Çerdhja në Komunën e Tearcës mori leje, por institucionet nuk e tregojnë datën kur do të hapet
Tre vite pas fillimit të punimeve, çerdhja në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës para pak ditësh e ka marrë lejen për fillimin me punë, por institucionet nuk tregojnë datë konkrete se kur ky institucion do t’i hapë dyert, shkruan Portalb.mk. Ky objekt duhej të ishte gati që në vitin 2023 mirëpo zvarritja e procedurave nga […]
Tre vite pas fillimit të punimeve, çerdhja në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës para pak ditësh e ka marrë lejen për fillimin me punë, por institucionet nuk tregojnë datë konkrete se kur ky institucion do t’i hapë dyert, shkruan Portalb.mk.
Ky objekt duhej të ishte gati që në vitin 2023 mirëpo zvarritja e procedurave nga ana e autoriteteve ka bërë që kjo çerdhe ende të jetë e mbyllur.
Prindërit e mbi 150 fëmijëve me vite presin që çerdhja t’i hapë dyert.
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i pyetur nga Portalb.mk tha se kanë dhënë leje për fillimin me punë.
“Tearca e ka lejen të fituar, është aprovuar, është miratuar dhe pritet që të hapet ajo si çerdhe. Varet prej atyre, unë jap leje, lejen për hapje e kanë dhe varret prej tyre, lejen e kanë prej para një jave dy më duket se e kanë marrë. Lejen atë ditë që e japim ne, prej atë ditë mundet edhe të realizohet varret prej përgatitjeve të tyre”, tha Limani.
Por nga Komuna e Tearcës nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske për këtë çerdhe.
Nga Ministria e Politikës Sociale paraprakisht për Portalb.mk patën theksuar se çerdhja pritet të nisë funksionimin në gjysmën e parë të vitit 2025 por pa specifikuar datë konkrete.
Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 20221, ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023, por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale mbeti te rrjeti i ujësjellësit.
Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.
Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2). Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.
Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Realizues të punëve ndërtimore janë AK-Invest-Tetovë, ndërsa mbikëqyrës të punëve ndërtimore janë EuroConsult LTD-Shkup.