Taravari: Më vjen keq që kryeministri nën presion u bë viktimë e disa bestytnive, personalisht do t’ia shpjegoj gjërat

Ministri i Shëndetësisë dhe lider i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari duke e komentuar deklaratën e sotme të kryeministrit Hristijan Mickoski thotë se ai (kryeministri) periudhën e kaluar ka qenë nën presion të madh dhe se i vjen keq që u bë viktimë e disa ‘bestytnive’, njofton Portalb.mk. Taravari në deklaratë për […]

maj 12, 2025 - 02:00
 0  6
Taravari: Më vjen keq që kryeministri nën presion u bë viktimë e disa bestytnive, personalisht do t’ia shpjegoj gjërat
Arben Taravari. foto: Meta.mk

Ministri i Shëndetësisë dhe lider i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari duke e komentuar deklaratën e sotme të kryeministrit Hristijan Mickoski thotë se ai (kryeministri) periudhën e kaluar ka qenë nën presion të madh dhe se i vjen keq që u bë viktimë e disa ‘bestytnive’, njofton Portalb.mk.

Taravari në deklaratë për TV21 ka theksuar se personalisht do të bisedojë me Mickoskin që t’ia shpjegojë më mirë gjërat rreth vendimit që Aleanca për Shqipëtarët të marrë pjesë me lista të veçanta për këshilltarë në zgjedhjet lokale që duhet të mbahen në tetor.

“Kryeministri Mickoski ka qenë dhe është nën një presion të madh kohëve të fundit për shkak të disa gjërave, dhe më vjen keq kur dëgjoj që edhe ai bie pre e këtyre ‘besytnive’. E vërteta e vetme është se ne si parti kemi vendosur të dalim me lista të veçanta këshilltarësh në zgjedhjet lokale. Ky vendim nuk u mirëprit nga grupi shqiptar në Qeveri dhe ngritën 1 mijë alibi. Ne nuk duam të jemi më pjesë e kësaj klime thashethemesh dhe konspiracionesh që është krijuar. Ata politikanë shqiptarë që janë në Qeveri fatkeqësisht nuk ndryshojnë dot, janë pasardhës të mentalitetit të vjetër politik. Gjithsesi do të flas personalisht me z.Mickoski për t’i treguar qartë e saktë për vendimin tonë”, ka theksuar Taravari.

Kryeministri Hristijan Mickoski sot theksoi se Qeveria është stabile, ka shumicë të madhe dhe është e fokusuar në agjendën reformuese dhe realizimin e projekteve. Ai paralajmëroi se javën e ardhshme pritet që ketë takim përfundimtar me ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari, në të cilin do të përmblidhet gjithçka që është bërë.

“Mendoj se zotëri Taravari dhe disa të tjerë rreth tij kanë vendosur të kthehen në përqafimin e Ali Ahmetit dhe Bashkimit Demokratik për Integrim. Unë mundem vetëm t’i dëshiroj fat dhe shpresoj se do të kemi një takim përfundimtar gjatë javës së ardhshme, në të cilin do të përmbledhim gjithë ajo që është bërë. Jas mundem t’i dëshiroj para së gjithash shëndet të mirë, kjo është ajo që për të gjithë ne është më e rëndësishme”, deklaroi Mickoski në pyetjet e gazetarëve gjatë vizitës në Komunën e Gazi Babës.

Më 5 maj, Mickoski dhe Taravari realizuan takim, i cili u caktua pas trazirave në Koalicionin “Vlen” dhe pohimeve për bashkëpunim të Taravarit me BDI-në. Siç brifuanatëherë nga pres-shërbimi qeveritar, takimi ka kaluar në frymë konstruktive, ndërsa gjatë muajit do të kuptohet ardhmëria për funksionimin e ASH-së.

Ndryshe, koalicioni shqiptar në qeveri VLEN pësoi përçarje. ASH-ja e Taravarit vendosi që në zgjedhjet lokale, të planifikuara për në fund të vitit 2025, të garojë me lista të veçanta. Pas këtij vendimi krerët e VLEN-it, konstatuan se Taravari, me këtë veprim e ka vetëpërjashtuar veten nga koalicioni.

Tani për tani, pikëpyetje mbetet fati i dy subjekteve politike për qëndrim më tej në qeveri. Muajin e fundit në disa paraqitje Mexhiti dhe Kasami ia kanë treguar derën e daljes nga qeveria ASH-së, por kjo e fundit thotë se gjithçka varet nga vendimi i Mickoskit.

Koalicioni VLEN përbëhej nga Lëvizja Besa, Alternativa, Lëvizja Demokratike dhe Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit). Ky koalicion garoi bashkë edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën në maj 2024, ku morën 14 deputetë dhe janë pjesë e Qeverisë.