në administratë”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Mijëra magjistra shkence dhe qindra doktorantë diplomojnë çdo vit në Maqedoninë e Veriut. Portalb-i përgatiti infografik për këtë.

Infografik nga Ardit Ramadani.
Infografik nga Ardit Ramadani.

Pjesa më e madhe e tyre diplomojnë në universitetet publike.

Profesorët e korruptuar, s’mund të kërkojnë integritet nga studentët

Borjan Gjuzelov tash disa vite ka hulumtuar mes tjerash edhe problemet në arsimin e lartë në vend. Ai thotë se një pjesë e madhe e profesorëve përpos që kanë mungesë të integritetit akademik, ata vetë publikojnë punime në revista grabitqare.

“Profesorët tanë thuajse aspak nuk publikojnë punime në revistat ndërkombëtare kualitative. Për shembull, para disa vitesh një profesoreshë në fakultetin tim në një tribinë (sigurisht nga mosdija) publikisht deklaroi se paguan që të publikojë në të ashtuquajturat zhurnale predatore ku kriteret akademike tejkalohen tërësisht përmes ‘blerjes’ së një hapësire në këto revista”, tha Gjuzelov për Portalb-in.

Borjan Gjuzelov, politolog.
Borjan Gjuzelov, politolog.

Sipas tij, si studentët, ashtu edhe profesorët kryesisht ‘luftojnë’ vetëm për tituj akademik, jo për arsim kualitativ.

“Një pjesë e mirë e studentëve dhe profesorëve më shumë luftojnë për diplomë dhe tituj akademik, përkatësisht për thirrje akademike në letër se sa për dije të vërtetë dhe zhvillim akademik. Edhe në fakultetet private edhe në atë publike kemi shembuj ku jo vetëm studentët, por edhe anëtarët e stafit akademik kanë punime shkencore të dyshimta, si të magjistraturës ashtu edhe të doktoraturës të cilat duhet që sa më shpejt t’ju bëhet revizion nga ana e komisioneve të pavarura dhe profesioniste”, tha ai.

Studentët janë më së paku fajtorë sipas Gjuzelov. Përpos profesorëve, ai thotë se kemi shumë anëtarë të qeverisë që kanë kryer fakultetin në universitete që sipas tij, njihen për tregje për blerje të diplomave.

“Gjithashtu, shqetësues është fakti që kemi anëtarë në Qeveri, deputetë dhe funksionarë tjerë të cilët kanë kryer fakultetin në universitete private që njihen si tregje për blerje të diplomave. Pra, dukshëm që peshku kundërmon nga koka – para se të fillojmë të luftojmë kundër plagjiaturës dhe shpalljeve për shit-blerje të punimeve akademike, duhet të sigurohemi që kemi minimum integritet në mesin e kuadrit arsimor, dhe në nivel të gjithë shtetit”, shtoi Gjuzelov.

Së fundmi, Inspektorati i Arsimit ka ndezur motorët dhe po hulumton shkeljet në pjesën më të madhe të universiteteve, në gjashtë muajt e fundit ky inspektorat ka punuar gjithsej 1,400 lëndë.