Sondazhi i IRI-t në Ballkanin Perëndimor: Mbështetje e fortë për anëtarësimin në BE, sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës të pajustifikuara
Sondazhi më i fundit shumëkombësh në Ballkanin Perëndimor kryer nga Qendra për Vështrime në Hulumtimet e Anketave (CISR) në kuadër të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon një mbështetje të gjerë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe një shumicë dërmuese e konsiderojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës si të pajustifikuar. Vendet e mbuluara nga sondazhi […]
Sondazhi më i fundit shumëkombësh në Ballkanin Perëndimor kryer nga Qendra për Vështrime në Hulumtimet e Anketave (CISR) në kuadër të Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon një mbështetje të gjerë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe një shumicë dërmuese e konsiderojnë luftën e Rusisë kundër Ukrainës si të pajustifikuar. Vendet e mbuluara nga sondazhi ishin Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina (BiH), Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, transmeton Portalb.mk.
Në pyetjen se a do e mbështesnin anëtarësimin në BE nëse një referendum do të mbahej sot, shumica dërmuese në pesë nga gjashtë vendet u përgjigjën që do të votonin për t’iu bashkuar aleancës, duke filluar me 68% në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje-Hercegovinë deri në 92% në Shqipëri. Në Serbi, një shumësi prej 40% mbështesin anëtarësimin në BE.
“Ekziston një dëshirë e madhe në të gjithë Ballkanin për t’i forcuar lidhjet ekonomike me vendet perëndimore dhe për t’u anëtarësuar në BE deklaroi Paul McCarthy, Drejtor për Evropën në IRI. “Kjo mbështetje e gjerë tregon se njerëzit në të gjithë rajonin besojnë se integrimi i mëtejshëm me Bashkimin Evropian mund të ndihmojë në arritjen e prosperitetit të qëndrueshëm”, thuhet në sondazh.
Në të vërtetë, çështjet ekonomike dominojnë prioritetet e qytetarëve për qeveritë e Ballkanit Perëndimor. Përveç Shqipërisë, ku papunësia ishte çështja kryesore, çmimet e larta dhe kostoja e jetesës ishin shqetësimi më i madh për qytetarët në pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Për më tepër, në të gjashtë vendet, korrupsioni u shfaq si një çështje me prioritet të lartë.
Sondazhi zbuloi gjithashtu se shumica në pesë nga gjashtë vendet e anketuara besojnë se lufta e Rusisë ndaj Ukrainës është plotësisht ose disi e pajustifikuar. Në Serbi, megjithatë, një shumësi prej 49% mendojnë se Rusia është plotësisht ose disi e justifikuar.
“Ndërsa këto shifra janë kryesisht pozitive, përgjigjet nga Serbia janë shqetësuese,” tha McCarthy. “Nëse paqja dhe siguria janë objektivat afatgjata në Ballkan, alternativa më e mirë për Serbinë është të refuzojë propozimet ruse dhe të ndërtojë lidhje më të forta me Perëndimin”.
Në sondazhin paraprak të zhvilluar në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Instituti Ndërkombëtar Republikan, gjeti një përkrahje të gjerë pro-Perëndimore tek shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe shtete tjera të rajonit ku jetojnë ata. Por, sipas drejtorit për Evropën të kësaj organizate këtu në Uashington, në kontrast të madh ndaj këtij orientimi pro-Bashkimit Evropian dhe NATO-s, qëndron Serbia, ndërkohë që përkrahja për kursin pro-evropian është zbutur edhe në vendet si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të dyja shtete anëtare të NATO-s.
Kosova dhe Shqipëria tregoi të ishin shtetet më pro-perëndimore në Ballkan.