Talat Xhaferi drejtoi edhe në gjuhën shqipe seancën e parë konstituive të Qeverisë së re

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut filloi seanca parë e përbërjes së sapo zgjedhur të Qeverisë. Në fillimin e seancës konstituive të Qeverisë së sapo zgjedhur kalimtare, u drejtua Kryetari i ri i Qeverisë, Talat Xhaferi. Ajo që bie në sy pas zgjedhjes së Qeverisë së re, është se komunikatat për mediat, tani […]

Jan 30, 2024 - 17:00
 0  5
Talat Xhaferi drejtoi edhe në gjuhën shqipe seancën e parë konstituive të Qeverisë së re
Talat Xhaferi si kryeministër në Qeverinë teknike të Maqedonisë së Veriut 2024. Foto: Qeveria

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut filloi seanca parë e përbërjes së sapo zgjedhur të Qeverisë. Në fillimin e seancës konstituive të Qeverisë së sapo zgjedhur kalimtare, u drejtua Kryetari i ri i Qeverisë, Talat Xhaferi. Ajo që bie në sy pas zgjedhjes së Qeverisë së re, është se komunikatat për mediat, tani dërgohen në të njëjtën kohë në të dy gjuhët, maqedonisht dhe shqip, praktikë që është zbatuar në Kuvend deri tani, por ndryshe nga Qeveria paraprake që kumtesat në shqip i dërgonte me vonesë, ose aspak, raporton Portalb.mk.

Kryeministri Xhaferi gjatë seancës, në gjuhën shqipe kumtoi pritjet nga puna e Qeverisë së re në pjesën e organizimit dhe zbatimit të zgjedhjeve të ardhshme dhe për realizimin e obligimeve aktuale të Qeverisë, në interes të qytetarëve.

“Para nesh është një detyrë kyçe, përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të rregullta të lira, korrekte dhe demokratike në një procedurë të drejtpërdrejtë, të hapur dhe ligjore. Në detyrën tonë, ne kemi obligim të bashkëpunojmë me Kuvendin dhe Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Misionin e OSBE/ODIHR-it, por edhe me Bashkimin Evropian dhe SHBA-në, me qëllim që të sigurojmë standarde më të larta evropiane në procesin e fushatës zgjedhore dhe vetë zgjedhjet me fokus të plotë në krijimin e kushteve në të cilat qytetarët do e shprehin qartë vullnetin e tyre në zgjedhje,” tha Kryeministri Xhaferi.

“Këtu jemi po ashtu për të siguruar funksionimin e rregullt të institucionit, bashkëpunimin dhe gjithëpërfshirjen në punë dhe nga kjo Qeveri pres efikasitet dhe të jetë në funksion të interesave të qytetarëve, duke qenë transparente dhe llogaridhënëse”, theksoi Kryeministri Xhaferi.

Ai tha se pret që të gjithë anëtarët e Qeverisë të investojnë gjithë diturinë dhe përvojën e tyre dhe të punojnë me përkushtim në interes të qytetarëve dhe se të gjitha sfidat përpara t’i tejkalojnë bashkë, në mënyrë transparente dhe profesionale.

Kryetari i Qeverisë, Talat Xhaferi, në fjalimin e tij të parë para përbërjes së sapo zgjedhur të Qeverisë, ua uroi zgjedhjen anëtarëve të Qeverisë dhe u dëshiroi punë dhe bashkëpunim të suksesshëm.

Kujtojmë se Xhaferi e mori dje postin e kryeministrit nga Dimitar Kovaçevski, i cili do të drejtojë vendin për 100 ditë.

Për herë të parë në historinë e vendit, me 65 vota për” dhe 3 “kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut në krye të një Qeverie zgjodhi një shqiptar, përkatësisht Talat Xhaferin. Kjo Qeverido të duhet t’i organizojë zgjedhjet e rregullta parlamentare dhe presidenciale në 100 ditët e ardhshme. Në këtë përbërje me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të, Punës dhe Politikës Sociale do të udhëheqin kuadrot e VMRO-DPMNE-së opozitare, e cila nuk e votoi qeverinë. 65 votat, mbështetëse për Xhaferin kryeministër erdhën nga partia e tij amë, BDI, partia pushtetare maqedonase LSDM e cila në vete ka dhe disa parti tjera më të vogla partnere, por edhe nga partia Aleanca për Shqiptarët e cila prej marsit të vitit të kaluar ka hyrë në qeveri. Me një votë, kontribuoi edhe partia e posaformuar Partia Demokratike Evropiane nga i larguari nga Lëvizja Besa, Arianit Hoxha, me deputetin e saj Bastri Bajrami. Ashtu sikur PDE, votoi edhe Skender Rexhepi, deputeti i cili gjithashtu formoi Lëvizjen Populli, pasi u largua nga partia Alternativa. Tre deputetët e vetëm që votuan kundër ishin Pavle Trajanov – lider i Lidhjes Demokratike, i cili deri para ca kohësh ishte partner qeveritar. Atij iu shoqëruan edhe dy deputetët e partisë proruse në vend, Levica, kryetari Dimitar Apasiev dhe kolegu i tij Borisllav Krmov.

Qeveri teknike zakonisht krijohet për të kryer një (një) detyrim specifik, për një periudhë kohore të përcaktuar saktësisht, me fuqi vendimmarrëse rreptësishtë të kufizuara. Kryeministri teknik nuk mund të përdorë “të drejtat” e qeverisë politike – të propozojë ambasadorë, drejtorë të ndërmarrjeve publike nën juridiksionin e qeverisë, anëtarë në borde drejtuese.