Szunyog: Për heqjen e masave ndaj Kosovës duhet të pajtohen 27 shtetet e BE-së, ashtu sikur u pajtuan për vendosjen
Bashkimi Evropian që nga viti 2008 në Kosovë ka investuar 1.7 miliard euro, dhe kjo shifër e bën BE-në donatorin më të madh. Kështu ka deklaruar ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në përfundim të mandatit në Kosovë. Szunyog ka thënë se projektet e BE-së vitet e fundit janë më pak “të dukshme”, pasi […]
Bashkimi Evropian që nga viti 2008 në Kosovë ka investuar 1.7 miliard euro, dhe kjo shifër e bën BE-në donatorin më të madh. Kështu ka deklaruar ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në përfundim të mandatit në Kosovë.
Szunyog ka thënë se projektet e BE-së vitet e fundit janë më pak “të dukshme”, pasi ato fokusohen në fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar e korrupsionin, reforma e administratës publike, mjedisi dhe energjia e gjelbër etj, dhe jo ndërtim urash ose të ngjashme.
Diplomati çek e mori detyrën e shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë/ përfaqësuesit të Posaçëm të BE më 1 shtator 2020 dhe zyrtarisht e përfundon angazhimin më 31 gusht 2024. Ai ka veçuar disa nga momentet më të mira që ka kaluar në Kosovë, por edhe disa momente të këqija.
“E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian (BE) dhe ky angazhim i është premtuar Kosovës dhe rajonit qysh në vitin 2003 në Samitin e Selanikut”, ishte një nga deklaratat “shpresëdhënëse” të Szunyog për kosovarët, të cilën me siguri e kanë përsëritur edhe pararendësit e tij.
Ambasadori Szunyog duke folur për masat që janë vendosur ndaj Kosovës, para më shumë se një viti, ka theksuar se ato janë vendosur pas ngjarjeve të 29 majit të vitit të kaluar dhe sulmit ndaj KFOR-it në Zveçan, e kjo situatë serioze, sipas tij e ka detyruar BE-në që të reagojë.
“Më lejoni ta them në këtë mënyrë. Jam i sigurt se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Meqë ra fjala, këtë angazhim e kemi premtuar edhe në samitin e Selanikut në vitin 2003. Pra, është shumë e qartë se Kosova një herë do të ulet në tryezë në Bruksel dhe do të vendosë”.
“Një gjë është se këto masa janë marrë si reagim ndaj ngjarjeve në Zveçan më 29 maj (2023) dhe sulmit kundër KFOR-it. Kështu që unë mendoj se është e qartë se kjo ishte një krizë vërtet serioze dhe një situatë serioze dhe ne ndjemë se duhet të reagojmë. Prandaj, në fakt 27 shtete anëtare ranë dakord për deklaratën e 3 qershorit”, ka thënë ai.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë ka thënë se për vendosjen e këtyre masave u pajtuan 27 shtetet anëtare dhe për heqja e tyre përsëri duhet që të ketë pajtim nga këto 27 shtete.
Ai ka shtuar se momentalisht janë duke u zhvilluar diskutime midis 27 shteteve anëtare të BE-së dhe se shpreson se shumë shpejt do të gjendet një marrëveshje për heqjen e tyre.
“Nuk e di se nga vjen kjo narrativë e votimit dhe mosvotimit, por kjo deklaratë u pajtua qartë nga 27 shtete anëtare. Gjëja e dytë është se padyshim e njëjta gjë vlen edhe për heqjen eventuale të masave. Kjo duhet të miratohet nga 27 shtete anëtare. Po zhvillohet një diskutim midis 27 shteteve anëtare dhe shpresoj se shumë shpejt do të gjeni marrëveshje për këtë. Por përsëri, qëndrimet tona për këtë ishin shumë të qarta dhe është qëndrim i 27 shteteve anëtare që në fillim, dhe ai do të përfundonte me qëndrimin e përbashkët të 27 shteteve anëtare”, ka thënë ai.
Szunyog ka thënë se nga viti 2008 BE-ja në Kosovë për çdo vit ka investuar përafërsisht nga 100 milionë euro, duke e bërë BE-në donatorin më të madh në vend.
Ai ka thënë se projektet e BE-së janë më pak të dukshme, pasi ato fokusohen në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionin, reformën e administratës publike e të tjera.
“Por nëse shikoj fondet e BE-së, le të themi që nga viti 2008, ne kemi investuar 1.7 miliardë euro në Kosovë, që do të thotë pak a shumë për 17 vjet janë 1.7 miliard, që do të thotë përafërsisht 100 milionë euro në vit. Kjo në fakt është shifra që na jep pozitën e donatorit më të madh të Kosovës. Kështu që unë mendoj se ne me të vërtetë jemi duke u fokusuar në ndihmë. Sigurisht, disa nga projektet tona janë më pak të dukshme, sepse fokusohen në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionin, reformën e administratës publike e të tjera. Pra, ato nuk janë ndërtesa apo ura dhe gjëra të tjera”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se vitet e fundit BE-ja është fokusuar edhe në sektorin e energjisë, që ta ndihmojë Kosovën që të kalojë nga termocentralet e vjetruara me qymyr në sisteme të qëndrueshme dhe të gjelbra të energjisë.
“Kohët e fundit jemi fokusuar edhe në sektorin e energjisë. Pra, ne vërtet përpiqemi ta ndihmojmë Kosovën që të kalojë nga ato termocentrale të vjetruara me qymyr në sisteme moderne, të qëndrueshme të energjisë, të cilat do të jenë gjithashtu në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër. Por gjithashtu ne shikojmë gjithnjë e më nga afër mbrojtjen e mjedisit dhe si të përmirësojmë menaxhimin e mbeturinave, për shembull ose mbrojtjen e burimeve ujore, menaxhimin e ujërave të zeza dhe të tjera. Pra, duke folur në përgjithësi, meqenëse në fakt fondet që po japim për Kosovën quhen instrumente për ndihmë të para-anëtarësimit, ne e shikojmë Kosovën si një shtet të ardhshëm anëtar të BE-së. Kështu që ne duam ta përafrojmë ndihmën tonë sa më afër me prioritetet tona”, ka thënë ai.
Szunyog në këtë intervistë ka folur edhe në lidhje me ngjarjet që e kanë karakterizuar mandatit e tij katërvjeçar si ambasador në Kosovë. Ai ka thënë se mandati i tij ka qenë mjaft i ngarkuar dhe asnjëherë nuk ka pasur ndonjë moment të mërzitshëm.
Ai si momente pozitiv në mandatin e tij e ka përmendur sigurimin e vaksinave kundër Covid-19 në vitin 2021 si dhe liberalizimin e vizave.
“Epo, po, ky është pothuajse fundi i mandatit tim. Unë në fakt kam ardhur në Kosovë më 1 shtator 2020 , kështu që po përfundoj më 31 gusht 2024, saktësisht katër vjet më vonë. Më duhet të them se mandati im ka qenë mjaft i ngarkuar, asnjëherë një moment i mërzitshëm, asnjëherë një ditë e mërzitshme, dhe sigurisht ka pasur disa zhvillime pozitive, por ka pasur edhe disa zhvillime më pak pozitive”.
“Nëse mund të them, e dini, disa shembuj të çështjeve pozitive. Kam ardhur gjatë krizës së COVID, kështu që isha vërtet shumë i lumtur që kur në pranverë 2021 ne ishim në gjendje, së bashku me shtetet tona anëtare, të siguronim vaksina për Kosovën. Kjo ishte me të vërtetë një ditë e mirë për mua. Gjithashtu, padyshim, që 1 janari i këtij viti me liberalizimin e vizave ishte gjithashtu një ditë shumë e mirë për mua. Sigurisht, ka pasur edhe ditë të vështira, disa ditë vërtet të këqija”, ka thënë ai.
Si ngjarje jopozitive në mandatin e tij, ambasadori Szunyog ka thënë se kanë qenë kriza në Zveçan dhe sulmi në Banjskë.
“Unë do të përmendja vetëm 29 majin e vitit të kaluar, kur kriza në Zveçan po dukej vërtet serioze, dhe përsëri rezultoi në një sulm kundër ushtarëve të KFOR-it me, për fat të keq, një numër ushtarësh u plagosur. Dhe padyshim që edhe 21 shtatori i vitit të kaluar dhe sulmi në Banjskë ishte gjithashtu një ditë vërtet e keqe. Përfundoi në një mënyrë, jo shumë keq, por e gjithë dita ishte vërtet e tmerrshme”, ka thënë ai për EO.