Strugë, shëtitorja e rrënuar jo vetëm që rrezikon sigurinë e kalimtarëve por mbetet imazh i shëmtuar i qytetit
Vazhdon të mbetet e rrënuar një pjesë e shëtitores pranë liqenit në qytetin e Strugës. Me muaj të tërë në terren nuk është vërejtur asnjë hap konkret nga autoritetet relevante për sanimin e dëmit në fjalë. Muri i rrënuar gjendet në pjesën më të bukur të shëtitores dhe paraqet një fotografi të keqe për një […]
Vazhdon të mbetet e rrënuar një pjesë e shëtitores pranë liqenit në qytetin e Strugës. Me muaj të tërë në terren nuk është vërejtur asnjë hap konkret nga autoritetet relevante për sanimin e dëmit në fjalë. Muri i rrënuar gjendet në pjesën më të bukur të shëtitores dhe paraqet një fotografi të keqe për një qytet turistik, por, mbi të gjitha, ekspertët alarmojnë cenohet dhe siguria e kalimtarëve të rastit, shkruan Portalb.mk.
Shëtitorja pranë liqenit, në pjesën ku buron lumi Drini i Zi në Strugë, është atraksioni më i bukur turistik i qytetit si dhe lokacioni më i dashur për qytetarët vendas që pëlqejnë të sodisin peizazhin e këndshëm që ofron natyra. Kohëve të fundit, rrënimi i një pjesë të murit mbajtës të kësaj shëtitore, jo vetëm që të lë përshtypjen e një imazhi të shëmtuar por edhe është kthyer në cenim serioz të sigurisë për të gjithë kalimtarët e rastit që kalojnë aty pari.
Dëmi në fjalë, për herë të parë u paraqit në fillim të muajit nëntor të vitit 2023 dhe që atëherë gradualisht çarja dhe rrënimi i murit po zgjerohet. Një pjesë e stolave janë jashtë përdorimit, ndonëse ka raste kur dikush nuk analizon rrezikun dhe ndalet aty pranë për të ushqyer pulëbardhat, për të pushuar apo për të peshkuar. Edhe pse ka kaluar më shumë se 7 muaj, në terren nuk është vërejtur ndonjë lëvizje konkrete nga autoritetet relevante për riparimin e dëmit dhe minimalizimin e mundësive që dikush të lëndohet.
Në galerinë më poshtë mundet të shikoni gjendjen aktuale të shëtitores pran liqenit te rrjedha e lumit.
Arkitekti Resul Hani, alarmon se duhet urgjent të merren masa për sanimin e dëmit para se të ndodhë ndonjë tragjedi. Hani thekson se estetika as nuk vjen në shprehje për aq kohë sa ka rrezik që dikush të lëndohet. Nëse dëmi analizohet vetëm pak në aspekt ndërtimor mundet të konkludohet se në një moment të caktuar mundet të kolapsojë e gjithë pjesa e murit që qëndron mbi themelin e dëmtuar.
“Është shumë i rrezikshëm sepse vazhdimisht bëhet zgjerimi i dëmit në fjalë. Pa hyrë shumë detajisht në aspektin teknik dhe profesional rreziku ndodh për shkak se bëhet shkarkim poshtë murit mbajtës apo themeleve, largohet materiali mbajtës dhe muri fundoset. Ky proces ndodh vazhdimisht me çka dëmi zgjerohet, gjë që mundet shumë lehtë të konstatohet dhe me sy të lirë nëse e krahasojmë madhësinë e dëmit para disa muajsh dhe fazën aktuale. Duhet urgjentisht të ndërmerren masa me qëllim që pikë së pari të shmanget ndonjë tragjedi e mundshme. Askush nuk e di me saktësi sa i madh është shkarkimi apo gropa e krijuar në themele. Në një moment të caktuar mundet të ndodh që hapja mos jetë graduale por të fundoset komplet sipërfaqja bashkë me kalimtar të rastit nëse dikush qëllon të kalojë aty momentalisht”, deklaroi arkitekti Resul Hani.
I papranueshëm është dhe fakti që zona e dëmtuar as është rrethuar e as është informuar që kalimtarët të kenë kujdes kur kalojnë aty. Gjatë muajit maj është rritur dukshëm numri i fluksit të kalimtarëve në këtë pjesë për shkak të vizitorëve të shumtë që vizitojnë Strugën.
“Është i padiskutueshëm dhe fakti që nuk janë marrë masa mbrojtëse apo informuese, në të tilla raste duhet patjetër të vendohet një rrethojë e sinjalizuar dhe që në zonën e caktuar të njoftohet ndalimi i kalimit. Megjithatë e përsëris se nevoja për ndërhyrje për sanimin e këtij dëmi është shumë urgjente. Me një situatë të ngjashme jemi përballur dhe para 7-8 viteve, kur ra një pjesë e murit të shtratit të lumit Drini i Zi. Nga jashtë ishte e pamundur të konstatohet madhësia e dëmit e kjo na detyrojë të shimë zhytës profesionist në ujë për ta parë nga brenda se si qëndron situata. Na u deshën 2 muaj studime para se të nisen punimet e riparimit. Dhe besojë se rasti është i njëjtë janë kalbur dërrasat brenda në tokë, largohet materiali mbajtës në ujë, fundoset themeli dhe kolapson muri që ne e shikojmë në sipërfaqe. Unë kam qenë njeriu përgjegjës që e projektoi dhe sanoi dëmin në në murin e rrënuar në shtratin e lumit dhe pas kaq shumë vitesh jam i lumtur kur shikojë që ky mur nuk ka lëvizur aspak pas sanimit”, shtoi Resul Hani.
Ai është gjithashtu arkitekt i punësuar në sektorin urbanistik në Komunën e Strugës, por edhe përkundër faktit se ai ka pasur eksperiencë me një rast të ngjashme më herët, Hani thotë se deri më sot askush nuk është drejtuar tek ai për konsultim se si të menaxhohet me situatën në fjalë. Ai madje as nuk është i informuar nëse po planifikohet diçka konkrete për ta zgjidhur këtë problem.
Redaksia e Portalb.mk zyrtarisht kërkoi informacion dhe nga Komuna e Strugës si institucion përgjegjës që duhet të merr masa për sanimin e dëmit në fjalë.
Në prononcimin e tyre për redaksinë tonë thuhet:
“Kryetari i Komunës së Strugës, duke marrë parasysh se më datë 24.11.2023 është dëmtuar porti dhe rrjedha lumore e e lumit Drini i Zi në gjatësi rreth 35 metra, ka formuar komision me Vendim nr. 10-499/1 me detyrën e kryerjes së një kontrolli në vend. Pas kontrollit, komisioni ka përpiluar procesverbal dhe në bazë të tij është dërguar shkresa deri te SHA ESM e RMV HC Drini i Zi – Strugë, arkivuar me nr. 10-32/1 më datë 22.01.2024”.
Në procesverbalin që Komuna e Strugës dorëzoi në redaksinë e Portalb.mk theksohet se:
“Më 26.11.2023, komisioni i lartpërmendur doli në vendngjarje dhe konstatoi si në vijim: Porti dhe bregu i rrjedhës së lumit Drini i zi është dëmtuar në gjatësi 35 m. Është i dëmtuar muri mbajtës, janë dëmtuar themelet nga emuzijoni, gjithashtu ka rrëshqitur dheu dhe sipërfaqja e betonit është dëmtuar, janë dëmtuar dhe dy kandelavra për të cilat janë bërë fotografi si pjesë e procesverbalit.
Komisioni ka konstatuar dëmtimet e lartpërmendura dhe propozon që të kryhet sanimi i menjëhershëm në një afat sa më të shkurtër për të ndaluar dëmtimet e mëtutjeshme. Megjithatë, edhe përkundër konstatimit në letër deri në këto momente në terren nuk është bërë asgjë konkrete dhe këtë e tregon vetë gjendja momentale e shëtitores.