Studentët shqiptar nuk lejohen të përdorin gjuhën shqipe në provimin më të rëndësishëm për juristët
Studentëve shqiptar të fakulteteve juridike në Maqedoninë e Veriut nuk u lejohet t’i nënshtrohen në gjuhën shqipe provimit më të rëndësishëm për juristët. Provimi i jurisprudencës aktualisht është vetëm në gjuhën maqedonase. Nuk ka ligj që shkruan në mënyrë eksplicite se provimi nuk guxon të mbahet në gjuhën shqipe, por që të sigurohet përdorimi i […]
Studentëve shqiptar të fakulteteve juridike në Maqedoninë e Veriut nuk u lejohet t’i nënshtrohen në gjuhën shqipe provimit më të rëndësishëm për juristët. Provimi i jurisprudencës aktualisht është vetëm në gjuhën maqedonase. Nuk ka ligj që shkruan në mënyrë eksplicite se provimi nuk guxon të mbahet në gjuhën shqipe, por që të sigurohet përdorimi i shqipes dhe mos të mbetet peng i “vullnetit” të zyrtarëve, megjithatë nevojiten ndryshime ligjore. Ish-ministri i drejtësisë, Krenar Lloga në fund të mandatit të tij tentoi të ndërmerr hapa më konkrete por s’pati kohë t’i procesojë ndryshimet, ndërkaq pushteti aktual këtë s’e ka fare në plan, shkruan Portalb.mk.
Mevlan Ademi është në prag të kryerjes së studimeve në Fakultetin Juridik të Universitetit të Evropës Juglindore. Çdo ligjëratë, çdo term juridik të nevojshëm e ka mësuar në gjuhën shqipe kurse tani ai duhet të testohet në gjuhën maqedonase.
“Kjo ndikon shumë keq, është një problem që ne me kolegët vazhdimisht e diskutojmë në orët tona. Mëson katër vite, kryen fakultet, studime në gjuhën shqipe, me të gjitha materialet në gjuhën shqipe edhe në fund të mohoet një e drejtë të cilën e ke të garantuar. Është diskriminim kundrejt studentëve tanë, kundrejt studentëve që studiojnë në gjuhën shqipe, edhe besoj se është ekstrem shumë demotivuese për studentët” tha Mevlan Ademi për Portalb.mk.
Ademi thotë se për pasojë, shumë juristë shqiptar demotivohen dhe vendosin të mos i nënshtrohen fare këtij provimi, duke i mohuar vetes zhvillimin në karrierë, por jo për fajin e tyre.
“Disa prej kolegëve e kanë larguar plotësisht mundësinë që ta paraqesin provimin e jurisprudencës, duke marrë parasysh se duhet edhe njëherë prej fillimi të nisin t’i mësojnë të gjitha gjërat, dhe thjeshtë dorëzohen” tha Ademi.
Ai bashkë me krerët e Kuvendeve Studentore të disa universiteteve në vend i janë drejtuar me një letër Ministrisë së Drejtësisë, Inspektoratit të Gjuhëve dhe Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe. Asnjë prej këtyre institucioneve nuk u është përgjigjur.
“Këtu vërehet interesimi i institucioneve, ata gjithmonë thonë se rinia është e rëndësishme, apo mendimi i rinisë është i rëndësishëm edhe tani ne kur kërkojmë diçka ajo as që merret parasysh, mendoj se ka ngelë si një temë tabu që nuk preket nga institucionet, por presim ende” shtoi ai.
Qindra jurist shqiptar diplomojnë çdo vit në Maqedoninë e Veriut
Në pesë vitet e fundit, studimet për drejtësi dhe kriminalistikë në gjuhën shqipe i kanë kryer gjithsej 976 studentë, në Universitetin e Tetovës (drejtimi drejtësi dhe kriminalistikë) dhe Universitetin e Evropës Juglindore ndërsa nga ky vit është akredituar edhe Fakulteti Juridik në Universitetin “Nënë Tereza”.
Gjithsej 846 vërtetime për dhënie të provimit të jurisprudencës janë lëshuar nga viti 2020 deri në vitin 2024.
Por, Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna se sa prej këtyre studentëve i janë nënshtruar provimit të jurisprudencës, thonë se kandidatëve për këtë provim “nuk iu kërkohet se në cilin universitet i kanë kryer studimet”.
Jozyrtarisht, mësojmë se numri i studentëve shqiptar që i janë nënshtruar këtij provimi në krahasim me atë të studentëve maqedonas është shumë i vogël. Një nga arsyet për këtë është mospasja e së drejtës që këtij provimi t’i nënshtrohen në gjuhën amtare.
Një numër i vogël i studentëve shqiptar pranohen në Akademinë për Gjyqtarë dhe Prokurorë Publik, ku gjithashtu i gjithë procesi zhvillohet në gjuhën maqedonase. Portalb-i siguroi të dhëna statistikore për këtë.
Në pesë vitet e fundit nga kjo akademi kanë kaluar dy gjenerata me 157 studentë gjithsej, prej të cilëve vetëm 31 janë nga fakultetet juridike në gjuhën shqipe. Kjo akademi është e patjetërsueshme nëse synoni që në të ardhmen të bëheni gjykatës ose prokurorë publik. Megjithatë, theksojmë se ka edhe shqiptarë që studiojnë në fakultetin juridik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.
Boshllëqet ligjore mundësojnë këtë
Portalb-i analizoi kontektstin pozitiv ligjor në lidhje me mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Por megjithatë, mos rregullimi konciz i kësaj dhe boshllëqet ligjore i mundësojnë institucionet që t’i diskriminojnë juristët shqiptar në Maqedoni.
Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga kishte filluar punën për ndryshimin e kësaj, por i ishte kujtuar vonë.
Për Portalb.mk thotë se i është dashur të përgatisë ndryshime ligjore për gjithsej 3 ligje.
“Jam munduar të bëj akte nënligjore që do të mundësonin këtë, por bashkë me sekretarin ligjvënës në qeveri u konkludua se nevojiten ndryshime ligjore. Këto ndryshime i dorëzova në Kuvend në fillim të vitit 2024 por përbërja e kaluar e Kuvendit nuk arriti t’i shqyrtojë pasi ishim në fund të mandatit” tha ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
Ai shtoi se “me të nisur mandati i Kuvendit të ri dhe zjgedhjes së Afrim Gashit për kryetar, i jam drejtuar si ministër në detyrë me letër urgjence që të vihen në shqyrtim këto ndryshime, për fat të keq nuk mora përgjigje, dhe sot që flasim nuk ka lëvizur asgjë kurse këto ligje mbahen në sirtaret e Kuvendit”.
Qeveria aktuale s’e ka në plan një gjë të tillë
Nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut na konfirmuan nismën e ish-ministrit Krenar Lloga, por thanë se me ikjen e qeverisë paraprake, ikin edhe ligjet e propozuara nga ajo qeveri ndërsa komisioni përkatës asokohe s’kishte arritur t’i kalojë ndërsa qeveria aktuale nuk ka propozuar diçka të tillë.
“Në përbërjen paraprake këto ndryshime kanë qenë në lexim të rregullt, janë vendosur në rend të dite në lexim të parë mirëpo nuk kanë kaluar në komisionet përkatëse kuvendore ndërsa me të mbarura mandati i tyre, mbaron edhe puna për ligjet që kanë qenë atëherë nëse qeveria e re nuk propozon që ato ndryshime të vazhdohen” thanë nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.
Aktualisht nuk ka as iniciativë as vullnet për t’u inicuar këto ndryshime. Nga Ministria e Drejtësisë në pyetjen e Portalb.mk se a mendojnë që diskriminohen juristët shqiptar duke mos i lejuar t’i nënshtrohen provimit në gjuhën shqipe, u përgjigjën shkurt se “ne funksionojmë në bazë të ligjeve, jo mendimeve”.
“Të njëjtin material, duhet ta mësojmë edhe njëherë, në gjuhë tjetër”
Arta Mero, profesoreshë në Fakultetin Juridik në UEJL thotë se rregullimi ligjor aktual nuk e përcakton kategorikisht se në cilën gjuhë duhet të jepet provimi i jurisprudencës. Potencoi se ligji i gjuhëve e lejon ndërsa ligji për provimin e jurisprudencës s’e ndalon.
“Bazuar në ligjin për përdorimin e gjuhëve, e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare përfshinë edhe arsimin që në rastin konkret përfshinë të drejtën e vazhdimësisë së arsimimit të praktikës juridike që do të thotë të drejtën e qasjes së provimeve profesionale, dhe provimeve kualifikuese që për juristët janë provimi i jurisprudencës, noterisë dhe provimi për përmbarues, pra të mund të jepen në gjuhën shqipe. Ligji për provimin e jurisprudencës në asnjë dispozitë ligjore nuk ka ndonjë urdhër të prerë që patjetër provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën maqedone” tha Arta Mero.
Por sipas saj, asnjëherë s’ka ekzistuar vullneti që ky provim të përgatitet në gjuhën shqipe, thotë se për këtë madje më herët nuk ka pasë as kërkesa, ndërsa potencoi rëndësinë që ky provim të jepet edhe në gjuhën shqipe.
“Marrë parasysh faktin që studentët tanë të drejtën pozitive e mësojnë dhe e studiojnë në gjuhën shqipe, në kuadër të fakulteteve juridike në gjuhën shqipe që ne i kemi në shtet, është mëse e arsyeshme që profesionin e juristit ata ta vazhdojnë në gjuhën shqipe” tha Mero.
Sipas profesoreshës Mero, ka shumë studentë që heqin dorë nga dhënia e provimit të jurisprudencës pasi ata nuk janë të përgatitur t’i nënshtrohen një provimi aq të vështirë, në një gjuhë krejtësisht tjetër nga ajo që kanë studijuar.
“Kjo është një fakt shumë i rëndësishëm pse shumë studentë të cilët përfudnojnë fakultetin juridik, refuzojnë që të japin provimin e jurisprudencës në gjuhën maqedone për shkak se ata nuk janë të përgatitur për atë terminologji me të cilën duhet të jepet ky provim” shtoi Mero.
Ajo theksoi që kjo mund të bëhet shumë thjeshtë pasi “të gjitha ligjet të cilat janë në kuadër të programit për përgatitjen për provimin e jurisprudencës mund t’i hasim edhe në gjuhën shqipe”.
Të ndiqet shembulli i provimit profesional për mjekë
Pas insistimit të Shoqatës së Mjekëve Shqiptar dhe vullnetit të mirë të Odës së Mjekëve Shqiptar, nga qershori i këtij viti provimit profesional për mjekësi, kandidatët mund t’i nënshtrohen edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Vlen të theksohet se në vitet paraprake edhe kur s’ka pasë ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.
Rikujtojmë që në dhjetor të këtij viti në Gjykatën Kushtetuese do të shqyrtohet kushtetuetshmëria e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Portalb-i zbuloi që ndër nenet që rrezikon është edhe përdorimi i gjuhës shqipe në procese gjyqësore.