RMV, ndryshimet ligjore për arsimin fillor dhe të mesëm lënë hapsirë për diskriminim, paralajmërojnë ekspertët

Javën që shkoi përmes një reagimi me shkrim nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi (RRMD) shprehën shqetësim për mundësinë e miratimit të propozim-ligjeve për arsimin fillor dhe të mesëm, që sipas tyre, në vend të përmirësimit të mbrojtjes së nxënësve nga diskriminimi dhe dhuna në procesin arsimor, do të paraqesin kthim për një hap prapa. […]

Nëntor 16, 2024 - 12:00
 0  3
RMV, ndryshimet ligjore për arsimin fillor dhe të mesëm lënë hapsirë për diskriminim, paralajmërojnë ekspertët
Nxënës, Shkolla Fillore "Kiril dhe Metodi", Tetovë, Foto: Portalb.mk

Javën që shkoi përmes një reagimi me shkrim nga Rrjeti për Mbrojtjen nga Diskriminimi (RRMD) shprehën shqetësim për mundësinë e miratimit të propozim-ligjeve për arsimin fillor dhe të mesëm, që sipas tyre, në vend të përmirësimit të mbrojtjes së nxënësve nga diskriminimi dhe dhuna në procesin arsimor, do të paraqesin kthim për një hap prapa. Siç bëjnë të ditur nga atje, në kundërshtim me hierarkinë ligjore, në propozim-ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm, janë hequr bazat e mbrojtura nga diskriminimi “gjini”, “identiteti gjinor” dhe “orientimi seksual”. Siç thonë ata, ky është rasti i parë i regresionit të mbrojtjes nga diskriminimi në legjislacionin tonë, transmeton Portalb.mk.

Në këtë temë Meta.mk diskutoi me autoritetet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH), si dhe me përfaqësues të Rrjetit, nga ku vlerësojnë se ndryshimet e propozuara i cenojnë ashpër të drejtat e fëmijëve, si dhe rrezikojnë drejtpërdrejt integritetin e tyre mendor dhe fizik.

“Kur institucionet sistematikisht do përjashtojnë dhe fshijnë grupe të caktuara të nxënësve, atëherë ata dërgojnë drejtpërdrejt një sinjal se inkurajohet përjashtimi dhe shtypja e mëtejshme e këtyre grupeve në shoqëri. Krahas kësaj, veprime të tilla përcjellin edhe një sinjal për agresorët, nga të cilët gratë, vajzat dhe nxënësit LGBTI+ përjetojnë dhunë të vazhdueshme, se veprimet e tyre janë vetëm një vazhdim i mënyrës se si institucionet i trajtojnë këto grupe, duke e normalizuar dhunën e tyre. Me miratimin e këtyre ndryshimeve ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm do të jenë në kundërshtim me dispozitat dhe frymën e Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, në të cilin gjinia, orientimi seksual dhe identiteti gjinor njihen si bazë për diskriminim”, thuhet në reagimin e i RRMD -së.

Maja Atanasova nga RRMD për Meta.mk thotë se pas reagimit të tyre publik për këtë çështje, ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska, i ka pritur menjëherë në takim.

“Ajo ishte e hapur për diskutim, por në takim na u tha se nuk do të heqin dorë nga ajo që është vendosur. Ministrja edhe paraprakisht ka thënë se mbrojtja e këtyre bazave është e mbuluar me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe se bazat mbrojtëse të fshira do të vazhdojnë të mbrohen me klauzolën e hapur, pra me “dhe të tjera”. Pra, kështu, nga aspekti ligjor, mbrojtja mbetet në fuqi, por ligjet nuk janë të harmonizuara me Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, me çka shkilen garancitë kushtetuese për respektimin e hierarkisë së ligjeve. Problemi është se personat që nuk janë juristë nuk do të ulen dhe t’i lexojnë të gjitha ligjet dhe ta interpretojnë se çfarë ka dashur të thotë ligjvënësi. Ata do ta hapin vetëm ligjin që u intereson dhe do të shohin që këto baza nuk janë të mbuluara me atë ligj. Kjo mund të jetë rrezik nëse shkollat ​​nuk e njohin nevojën e krijimit të mbrojtjes kundër diskriminimit mbi këto baza, edhe pse shifrat e Komisionit për Mbrojtjen dhe Parandalimin e Diskriminimit flasin për një nevojë serioze”, tha Atanasova për Meta.mk.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Meta.mk thonë se po punohet për përmirësimin e rregullimit ligjor në fushën e arsimit dhe se në këtë proces janë të përfshirë të gjithë aktorët relevant.

“Opinioni publik është shumë i rëndësishëm për ne dhe për këtë arsye ne kemi hapur një diskutim publik për gjashtë zgjidhjet ligjore. Janë përgatitur draft versionet të cilat i kemi publikuar në sistemin qeveritar ENER me mundësi për sugjerime dhe propozime shtesë. Ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm janë definuar në atë mënyrë që të mund t’i mbrojnë nxënësit nga çdo lloj diskriminimi, nga segregacioni, por edhe nga aktivitetet e ndryshme programore dhe projektuese që nuk janë të definuara në programet mësimore dhe që mund ta dëmtojnë zhvillimin dhe drejtimin e tyre. Në fakt, në Maqedoni ekziston edhe një Ligj i veçantë për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në të gjitha segmentet, kjo do të thotë edhe në arsim dhe në çdo rast  ne mund të referohemi në dispozitat e tij”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Nga atje sqarojnë se propozim-ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm do të kalojnë në procedurë parlamentare, me ç’rast edhe deputetët do të kenë mundësi ta përmirësojnë më tej përmbajtjen e tyre.

“Është me shumë rëndësi që Ministria e Arsimit dhe Shkencës jo vetëm që ligjërisht do t’i mbrojë nxënësit nga diskriminimi dhe segregacioni, por në periudhën në vijim bashkë me shkollat ​​dhe sektorin civil do të jemi më të fokusuar në aktivitete parandaluese dhe edukimin e nxënësve për respektimin e diversitetit dhe për ndërtimin e një mjedisi mësimor paqësor, harmonik dhe të sigurt. Këto aspekte të sistemit arsimor tashmë janë diskutuar në një takim mes Ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe shoqatave civile”, shtojnë nga MASH për Meta.mk.

Në reagimin e RRMD-së thuhet se ata e mbështesin përkushtimin e Qeverisë që të veprojë në përputhje me Aktgjykimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut – Elmazova dhe të tjerë kundër Republikës së Maqedonisë së Veriut, por se megjithatë këto propozim-ligje përmbajnë elemente që nuk i referohen këtij aktgjykimi, por që në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa dyshim paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.

“Rikujtojmë se të gjitha liritë dhe të drejtat që shteti ua garantoi qytetarëve me ratifikimin e konventave ndërkombëtare konsiderohen liri dhe të drejta të garantuara si vlerë themelore e rendit kushtetues. Komentet e përgjithshme të Komitetit për të Drejtat e Fëmijëve, Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave me rekomandimet e saj të përgjithshme, Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës Kundër Grave dhe Dhunës në Familje – janë ratifikuar dhe në përputhje me këtë kanë të njëjtën vlefshmëri si ligjet ekzistuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Bazuar në këtë, ne nuk duhet të lejojmë miratim të ligjeve që bien ndesh me konventat ndërkombëtare që i kemi ratifikuar”, thuhet në reagim.