Taravari: Ose do të zgjerohet “Termi im” ose do të ketë digjitalizim të ri
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, gjatë vizitës së sotme në ambientet e rinovuara të Institutit Universitar të Radiologjisë, tha se po punohet në zgjerimin e programit “Termi im” , ose ka mundësi të ketë një digjitalizim të ri, transmeton Portalb.mk. “Do të shohim se cili do të jetë vendimi përfundimtar. Maqedonisë patjetër i duhet që […]
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, gjatë vizitës së sotme në ambientet e rinovuara të Institutit Universitar të Radiologjisë, tha se po punohet në zgjerimin e programit “Termi im” , ose ka mundësi të ketë një digjitalizim të ri, transmeton Portalb.mk.
“Do të shohim se cili do të jetë vendimi përfundimtar. Maqedonisë patjetër i duhet që të gjitha objektet shëndetësore të jenë në të njëjtin sistem. Pra, institucionet shëndetësore private dhe publike, por edhe farmacitë dhe të gjitha institucionet e tjera që kanë të bëjnë me shëndetësinë. Këtu po mendoj edhe për FSSh-në, kështu që do të shohim, do t’i shqyrtojmë opsionet më të mira të mundshme”, tha Taravari.
Ai përmendi se tashmë është diskutuar për përdorimin e telemjekësisë – konsultimeve nga distanca.
“Për pyetje të caktuara, pacienti nuk duhet të vijë në klinikë, por mund të ketë një periudhë të caktuar kur mjeku të bëjë konsulta nga distanca. Nëse ka nevojë, atëherë mjeku do ta thërriste pacientin dhe do ta kontrollojë fizikisht”, tha ai.
Lidhur me stacionin e kompresorit të Qendrës Klinike, ministri bëri me dije se sot me gjasë do të shpallet tender i ri. Për listën e re pozitive të barnave, ai tha se janë në pritje të formimit të bordit drejtues të FSSh-së, pas së cilës do të zgjidhet problemi.
“Në mbledhjen e parë të Bordit Drejtues do të kalojnë nëntë barnat që tashmë janë dërguar nga Ministria e Shëndetësisë dhe pasi të kalojnë atje do t’i firmos në të njëjtën ditë dhe do të promovojmë ”, tha Taravari.
Ndryshe, zgjedhja e Bordit të ri Drejtues të Fondit të Shëndetësisë, pritet prej një muaji, gjë që ka lënë pezull miratimin e listës pozitive të barnave.